Autoktonia e muslimanëve në Evropë

Opoja.net Opoja.net Opinione

Autor: Nexhat Ibrahimi

Artikulli trajton popullatën muslimane në Evropë, si arritën dhe nga arritën atje, si u formuan bashkësitë muslimane dhe karakteri e numri i tyre, gjeografia e muslimanëve në Evropë, si i trajton Evropa muslimanët autoktonë dhe ata të ardhur.

Fjalët kyçe: Islami, Evropa, Muslimanët, Migrimet, Paragjykimet

 

Hyrje

Çdo bisedë apo shkrim për Islamin në Evropë dhe për muslimanët evropianë është konfuze dhe e ngatërruar në shikim të parë, edhe pse s’do të duhej të ishte ashtu. Ngatërruese është edhe biseda për muslimanin evropian bashkëqytetar të evropianëve të tjerë. Sipas perceptimit tradicional evropian, Islami dhe muslimanët janë “tjetri”, fqinji, kërcënimi, auslanderi, rivali e shprehje të tjera sarkastike, dhe nuk përbën pjesën përbërëse të identitetit evropian. Islami është një fe e të tjerëve, muslimanët janë ata të tjerët, të huajt, të ndryshmit. Ata, muslimanët, janë të përkohshëm, një e keqe e domosdoshme, qoftë edhe jetojnë së bashku në një lagje, në një qytet apo në një shtet. Kjo çon në përfundim se muslimanët nuk janë evropianë, kurse feja e tyre nuk është autoktone, rezidenciale, evropiane dhe si e tillë feja e muslimanëve është një e hije e keqe nga e cila do të duhej qëndruar larg. Edhe pse të dhënat historike flasin ndryshe, edhe pse përqindjet janë të ndjeshme, edhe pse Islami është i vjetër me shekuj të tërë në Evropë, madje në disa vende më i vjetër se kristianizmi , ai ende nuk trajtohet si i tillë, vendor, autokton. Rrjedhimisht kësaj, shtrohet pyetja, a është dhe a duhet të jetë Islami pjesë integrale e shoqërisë multikulturore të Evropës apo është kërcënim i saj?

Autoktonia e muslimanëve në Evropë fakt historik

Jo më larg se para një shekulli popullata muslimane në Bullgari e Serbi ka qenë e madhe, madje dominuese. Numri i xhamive dhe objekteve fetare, kulturore e historike islame e argumenton pohimin tonë. Në Maqedoni edhe tash muslimanët janë popullsi me përqindje të ndjeshme, përkundër fshehjes së numrit të vërtetë të muslimanëve dhe manipulimit të vazhdueshëm të regjistrimit të popullsisë nga zyrtarët maqedonë. Në Bosnjë edhe pse numri ka rënë dukshëm për shkak të dëbimit, vrasjeve e shpërnguljeve të muslimanëve ende janë popullsi shumicë. Në Shqipëri gjithashtu janë shumicë dërmuese, megjithë faktin se qeveritë “antiislame” në vazhdimësi, me metoda të ndryshme përpiqen ta zvogëlojnë numrin e muslimanëve, madje edhe duke formuar fe të veçantë, atë bektashiane, në mënyrë që numri i muslimanëve të zbritet sa më shumë. Pa diskutim numri i muslimanëve në Kosovë është shumicë absolute edhe pse edhe dyherë më shumë popullsi gjatë shekullit të fundit është shpërngul në vende të ndryshme, si në Turqi, Siri, Egjipt e vende të tjera, ndërsa gjysmë shekullin e fundit në shtetet evro-perendimore.

