Dy anët e sprovës

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Shkruan Hfz. Mehas Alija

Mund të ndodh që njeriu të sprovohet, mirëpo të mos e kuptojë rëndësinë e sprovës në jetën e tij.

Shpesh hasim në njerëz të cilët sprovat nuk i kuptojnë dhe i interpretojnë në frymën skeptike, sa që aspak nuk janë në gjendje të kuptojnë anën e brendshme apo atë pozitive të saj. Sprova, në fakt, i ka dy anë, të brendshmen dhe të jashtmen. Secila nga këto dy anë mund të jetë e mirë dhe e keqe. Andaj, Omeri, r.a., duke u treguar i kujdesshëm në këtë çështje, thoshte: “Nuk do t’i jap aspak rëndësi faktit nëse u gdhiva me të mirë apo me të keqe, sepse ajo që unë e pandeh të mirë, mund të jetë për mua e keqe, kurse ajo që e pandeh te keqe, mund të jetë për mua e mirë.”

Omeri, r.a., shumë bukur e kishte kuptuar realitetin e sprovës dhe se ka qenë i kënaqur me çdo gjë që ka mundur t’i ndodh. Ai i është mbështetur plotësisht Allahut Fuqiplotë dhe se ka qenë i bindur në faktin se Zoti edhe kur sprovon në mirësi dhe vështirësi, sprovon me mëshirën e Tij të madhe.

Në këtë kontekst, poeti turk, Nexhip Fazëll Kësakyrek, bukur këndon e thotë:
“Prej Teje ç’të më vij, le të më vijë, Zoti im!
I mirë je Ti, në mëshirë e në ndëshkim!

Anët e sprovës më së miri mund t’i vërejmë edhe në rastin e hazreti Jusufit, a.s. Kur’ani famëlartë e ilustron këtë fakt: “E ai që e bleu nga Misiri (Egjipti) i tha gruas së vet: “Bëni pritje të kënaqshme, se është shpresë t’ia shohim hajrin ose ta adoptojmë për fëmijë!” Ja, kështu (sikurse e shpëtuam nga bunari), Ne i bëmë vend Jusufit në tokë (në Egjipt), e që t’ia mësojmë atij shpjegimin për disa ëndrra. All-llahu është mbizotërues i punës së vet, por shumica e njerëzve nuk e dinë (fshehtësinë e çështjeve).”

Pra, për t’iu dhënë vend meritor Jusufit a.s., atij iu deshtë t’i kalojë dhe t’i përjetoj disa faza të tjera të cilat ishin të vështira për të. Për t’u bërë ministër i Egjiptit, ishte dashur në fillim të hidhej në pus, pastaj të shitej si skllav e më pas të hidhej në qeli. Hazreti Jusufit i ishte dashur që t’i hiqte të gjitha këto vuajtje dhe ai i kaloi këto prova, ashtu siç i kishte hije një profeti. Në anën tjetër të këtyre ngjarjeve
të dukura nga jashtë si të vështira e të rënda, qëndronte një shpërblim i madh, siç ishte zotërimi i fatit të një populli dhe ai ia arriti kësaj.

Rënia e Jusufit a.s, në bunar tregon anën e jashtme të sprovës, mirëpo kjo tregon edhe anën e brendshme të saj, pasi që kjo konsiderohet edhe rruga drejt ngritjes së tij në një pozitë më të mirë dhe të lakmueshme. Vërtetë ai binte në bunar, por në fakt ai lartësohej me të.

Pra, ka edhe shumë raste të tjera që, në shikim të parë, na duken se janë të shëmtuara apo të vështira, mirëpo në domethënien e tyre të brendshme pasqyrohen dobi shumë të mëdha.

E kemi rastin e sëmundjes si shembullin më praktik. Nga forma e jashtme e saj vërehen shumë anomali dhe vështirësi, vuajtje dhe komplikime, etj., por, ajo nuk është vetëm e këtillë. Ajo ka edhe anën e mirë të saj, atë ndritshmen.

Në hadithin të cilin e transmeton Ahmedi në Musnedin e tij thuhet “se kur zbriti ajeti i Kur’anit: “Kush punon të këqija do të dënohet për to”, Ebu Bekri tha: Si mund të gëzohemi pas këtij ajeti o i Dërguari i Allahut? Pejgamberi, a.s, i tha:
Të faltë Allahu o Ebu Bekr, po ti a nuk sëmurësh?
A nuk të godasin fatkeqësi?
A nuk lodhësh?
A nuk mërzitesh? Pra edhe prej këtyre do të merrni sevape dhe do t’ju falen gjynahet.”

Po ashtu, sahabiu i nderuar, Ebu Derda, r.a. thotë: “Njerëzit nuk e duan sëmundjen, por unë e dua se m’i falë gjynahet…”

Në një transmetim tjetër thuhet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: “Dikush do të arrij gradë të larta, jo me punën e vet, por sprovohet me bela në trupin e tij.”

Po ashtu, Pejgamberi, a.s., ka thënë: “Për çdo lloj gjëje që e godet besimtarin prej lodhjes, dhimbjes, mërzisë, sëmundjes e shqetësimit, deri edhe për gjembin që i hyn në trup dhe duron, Allahu do t’ia falë gjynahet.”

Ndërkaq, besimtari nuk e dëshiron sëmundjen, ai nuk e kërkon atë, mirëpo kur ajo e godet ai është i durueshëm dhe i vetëdijshëm për të mirat që ka ajo, andaj edhe nuk pezmatohet dhe nuk hidhërohet me sprovën që ia ka caktuar Allahu i Madhërishëm, porse mbështetjen dhe ndihmën e kërkon vetëm prej Tij.

(Breziiri)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-