Opoja.net

Bota muslimane karshi perëndimit

Natyra e marrëdhënies mes Perëndimit dhe botës muslimane shtron këto pyetje qendrore: A e kërcënon vërtet Islami Perëndimin? Në mënyrë të ngjashme: A e rrezikon Perëndimi i modernizuar Islamin dhe qytetërimin e tij? Çfarë duhet bërë për ta zhvendosur marrëdhënien midis dy palëve nga përplasja dhe konflikti te bashkëpunimi dhe bashkekzistenca paqësore? Studimi i marrëdhënies midis botës muslimane dhe Perëndimit nënkupton shqyrtimin e marrëdhënies midis Islamit dhe Krishterimit, sepse Perëndimi i qaset Islamit ideologjikisht nga një perspektivë kristiano-judaike.

Gjithashtu, Perëndimi, nga një këndvështrim historik, e trajton Islamin në një mënyrë të ndryshme nga kulturat dhe popujt e tjerë. Marrëdhëniet midis dy palëve u karakterizuan nga ndërveprime, si dhe nga konflikte dhe kundërveprime.

Kryqëzatat e udhëhequra nga Perëndimi kundër botës muslimane janë konsideruar si një kundërpërgjigje ndaj kontrollit musliman të Spanjës (Andaluzisë) për tetë shekuj.

Po ashtu, orientalizmi u adaptua përgjithësisht për të shformuar dhe dobësuar shoqëritë muslimane, me qëllim që t’i hapej rruga dominimit perëndimor. Ai u synua të dëmtonte qytetërimin dhe kulturën islame më tepër se të vinte thjesht në rrezik Lindjen.

Thelbi i marrëdhënies në ditët e sotme midis botës muslimane dhe Perëndimit është manifestuar mirë në idetë e globalizimit të predikuara nga teoricienë të tillë si Samuel Hantingtoni (Samuel Huntington), me veprën e tij, “Përplasja e qytetërimeve”.

Hantingtoni (Huntington) paralajmëroi se më i rrezikshmi nga tetë qytetërimet është Islami. Këto qytetërime e kërcënojnë Perëndimin jo vetëm në interesat materiale, por dhe në vlerat e tij. Kjo drojë tregon një pranim të nënkuptuar të kulturës dhe vlerave të fuqishme islame përkundër atyre të dobëta perëndimore.

 

I: Sfondi

Kur perëndimorët trajtojnë Islamin, ata mbështeten në mendimin filozofik. Ky mendim filozofik dhe teologjik është produkt i tre komponentëve: filozofisë greke, trashëgimisë romake, Krishterimit dhe Judaizmit.

Filozofia greke karakterizohet nga natyra shkencore dhe materialiste, e nga prirja heretike në shpjegimin e ekzistencës; trashëgimia romake është e famshme për krijueshmërinë në fushën e ligjeve, administrimit, sistemeve politike, traditës empirike, dhe kultit (perandor) të personalitetit; dhe, në fund, Krishterimi dhe Judaizmi, që u përpoqën t’u japin atyre shije spirituale dhe hyjnore.

Krishtërimi është në tërësi një trashëgimi e pastër orientale. Ama tani ai është konceptuar si një fenomen perëndimor.

Por Perëndimi e zhveshi Krishterimin nga petku lindor, për ta përshtatur atë me mendimin perëndimor. Kështu, Krishterimi do ta hiqte qafe petkun oriental, dhe do të mishëronte atë grek dhe romak.

Kjo situatë është përshkruar nga një dijetar musliman me thënien: Krishterimi u romanizua, ndërsa Roma nuk u kristianizua; duke treguar shtrembërimin e mesazhit të Jezusit, dhe shmangien prej mesazhit të tij.

Në këtë mënyrë, mesazhi i Jezu Krishtit ishte reduktuar në një Kishë të shenjtë, dhe në institucione teologjike sistemet administrative të të cilave u ngritën në përputhje me sistemin romak.

U ishte dhënë formë traditave dhe praktikave të pazakonta, që nuk kanë të bëjnë aspak me fenë origjinale, si pagëzimi, bërja e së dielës ditë e shenjtë, pezullimi i rrethprerjes, kryerja e lutjes pa abdest, dhe shtënia e traditës së murgjve dhe murgeshave.

Një epokë e re e historisë filloi kur feja u nda nga politika, mendimi nga realiteti, hyjnorja nga natyrorja, duke prodhuar aq shumë dikotomi; ndërsa në Islam këto bashkojnë fenë, historinë, natyrën, shkencën, jetën e tanishme dhe jetën që vjen.

Islami vë një ekuilibër midis të gjithë përbërësve të jetës. Kësisoj, Krishterimi u shmang nga rrënjët monolite, dhe, që këtej, e humbi pikëtakimin që e sjell atë më pranë me Islamin.

Për më tepër, përhapja e filozofisë materialiste në Perëndim e ka zgjeruar hendekun midis botës muslimane dhe Perëndimit. Të njëjtat koncepte, vlera dhe perceptime që e patën zanafillën në Europë u morën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, filozofia e së cilave u mbështet në atë të Makiavelit europian, në një frymë amerikane, të njohur si pragmatizëm.

Kjo filozofi e re, e cila u krijua nga Uilliam Xhejmsi (William James) dhe u zhvillua nga Xhon Djui (John Dewey), prodhoi “instrumentalizmin”; një filozofi e preteksteve, e cila shpjegon politikën e jashtme aktuale amerikane dhe sjelljen politike në marrëdhënien ndërkombëtare.