Në Bashkësinë Evropiane popullata muslimane paraqet përqindje respektuese, nga një anë si pasojë e kolonizimit të botës muslimane nga evropianët gjatë dy-tre shekujve të fundit dhe lidhjes së tyre gjatë disa brezave , dhe nga ana tjetër, si pasojë e zhvillimit ekonomik të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, nevojës për fuqi punëtore dhe ndryshimeve globale në botë, lëvizjes së lirë të qytetarëve në shtetet evropiane etj.
Popujt ballkanikë Islamin e pranuan shumë herët, madje qysh në shekujt 9 e 10 të erës sonë. Por, për shkak të rrethanave historike të kohës, muslimanët nuk e ruajtën vazhdimësinë e tyre në mënyrë institucionale në Spanjë, Itali e Ballkan. Nga Spanja u dëbuan e u vranë, kurse në Ballkan një pjesë u asimiluan kurse të tjerët ekzistuan si popuj, grupime, etni brenda shteteve e perandorive të kohës. Për këtë shkak ata nuk patën administratë shtetërore që të kenë dokumente të kohës të formës materiale. Nuk kanë mbretër e komandantë ushtarakë në zë, sepse emrat e tyre numërohen në përbërje të shteteve për të cilat kanë luftuar. Pranimin e Islamit në mënyrë institucionale në Ballkan dhe Evropë do ta shënojmë me ardhjen e Perandorisë Osmane nga shekulli 14 e pas. Pas vitit 1912 turqit shkuan nga Ballkani, por Islami mbeti në Ballkan, sidomos në Bosnjë, në trojet shqiptare, Greqi e Bullgari. Kjo prani muslimane në Ballkan njëherit paraqet edhe bërthamat, qelizat e popujve dhe etnive muslimane evropiane. Fjala është për shqiptarët, boshnjakët, romët, turqit, pomakët, tatarët polakë, goranët etj. Mirëpo, gjatë shekujve 18, 19 e 20 fillon periudha e formimit të kombeve-shtete, nga grupet etno-religjioze dhe si të tilla ato kërkojnë territore për vete. Në këtë kohë, prania muslimane në vendet si Kroacia, Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Rumunia erdhi në minimum, kurse objektet fetare e kulturore të tyre u shkatërruan thuajse të gjitha . Kjo me terminologji moderne quhet pastrim etnik, gjenocid dhe urbicid, kurse në vendin e muslimanëve u formuan shtetet kombe. Përkundër shpërnguljeve të dhunshme të muslimanëve nga Ballkani, serbët, kroatët, grekët dhe bullgarët filluan një dhunë tjetër ndaj atyre që mbeten, të asimilimit fetar dhe nacional, qoftë nëpërmjet përkeqësimit të gjendjes, qoftë nëpërmjet luftërave lokale e rajonale. Shqiptarët patën një përparësi kundrejt boshnjakëve gjatë rrezistimit, sepse gjuha e tyre ishte ndryshe asaj sllave.

Rikompozimi dhe rivendosja e popujve në Ballkan, për shkak të luftërave dhe konflikteve, fillojë të sjellë ndryshime në mënyrën e jetës, të punës, të menduarit por edhe të lutjeve. Popullsia autoktone shqiptare, por edhe boshnjake e të tjera, mbeti të vazhdojë jetën, por e cunguar dhe e penguar numerikisht dhe cilësisht.

Kohëve të fundit, popullatën muslimane evropiane mund të ndahet në dy grupe kryesore:
1. Popullsia autoktonte muslimane evropiane
Në këtë grup bëjnë pjesë popujt evropianë dhe grupet e vogla etnike të cilët e predikojnë Islamin. Këta me shekuj të tërë e predikojnë Islamin dhe për ta Islami ka domethënie rrënjësore. Shqiptarët, boshnjakët, turqit ballkanik, goranët, pomakët, romët e të tjerë konsiderohen popuj vendorë, të cilët për fe predikojnë Islamin dhe konsiderohen popuj autoktonë në Evropë. Ekzistimi i tyre gjatë tërë kohës përgënjeshtron bindjen se Islami nuk është fe autoktone, është fe joevropiane dhe si e tillë faktor i mosmarrëveshjeve në Evropë.
2. Të shpërngulurit dhe pasardhësit e tyre në brezin e parë dhe të dytë.
Në grupin e dytë bënë pjesë popullata e shpërngulur, kryesisht arabët, turqit, pakistanezët, pastaj muslimanët nga Afrika subsahariane dhe nga nënkontineti indus, të brezit të parë e të dytë. Ky grup jeton, mundësisht, edhe punon i grupuar etnikisht, sepse xhematet e tyre janë të organizuara kombëtarisht në të shumtën e rasteve, përkundër faktit se Islami është fe mbinacionale, e hapur për të gjitha racat dhe vendet, pa marrë parasysh ngjyrën, gjuhën apo territorin. Në këtë grupëzim ndikon më së shumti gjuha dhe mentaliteti i përbashkët. Shpeshherë grupimi bëhet sipas shembullit të vendit amë, siç ndodh me turqit në Gjermani për shembull.

