Opoja.net

Dukja, trupi dhe turpi

Ngjan sikur stina e verës është rasti tipik për të parë të pasqyruar në sjellje një thënie po aq tipike të kohës, ku na kumtohet me qesëndi se nuk ka shumë rëndësi se si je[1], por si dukesh; domethënë, mos i shiko punën, por gunën. Disa do të shtojnë menjëherë se duhet të jetë e kundërta, dhe kanë të drejtë, nëse nuk e heqin gunën nga lista. Në një mënyrë apo në një tjetër, të gjithë njerëzit kujdesen për dukjen/paraqitjen e tyre, gjë që është pjesë e natyrës njerëzore, nëse mund ta themi kështu. Edhe të qenurit zhuls bën pjesë këtu, për të mos thënë që është një trend më vete.

Si në të kaluarën ashtu edhe sot, çështja e dukjes apo e paraqitjes në hapësirat publike është një tregues apo një shenjë që shërben për të kuptuar diçka rreth personit që qëndron pas kësaj apo asaj dukjeje, si të thuash përbën një lloj parathënieje për sa i takon njohjes; sikundërse edhe një tregues për statusin, siç thuhet, pavarësisht “fshtatit global” ku jemi katandisur me katandi me këste.

Po të shkojmë më tej, veshja apo zhveshja, në thelb i ka rrënjët te një botëkuptim i caktuar, pra është pasojë e asaj çfarë beson dhe mendon personi.

Por në këtë rast do përqendrohemi te trupi si dukje, që për shumëkënd përbën të vetmën gjë që kemi si mundësi për mirëqenien e redukutuar në një kamje të vajisur me një estetikë bukur të ftohtë.

Ajo që mund të pikasësh kollaj në stinën e verës është turpi nga trupi, pasi gati të gjithë i hyjnë pa komandë garës së dukjes/paraqitjes, për t’u dukur sa më “bukur” apo sa më “mirë”. Që të mos i pengojmë dukjet e tjera të mundshme, le të themi për t’u dukur kështu apo ashtu, secili sipas një arketipi ose modeli që ka në kokë. Pra, pjesa dërrmuese, nuk duan të jenë ashtu siç janë (turpi), dhe zgjedhin pa bërë asnjë zgjedhje që t’i hyjnë konkurrencës për të modifikuar trupin sipas një modeli të stereotipizuar deri në qimet e pafajshme në vesh.

Nuk kemi të bëjmë thjesht me një stërvitje të caktuar, që e mban trupin në formë, por me diçka më shumë, që mund të përcaktohet edhe si modifikim, siç e thamë. Njerëz që besojnë se të qenurit në botë, ku bën pjesë edhe trupi, është vetëm një rastësi a diçka e kësaj natyre, shkëputur nga zinxhiri i qenieve dhe i gjallesave. Një botëkuptim i tillë e kthen ekzistencën në një aksident, dhe kështu shpejtësia për të shpëtuar nga aksidenti bëhet e vetmja shtysë e të qenurit në botë.

Ja, kaq ka mbetur nga realiteti i turpit: e para, është reduktuar te trupi[2]; dhe e dyta, te prirja për ta bërë (modifikuar) atë ideal.

Pavarësisht diversitetit të brishtë që priret drejt një uniteti të frikshëm, apo që i lidh të gjitha dukjet sot, mbetet stoik kujdesi i vazhdueshëm në formë rituale për dukjen; një përkushtim vetmohues, për t’u patur zili.

Ky lloj modifikimi, pavarësisht shumë emrave pikantë që i vihen, është mision, që për ata që e kanë pranuar do të thotë të jesh, të ndihesh gjallë. Ja pse ka kaq shumë sakrifica që të lënë pa fjalë kur vjen puna te modifikime konkrete si dobësimi, ndërhyrjet e ndryshme kirurgjike, dietat fantastiko-shkencore, ushqimet e zgjedhura si në përralla e kështu me radhë.

Në fakt, po të kujtohemi pak, në qytetërimin dhe kulturën europiane, në thelb kemi dy qëndrime in extremis për trupin: në Mesjetë zhvlerësohej, kurse pas Rilindjes e këndej nisi mbivlerësimi. Dikur përçmohej tani adhurohet.

Trupi ideal është një kërkim i pamundur që vjen si pasojë e harresës për të kërkuar njeriun, siç ishte dikur njeriu i idealizuar (pa mëkate) një kërkim po aq i pamundur për shkak të harresës së trupit.

Mos i humb

Myftiu i BIRK-së Mr. Naim Tërnava mbajti takim me imamët e KBI-së të Dragashit

Opoja.net

Askush nuk e di dhimbjen tënde sikurse Allahu

Opoja.net

A jeni gati, ja kur fillon Ramazani

Opoja.net

Tregim shumë i bukur me veprimin e këtij djaloshi

Opoja.net

Të jetosh sikur gjendesh ballë për ballë me Allahun

Opoja.net

Ndërkohë që kamera hyjnore është në xhirim…

Opoja.net

Operacionet plastike nga këndvështrimi islam

Opoja.net

Domethënia e Israsë dhe Miraxhit në kohën tonë

Opoja.net

E humba edhe një ditë

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net