Kështu, Perëndimi, i përfaqësuar nga Europa shekullaro-materialiste, apo nga Amerika pragmatike, i braktisi fenë, vlerat dhe etikën. Kjo e ka zgjeruar hendekun midis Perëndimit dhe feve të tjera, veçanërisht me Islamin. Pikërisht kjo qe barriera e parë e cila u shfaq mes botës muslimane dhe Perëndimit.

Në të njëjtën kohë, ekziston dhe një tjetër perceptim i Perëndimit të modernizuar, që pretendon se shumica e krishterëve të modernizuar, e deri diku dhe e hebrenjve perëndimorë, deklarojnë se të gjitha qytetërimet do të ecnin në gjurmët e rrjedhës perëndimore të historisë që nga Rilindja.

 

II: Barrierat

Barrierat midis Perëndimit dhe Islamit mund të ndahen në tre faza: 1. Faza e vjetër: kohët mesjetare; 2: Faza e dytë është rilindja: e cila përfshin kryqëzatat, orientalizmin dhe kolonializmin; 3: Faza moderne: e cila është faza e modernizimit dhe globalizimit.

 

Barrierat në kohët mesjetare

Eshtë e dukshme se anatema teologjike e Perëndimit e hedhur kundër Islamit dhe kryqëzatat qenë ato që shkaktuan vdekje dhe shkatërrime të mëdha; Europa mesjetare vështroi me respekt vetëm “tjetrin” që njihte, pra, Islamin, shoqërinë dhe qytetërimin e tij.

Urrejtja e hapur ndaj Islamit, intelektuale dhe teologjike, filloi realisht me Rilindjen, që gjithashtu e vajtoi të shkuarën e vet mesjetare. Qe pikërisht në këtë periudhë që dy qytetërimet motra i ndanë rrugët.

Një valë e re dhe më shumë ngërthyese e urrejtjes, e bazuar në kundërshtinë fetare ndaj Islamit në mesjetë, u krijua ndaj të gjitha gjërave islame, që çoi në një qëndrim neverie, në një atmosferë superioriteti dhe droje, që ka mbijetuar nganjëherë edhe në mënyrë të pavetëdijshme në ditët e sotme në sjelljen e përgjithshme perëndimore ndaj Islamit.

Ndonëse nuk ka krahasim midis fuqisë ushtarake dhe materiale të Perëndimit dhe asaj të botës islame sot.

Megjithëkëtë, ka pika takimi mes të dyjave. Dy qytetërimet e njohin ekzistencën e njëri-tjetrit, me gjithë armiqësitë, dhe çdonjëri ka marrë sistemin e tij të vlerave, etikën, kulturën, institucionet politike dhe forcën ushtarake.

Mes dy kulturave ka patur ndikim të ndërsjelltë gjatë kohëve mesjetare. Filozofët islamë dhe krishterë ndikuan te njëri-tjetri.

Shën Tomas Akuini përfaqëson një tablo të përsosur të një filozofi punët e të cilit nuk u ndikuan vetëm nga filozofia greke, por gjithashtu nga filozofia islame. Ai mësoi shumë nga traktati logjik i Farabiut, dhe huazoi së tepërmi nga skema ontologjike e Ibni Sinait.

E shenjta e përbashkët dhe hapësira e universit fetar islamo-krishter morën tatëpjetën pas fundit të periudhës mesjetare në Europë.

 

Barrierat në fazën e dytë: Rilindja

Europa e margjinalizoi fenë me Reformacionin dhe Rilindjen, dhe me këtë përcaktoi drejtimin shoqëror drejt së cilës do të fillonte udhëtimin e saj intelektual.

Ajo me Rilindjen i dha fund gjuhës së përbashkët me Islamin. Kjo shënoi një kthim tek bota intelektuale greke, në të cilën njeriu është masa e vetme e gjërave; një mbështetje në sekularizmin humanist të grekëve. Ishte një shmangie nga feja (Krishterimi). Dhe kështu, Perëndimi zgjodhi një paradigmë të ndryshme intelektuale pas Rilindjes.

Ai ndryshoi po ashtu gjuhën me të cilën kishte komunikuar me qytetërimet e tjera, si edhe me të shkuarën e vet. Prandaj muslimanët dhe perëndimorë gjejnë pak gjëra mbi të cilat të pajtohen në epokën e pas Rilindjes, një gjendje që ka prodhuar shumë tension, siç vihet në dukje nga Hantingtoni (Huntington) te “Përplasja e qytetërimeve”.

Përvojat e Reformacionit dhe Rilindjes e kanë bërë Perëndimin të çliruar nga vlerat, e, si rrjedhim, më pranues se shoqëritë muslimane ndaj “izm”-ave të reja. Tanimë, të dy palët kanë marrë drejtime të ndryshme përgjatë katër shekujve të fundit.

Në fakt, “Perëndimi modern shekullar nuk është më tepër në gjendje të ketë një ligjërim me fundamentalistët dhe mbrojtësit e tij të Zotit nga ç’është për të patur një ligjërim me muslimanët.”

 

Autori është profesor i shkencave politike, dhe ka shkruar e botuar gjashtë libra e një sërë esesh, në arabisht e anglisht.

Mos i humb

Myftiu i BIRK-së Mr. Naim Tërnava mbajti takim me imamët e KBI-së të Dragashit

Opoja.net

Askush nuk e di dhimbjen tënde sikurse Allahu

Opoja.net

A jeni gati, ja kur fillon Ramazani

Opoja.net

Tregim shumë i bukur me veprimin e këtij djaloshi

Opoja.net

Të jetosh sikur gjendesh ballë për ballë me Allahun

Opoja.net

Ndërkohë që kamera hyjnore është në xhirim…

Opoja.net

Operacionet plastike nga këndvështrimi islam

Opoja.net

Domethënia e Israsë dhe Miraxhit në kohën tonë

Opoja.net

E humba edhe një ditë

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net