Opoja.net

Edhe koha është e Allahut

Islame

Çdo gjë është e Allahut. Prej qiejve, në tokë, prej maleve, e deri tek guri më i vogël, çdo gjë që ekziston në këtë gjithësi është pronë e Allahut. Çdo gjë është në pronën e Tij dhe është e Tij. Madje edhe ata që pandehin se zotërojnë diçka, janë pjesë e pronës së Tij. Në gjithësi nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë asnjë qenie që të jetë e përjashtuar nga ky ligj.

Ne kështu besojmë, elhamdulilah! Dhe, për shkak se besojmë në këtë mënyrë, kudo që të shkeli këmba jonë dhe çfarëdo të prekë dora jonë, ne nuk krijojmë iluzione duke pandehur se zotërojmë ndonjë gjë.

Ne marrim mësim prej zhgënjimit të Karunit dhe habitemi me çmendurinë e faraonit. Si mundet dikush t’i kalojë kufijtë e të mendojë gabim në pronën e Allahut!? Përderisa prona është e Allahut, edhe fjala është e Tij. Kjo është më e drejta, themi ne. Ne e kuptojmë se menaxhimi në pronën e Tij, është e drejta jonë vetëm në aspektin e meditimit mbi të. Nëse prona është e Tij, ç’mund të themi ne? Nëse dëshiron dërgon edhe Musa, edhe Ibrahim. Por, nëse dëshiron dërgon edhe faraon, edhe Nemrud. A nuk është e Tij prona? Edhe fjala, edhe ligji janë të Tijat.

E drejta e Allahut është të gjykojë edhe në Mekë, edhe në Jemen. Edhe në veri, edhe në jug. Për Zotin, as perëndimi nuk është perëndim, e as lindja nuk është lindje. E çfarë ndryshimi ka poshtë apo lart për Krijuesin!? Edhe lindja, edhe perëndimi janë Tijat. Ai është pronari i gjithçkaje që ekziston.

Si besimtarë, ne nuk zgjedhim vend për të falur namaz. Të njëjtin namaz që e falim në Meke, mund ta falim edhe në Jemen, në Irak apo në Turqi. Namazi që do të falim si rob për hir të Zotit, është i njëjti në çdo vend. Në çfarëdo pjese të tokës që ta vendosim ballin në sexhde, mund ta falim edhe namazin. Përderisa e gjithë toka është e Allahut, kudo që të falet, namazi është namaz. Kështu është edhe agjërimi, edhe zekati.

Allahu është edhe pronari i të gjitha kohërave, që prej kur ajo është krijuar për herë të parë. Ashtu siç është Allahu Ai që e krijoi periudhën kohore në të cilën ka jetuar babai ynë Ademi (a.s.), Allahu është edhe Ai që do ta krijojë periudhën e kohës në të cilën do të jetojë edhe fëmija i tij i fundit. Pronari i kohës që kanë përdorur dje gjyshërit tanë, është edhe pronari i kohës që po përdorim ne sot. Po ashtu, edhe pronari i kohës që përdorin besimtarët, është i njëjti edhe për kohën që përdorin jobesimtarët. As dallimi midis natës dhe ditës dhe as dallimi midis stinëve, nuk mund të jetë arsyetim i robit para Allahut të Madhëruar. Për robin nuk mund të ketë “kohë të mirë” apo “kohë të keqe”. Kushdo dhe kurdo që të jetë krijuar, do të thotë se edhe robëria e tij ndaj Allahut atëherë është kërkuar. Ashtu siç nuk ka ndonjë dallim në aspektin e vendit të namazit që falet në Mekë, ndërmjet atij që falet në Jemen, ashtu nuk mund të ketë ndonjë dallim edhe ndërmjet kohëve që jetojnë njerëzit, të cilën njeriu mund ta përdorë si arsyetim para Allahut. Kushdo dhe kurdo që të jetë krijuar, edhe jeta e tij, edhe sprova e tij është në atë kohë.

Nuk është e drejtë që njerëzit ta konsiderojnë veten më me fat apo më pa fat se të tjerët që kanë jetuar në të shkuarën apo që do të jetojnë në të ardhmen. Të jetosh në fillim të kohës apo në fund të saj, nuk është as shpëtuese dhe as shkatërruese. Ashtu siç nuk kemi krijuar asgjë, ashtu nuk kemi krijuar as kohën. Madje as që mund ta krijonim. Në cilëndo kohë dhe në cilindo vend që Zoti ynë ka dëshiruar të na krijojë, ai vend dhe ajo kohë është më e përshtatshmja për ne. Ne kështu besojmë dhe me këtë përpiqemi të fitojmë. Në vend që të ëndërrojmë një aventurë se do të ishim apo jo në anije së bashku me Nuhun (a.s.), në kohën e tij, ne duhet të analizojmë veten se a jemi apo jo në anijen e sotme. Kjo kohë, është krijuar për ne. Dhe pronari i kësaj kohe është Allahu. Ai ka dëshiruar dhe e ka krijuar.

Ai na ka krijuar neve dhe kohën, duke dëshiruar të sprovojë devotshmërinë tonë ndaj Tij. As hapësira dhe as koha nuk janë çështje që na përkasin neve. Ajo që na takon neve, është se a e falim namazin në kohën e vet apo jo. Ndërsa vendi ku e falim, nuk është një hollësi që duhet analizuar shumë nga ne. Ai që është krijuar në shkretëtirë, në shkretëtirë do ta falë, ndërsa ai që është krijuar në qytet, në qytet do ta falë. Ata që janë krijuar dje, do ta falnin dje. Ndërsa ata që janë krijuar sot, do të bien në sexhde sot. Ne jemi robërit e të sotshmes. Sprova e sotme, është sprova jonë. Ne jemi robërit e të njëjtit Zot. Jemi njerëzit e të njëjtit besim. Shpresojmë për të njëjtin Xhenet. Allahu është pronari i gjithësisë dhe i kohës. Ndërsa ne jemi robërit e Tij të së djeshmes, të sotmes dhe të nesërmes.

Mos i humb

Kujtimet e një djali për nënën tij, mësim i artë për shumë djemë të tjerë

Opoja.net

Allahu na tregon rrugën e lumturisë, por ne duhet të ecim në të

Opoja.net

Bëhuni bamirës, edhe nëse njerëzit nuk ua kthejnë me bamirësi

Opoja.net

Nuk do të hyj në Xhennet bartësi i fjalëve të huaja (nemmami)

Opoja.net

Ç’të mbjellësh, do të korrësh

Opoja.net

Gruaja, një mirësi e madhe për të thënë saherë “elhamdulilah”

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net