E ardhmja si realitet i pajetuar

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Askund dhe askush kurrë nuk mund ta paramendojë jetën që e pret. Është e ardhmja e panjohur që në vitet e rinisë nuk ka sesi të mos e ëndërrosh gjithë shpresë. E ëndërron si kohën që do të të bëjë të mundur realizimin e ëndrrave djaloshare apo ëndrrave të vajzërisë. Je si në ethe. Edhe ke frikë nga e panjohura, por edhe e dëshiron të vijë dhe të të mbështjellë me misteriozitetin e saj.  Rend pas saj si i marrë. Ngulmon në realizimin e asaj që ëndërron. Kalon net të tëra duke menduar si do të jetë. Ëndërron pa fund. Ëndërron kur ngrihesh çdo mëngjes dhe e ndjen veten plot me energji. Ëndërron çdo darkë kur mbështetesh për të fjetur nga lodhja e ditës. Ëndërron në çdo çast të së tashmes. Ëndrrat mund të jenë një shtysë e mirë motivuese. Njeriu në fazën ëndërrimtare beson se e ardhmja e tij me patjetër do të jetë më e mirë se aktualja ku ai gjendet e jeton. Zakonisht ëndrrat që ka njeriu për të ardhmen lidhen më atë çfarë njeriut i mungon. Por kjo mungesë nuk duhet përkthyer thjesht si mungesë mirëqenie materiale. De facto shumë syresh kështu e përkthejnë.

\r\n\r\n

-A janë përkthyes të mirë?

\r\n\r\n

-A e njohin mirë gjuhën nga e cila duan të përkthejnë?

\r\n\r\n

-Mos vallë përkthimi i tyre bëhet duke e përshtatur origjinalin me kutin e tyre të matjes dhe peshës?

\r\n\r\n

-Nëse ndodh kështu, a mund të flasim për cilësi të mirë përkthimi?

\r\n\r\n

-A mundet shumica ta nuhasë këtë përkthim hilecak?

\r\n\r\n

-A munden sytë e verbuar nga ëndrrat plot pasion materialistik për të ardhmen ta lëçitin hiletarinë?

\r\n\r\n

-A mund këta përkthyes të kënduar e të lexuar të na sjellin një pamje më të qartë të asaj çfarë duan të na vendosin para duarve?

\r\n\r\n

-Po tek cili mjeshtër alkimist e kanë mësuar artin e përkthimit?

\r\n\r\n

-E në qoftë se e kanë gjetur mjeshtrin alkimist, a është ai mjeshtri i mjeshtërve apo mos vallë kanë rënë ndër leqet e ndonjë iluzioni që na e sjellin si të vërtetë, për të na mbushur mendjen se e ardhmja është e sigurt vetëm nën pushtetin e materialistikes?

\r\n\r\n

Ja që ëndrrat djaloshare apo vajzërore në vlugun e tyre nuk ndalen të pyesin. Nuk ndalen të reflektojnë rreth shtigjeve që përqarkësojnë horizontet e vështrimeve të tyre ëndërrimtare. Kësisoj iu duket sikur një ditë do të pushtojnë botën dhe gjithçka do të jetë nën këmbët e tyre. E nënshtruar para pushtetit të tyre. Të vetëkënaqur qëndrojnë të veshur me mëndafsh në fronin e tyre. Të rrethuar nga shërbyes dhe shërbyese që iu bëjnë fresk me gjethet e palmave. Të tjerë shërbyes dhe shërbyese që presin me përulje tu shërbejnë pije të freskëta të mbushura nga vozat e bodrumeve të mbretërisë së tyre. Dhe këta syresh që japin vetëm urdhra. Urdhërojnë shërbëtorët që t’i marrin me gjithë fron në shpatullat e tyre për t’i shëtitur në rrugët e mbretërisë. Pasi lodhen nga shëtitja duan të rehatohen e pushojnë në vaska me qumësht e të ushqehen me fruta ekzotikë. Pastaj vjen ora e pushimit të drekës, mes rehatisë dhe luksit. Dhe sapo ishin mbështetur në jastëkët e parfumuar me myshk iu përplaset në fytyrë një sapllak ujë shoqëruar me zërin që iu kujton se po afron dreka dhe ende nuk kanë bërë një zhgrap për atë ditë. Hapin sytë dhe ç’të shohin. Rreth e rrotull as fron, as shërbyes, as shërbyese, as fruta ekzotikë, as vaska me qumësht, as freski me gjethe palmash dhe as pushime në dhoma të parfumuara me myshk.

\r\n\r\n

Një sapllak ujë fytyrës dhe menjëherë zbret nga bota ëndërrimtare për të ardhmen e pasigurt, në realitetin që të rrethon. Gjërat më normale për një jetë normale. Në mos në shumë raste gjërat më minimale për të jetuar. Të ëndërrosh mirë bën. Por kur këto ëndrra të këtij lloji i kthen në qëllimin e jetës tënde për atë pjesë të jetës ku ti as e di se çfarë të pret mirë nuk bën.  Vetëm se shqetësohesh më kot dhe dëshpërohesh kur sheh se në ç’kushte jeton. E lodh shpirtin me gjëra të cilat ndoshta nuk vijnë kurrë. Po edhe sikur të vinin a do të ishte shpirti yt i nginjur me paqe?

\r\n\r\n

Pa prit!

\r\n\r\n

-Për çfarë bote po ëndërroje?  Për botën ku sundon materialistikja.

\r\n\r\n

– Po shpirti yt a mund të nginjet me materialistiken? Të zhuritet dhe më shumë po, por të nginjet jo.

\r\n\r\n

Nëse nuk e beson dhe e quan përrallë provo ta jetosh këtë përrallë. Vetëm duke e jetuar realisht do ta kuptosh vërtetësinë e përrallës.

\r\n\r\n

-Por a do të të premtojë koha më pas që të këndellesh nga sapllakja e ujit që ngjall të zhuriturit nga etja dhe u kthen gjallërinë dhe shkëlqimin rinor?

\r\n\r\n

Ja këtë nuk e dimë kurrsesi. E megjithatë shpresojnë për një jetë të gjatë. Për një të ardhme që ende nuk e kanë jetuar realisht, por vetëm në ëndrrat e tyre.

\r\n\r\n

Mungesa e përvojës, mospërballja me realitetin e ashpër i ka rehatuar në shtretërit aromatikë të ëndërrimeve. Jini të brishtë. Skeletin e kini ende të butë. Kockat tuaja janë ende të përkulshme. Muskujt tuaj janë ende të palodhur nga sforcimi. Neuronet tuaja janë ende të lehtë në arsyetim. Sinapset tuaja e qarkullojnë më shpejt sesa duhet informacionin.

\r\n\r\n

Zemrat tuaja nuk kanë vuajtur mjaftueshëm për të thithur nektarin e jetës reale. Zemrat tuaja ende janë duke u qerthulluar në pyjet e ëndrrave që janë lëshuar si hergjele e nuk dinë të ndalen. Zemrat tuaja ende nuk kanë arritur të çajnë shtegun që i nxjerr në lirishtë.

\r\n\r\n

Mos kërkoni ta përshpejtoni të ardhmen tek aktualiteti. Ajo do të vijë gjithsesi. Është duke iu pritur, aty ku u ka pritur gjithmonë. Pret që ju të këndelleni dhe të hidheni në prehrin e agsholit të jetës reale dhe jo asaj të ëndërruar.

\r\n\r\n

E ardhmja edhe pse ende nuk është jetuar është një realitet që gjithsesi do të vijë.

\r\n\r\n

Qëndroni gati sepse është duke ardhur.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-