Kemi edhe grupe muslimanësh të tillë të cilët nuk pranohen nga vendi ku janë lindur por nuk pranohen as nga vendi i babait, siç kemi rastin me pakistanezët në Angli. Ata janë fëmijë të brezit të dytë apo të tretë në Angli. Kanë përvetësuar gjuhën e traditat e vendit të lindjes, Anglisë, por vendi nuk i pranon si të tillë për shkak të prejardhjes së tyre. Britanikët nuk i pranojnë sepse ua dallojnë ngjyrën ezmere të lëkurës por edhe mënyrën dhe cilësinë e organizimit të jetës. Janë të pakta rastet, kur përkundër kësaj stigme të rëndë, ata kanë dal nga lëkura e tyre dhe kanë arritur të integrohen në shoqërinë britanike, si pjesë e tyre.
Kjo ndodh, me dallime të vogla, edhe në vende të tjera. Femrat veshen në mënyrën e vet me shami apo shall, adoleshentët lehtë pranojnë provokimet e rrethit dhe shpesh bëhen viktima të konflikteve nga grupet neo-naziste apo të policisë brutale. Evropiani sheh rrezikun te këta muslimanë të rinj dhe nga evropianët gjithnjë e më të moshuar. Sulmet terroriste në metronë e Madridit më 2004, në Londër më 2005, konfliktet e rënda në lagjen e të varfërve në Paris më 2008, vrasja e regjisorit holandez Theo van Goghut për shkak të ofendimeve të Muhammedit a.s. dhe femrës muslimane, janë vetëm disa shembuj më eklatantë dhe më brutal të kësaj gjendjeje.

Lufta shumë dekadash në Palestinë, luftërat në Afganistan e Irak, në Sudan e Filipine dhe në shumë vende kundër muslimanëve i kanë përkeqësuar raportet muslimane me të tjerët. Po ashtu, këto probleme i kanë zgjuar edhe muslimanët në vendet evropiane. Provokimet e njëpasnjëshme rreth bartjes së shamisë, ofendimi i Muhammedit a.s. me filma apo karikatura, identifikimi i çdo muslimani me mjekër si terrorist, deklaratat dhe veprimet e pamatura e denigruese të priftërinjve ndaj Islamit, Kur’anit dhe Muhammedit a.s. nxitën muslimanët por edhe i mobilizuan ata, që ndaj brutalitetit evropian të përgjigjen me brutalitet, si karakteristikë të gatishmërisë për reaksion ndaj padrejtësisë. Për arsyet e sipërme, Evropa në përgjithësi dhe Bota perëndimore në veçanti duhet të mendojë për mbëltim të një mentaliteti dhe konfiguracioni tjetër fetar dhe etnik në Evropë, sepse mënyra e deritashme nuk po funksionon asqë do të funksionojë. Muslimanët në Ballkan kryesisht janë popullatë rurale-urbane, kurse ata në Perëndim janë popullsi gati tërësisht urbane.

 

Binomi etni dhe religjion pjesë të identitetit

Ekziston një bindje te disa intelektualë se muslimanët nuk e përfillin aspektin nacional, madje e luftojnë atë, duke i dhënë përparësi aspektit fetar. Mirëpo, kjo bindje nuk është e drejtë, sepse Islami të dy këto komponenta i respekton madje jetën e ndërton bazuar në binomin “O Krijuesi ynë, na jep mirësi në këtë jetë dhe mirësi në botën tjetër”. Feja i jep kuptim trupit, kurse trupi i jep ekzistencë fesë. Herë-herë në histori këto dy komponenta nuk ecin paralelisht, prandaj edhe kemi zbehje të fesë kundrejt materializmit apo e kundërta, zbehje e materializmit kundrejt fesë. Në Islam nuk mund të shtrohet pyetje e përparësisë, sepse ajo nuk ekziston. Secili kryen funksionin e vet dhe mjafton. Krahasohen dy gjera të njëjta, kurse shpirti dhe trupi nuk janë të njëjtë, por bashkëpunojnë dhe japin një rezultat të shkëlqyeshëm.

Në rrafshin historik, muslimanët evropianë i kanë respektuar të dy komponentat, varësisht nga vendi dhe koha kur jetojnë. Kur është rrezikuar elementi nacional, besimtarët kanë theksuar simbolet nacionale më shumë se ato fetare, dhe e kundërta, kur është rrezikuar elementi fetar, etnitë kanë theksuar simbolet fetare. Kjo nuk ndodh vetëm me muslimanët, por edhe me vetë kristianët e sekteve të ndryshme: pozita e evangjelistëve dhe hebrenjve në Francë e Austri, pozita e katolikëve në Gjermani e vende të tjera, nuk është e qetë dhe përcillet me dyshime të ndërsjella. Ky dualizëm i identitetit (etnik dhe religjioz) është i pranishëm në të gjitha religjionet e botës, pra, nuk është risi vetëm te muslimanët, ndërsa ai manifestohet aty ku ka cenim dhe rrëgjim të njërit apo tjetrit element. Muslimanët po kalojnë nëpër këtë fazë dhe probleme do të ketë sigurisht deri sa të ketë rrëgjim të të drejtave të tyre nacionale dhe fetare.
Rastet e ndalimit të bartjes së shamisë në vendet publike në Francë, Belgjikë e vende të tjera, ndalimi i ndërtimit të minareve në Zvicër e vende të tjera evropiane, paraqesin reaksione kundër çdo gjëje muslimane, e cila në rrafshin sociologjik-psikologjik, tregon fajësimin e tjetrit për krizën vetjake dhe mosmenagjimin efikas të saj. Për këtë arsye, fajtorë kemi hebrenjtë, romët, muslimanët, emigrantët, por jo edhe vetveten.

 

Bashkësitë autoktone etnike islame

Të gjitha bashkësitë islame kryesisht janë etnike, ose kanë ngjyrime etnike. Varësisht cila etni dominon, edhe bashkësia bartë tiparet e asaj bashkësia etnike. Në qytetet ku kemi me shumë etni, kemi edhe më shumë xhemate sipas parimit etnik, madje edhe rajonal (xhemat shqiptar tetovar, xhemat shqiptar preshevar etj.).
Shikuar gjeografikisht, këto bashkësi etnike janë të vendosura kryesisht në pjesët që edhe më herët kanë qenë të populluara me muslimanë, në vendet ku ishte Perandoria Osmane. Fjala është për Ballkanin, Bosnjën, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Rumaninë, Greqinë, Maqedoninë dhe trojet shqiptare.

Islami dhe Evropa bashkëjetojnë, me apo pa dëshirë, nga fillimi i vetë Islamit. Emisarët e Muhammedit a.s. qysh gjatë jetës së tij kanë vizituar Perandorinë Bizantine, rrethuan Bizantin (Konstantinopojën), pastaj populluan Sicilinë, Italinë jugore dhe Spanjën, jugun e Greqisë dhe pjesë të bregdetit shqiptar. Kryqëzatat për rreth 200 vjet (nga viti 1095) synonin ta kthejnë jugun e Evropës dhe veriun e Afrikës nën sudimin kristian. Mirëpo, koha e re solli befasi: ra halifati i Granadës më 1491, u zbulua Amerika më 1492, por Perandoria e re Osmane erdhi në skenën historike të asaj kohe. Kjo perandori u shtri në tri kontinente: Azi, Evropë dhe Afrikë, dhe që nga fitorja në fushën e Mohaçit më 1526 kur u nënshtrua Hungaria e deri te beteja e fundit më 1683, kur humbi Hungarinë dhe disa pjesë të Sllavonisë dhe gjatë kësaj kohe paraqiste fuqi respektuese në rajon. Mirëpo, gjatë shekujve 18 dhe 19 kjo perandori e fuqishme u dobësua, u tërhoq nga shume vende dhe duke arritur afër pjesës aziatike. Në Ballkan mbetën shumë muslimanë, por më tepër shërbenin për ‘kusuritje’ mes forcave të mëdha sesa që kishin ndonjë rol me rëndësi. Luftërat për trashëgiminë jugosllave gjatë viteve 1991-1999 e përfunduan procesin e formimit të kombeve në Ballkan, që ndodhi edhe me boshnjakët 1992-1995 dhe me shqiptarët prej më herët e deri më 1999. Kosova për shkak të dhunës sistematike serbe nuk posedonte strukturë shtetërore, kështu që duhej filluar thuajse nga e para.

 

Bashkësitë islame jorrezidente (migruese)

Bashkësitë islame jorrezidente i quajmë ato që nuk janë autoktone, të hershme në ato vende, kryesisht në Evropën perëndimore dhe veriore. Rrugëtimi i tyre është rrugëtimi kolonialist i shteteve evropiane, natyrisht në drejtimin e kundërt. Arabët, pakistanezët e indusët marrin rrugën e Anglisë, shtetet afrikane rrugën e Francës, kurse Turqia dhe Kosova, Bosnja etj., marrin rrugën e Gjermanisë dhe ndonjë shteti të afërm.
Migrimet fillojnë intensivisht në fund të shekullit 19, por marrin hov sidomos pas Luftës së Parë (1914-1918) dhe të Dytë Botërore (1941-1945). Vdekja e shumë luftëtarëve evropianë dhe nevoja për rimëkëmbjen e vendeve pas luftërave, solli nevojën për punëtorë kryesisht krahu. Emigrantët e parë kanë qenë punëtorë të thjeshtë, tregtarë dhe ndonjë studentë apo intelektualë. Kjo sidomos ndodhi pas vitit 1945.

Fillimisht këto emigrime kishin karakter të përkohshëm, por pas ndryshimit të rrethanave në tërë Evropën por edhe në vendet përkatëse, emigrimi i përkohshëm u shndërrua në të përhershëm kryesisht në pjesët urbane. Këtij përqendrimi sidomos i ndihmoi hapja e disa xhamive në lagjet e banuara me turq, pakistanezë, arabë, por edhe shqiptarë e boshnjakë. Rritja e numrit të muslimanëve shtoi nevojën edhe të organizimit më të mirë në vendet sikurse Anglia, Franca, Gjermania, Holanda, Belgjika, Austria e vende të tjera, në të cilat vende më herët nuk kishte muslimanë. Me këtë përqendrim të muslimanëve u paraqitën edhe probleme të natyrës socio.ekonomike, socio-kulturore, sigurimi shëndetësore dhe sociale, mbrojtja politike e muslimanëve etj. Nga heshtja muslimanët filluan të bëhen aktiv në mbrojtjen e muslimanëve. Këtë nxitje sidomos e bëri të fuqishëm decizioni i Ajatullah Homeinit, liderit iranian, për eliminimin e Selman Ruzhdiut, një hipokriti musliman që vepronte për interesa perëndimore, sidomos angleze. Libri i tij, Vargjet satanike i homogjenizuan muslimanët evropianë edhe politikisht edhe kulturalisht, edhe fetarisht. Këtë homogjenizim e ndihmuan edhe shumë veprime të papërgjegjshme të elitës politike dhe fetare evropiane gjatë viteve të mëvonshme, madje deri në ditët tona.

 

Muslimanët e Ballkanit
(Në vend të përfundimit)

Muslimanët e Ballkanit janë të lashtë, madje i hasim qysh në mesjetën e hershme e të mesme. Mirëpo, deri sa atëherë ata nuk vepronin brenda një subjekti të tyre, por në përbërje të shteteve ballkanike, edhe të dhënat për ta janë të tërthorta dhe të pakta. Pas fillimit të rënies së Perandorisë Osmane nga njëra anë dhe fillimit të formimit të shteteve nacionale në Evropë popujt muslimanë në Ballkan filluan të rrezikohen nga aleancat e ndryshme kristiane dhe laike. Për të mbijetuar, edhe boshnjakët por edhe shqiptarët, filluan angazhimin e tyre për pavarësi nga Perandoria Osmane në rënie, por për pavarësi edhe nga shtetet sllave, kristiane, që bëheshin gati t’i grabisnin territoret muslimane, shqiptare, boshnjake etj. Fati historik do t’i bëj të pavarua këto shtete në kohë dhe rrethana ndryshe, si Shqipërinë më 1912, Bosnjën pas Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995 dhe Kosovën pas fitores ndaj trupave serbe në vitin 1999.

 

Shtojcë:
TABELA 1: Popullsia muslimane në Evropë

Nr. Shteti Popullsia Gjithsej muslimanë
1. Austria 8.102.600 300.000 (3,7%)
2. Belgjika 10.192.240 370.000 (3,6%)
3. Bosnja dhe Hercegovina 3.922.205 2.340.000 (59%)
4. Britania e Madhe 55.000.000 1 406 000 (2,55%)
5. Bullgaria 8.487.417 1.110.295 (13%)
6. Danimarka 5.330.020 150.000 (2,81%)
7. Finlanda 5.171.302 20.000 (0,38%)
8. Franca 56.000.000 4.000.000 (7,1%)-5.000.000 (8,9%)
9. Greqia 10.000.000 370.000 (3,7%)
10. Gjermania 82.000.000 3.040.000 (3,7%)
11. Holanda 15.760.225 695.600 (4,41%)
12. Hungaria 10.043.000 20.000–30.000 (0,19–0,29%)
13. Italia 56.778.031 700.000 (1,2%)
14. Kosova 1.900.000 1.700.000 (88–90%)
15. Kroacia 4.437.000 56.777 (1,27%)
16. Luksemburgu 435.000 3.800 (0,87%)
17. Mali i Zi 620.145 110.034 (17,74%)
18. Maqedonia 2.038.514 672.705 (33%)
19. Polonia 38.667.000 15.000 (0,03%)
20. Portugalia 9.853.000 30.000–38.000 (0,30–0,38%)
21. Rumania 22.500.000 60.000 (0,26%)
22. Serbia 10.159.046 489.664 (4,82%)
23. Sllovenia 2.051.333 49.231 (2,4%)
24. Spanja 40.202.160 300.000–400.000 (0,74–0,99%)
25. Suedia 8.876.611 250.000–300.000 (2,81–3,37%)
26. Shqipëria 3.619.778 2.533.845 (70%)
27. Zvicra 7.304.109 310.000 (4,24%)
Gjithsej: 479.450.736 21.102.951–22.270.951 (4,4–4,6%)

 

Literatura:

1. Djurić-Zamolo, Divna, Beograd kao orijentalna varoš pod Turcima 1521-1867, Beograd, 1977.
2. Esposito, John L., Oksfordska historija islama, Živinice, 2005.
3. Ibrahimi, Nexhat, Antiislamizmi aktual, fashizëm i ri evropian, Revista Paqja, nr. 62/2012, Prishtine, ose: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=2183.
4. Ibrahimi, Nexhat, Vepra, pjesa VI dhe X, Shkup, 2009.
5. Kulenović, Tarik, Evropski muslimani, në: http://www.ibn-sina.net/bs/component/content/article/1645-evropski-muslimani-.html.
6. Maksudoglu, Mehmet, Historia osmane dhe institucionet, Tiranë, 2013
7. Muhiq, Ferid, Identiteti islam i Evropës, Shkup, 2013.
8. Murata, Sachiko & C. Chittick, William, Vizioni i Islamit, Tiranë, 2007.
9. Neziri, Rejhan, Islami dhe muslimanët në Perëndim/Zvicër / (Përmbledhje artikujsh), Kreuzlingen, Zvicër, 2004, ose: ww.el-hikmeh.net/files/…perendim_(zvicer)_-_mr._rejhan_neziri.pdf.
10. Ramadan, Tarik, Biti evropski musliman, Sarajevë, 2002
11. Truhelka, Ćiro (1941): Studije o podrijetlu – Etnološka razmatranja iz Bosne i Hercegovine, Matica hrvatska, Reprint: Hrvatsko društvo folklorista, 2012, ose: http://www.scribd.com/doc/56788421/1941-Studije-O-Podrijetlu-Etnolo%C5%A1ka-Razmatranja-Iz-Bosne-I-Hercegovine-Dr-%C4%86iro-Truhelka. (Qasje më 6.8.2013)

 

(ZeriIslam, Opoja.net)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-