Familja shtatë anëtarëshe Gërdellaj nga Rrenci i Dragashit në rrezik nga të ftohtit dhe myku

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Lajme Opoja

A ka kuptim Liria e Kosovës, nëse pesë fëmijë të familjes Gërdellaj nga fshati Rrenc i Komunës së Dragashit, në një objekt pa kushte banimi vdesin nga të ftohtit dhe myku.

Familja shtatë anëtarëshe Gerdellaj nga fshati Rrenc i Komunës së Dragashit, thërret ndërgjegjen e shoqërisë së Kosovës.

Pesë fëmijë të kësaj familjeje të njomë secili më i bukur se tjetri, janë në rrezik nga të ftohtit e dimrit, i cili në këtë fshat të Dragashit malor është i ashpër.

Kjo familje jeton në një dhomë ku depërton uji, nga lartë e nga poshtë në kushte të një mjerimi të skajshëm dhe të papërshkrueshëm me fjalë.

Myku është armiku që se mund dot kjo familje. Myku helmues është armiku më i madh për shëndetin e fëmijëve, por edhe të prindërve të tyre. Mykun e ndihmon edhe i ftohti dhe të mëdhenjtë e të vegjlit janë dorëzuar e pranvera është shumë larg, sepse dimri sa ka filluar.

Në këtë luftë me mjerimin e banimit, buka e përditshme, sfidë e pakapërcyeshme. Edhe bukë kanë nëse i ndihmon ndonjë zemërgjerë.

Një vajzë e kësaj familje është sëmurë. Mjeku e ka vizituar fëmijën por familja s’ka para për të blerë ilaçe.

Dhe pyetja që shtrohet përpara pamjeve nga të cilat burojnë këto fjali është: A ka kuptim Liria e Kosovës, nëse pesë fëmijë rrezikohen nga të ftohtit dhe myku.

fshati-rrenc-familja-aa

Agron Gërdellaj thotë për Gaaetaere, se ka kërkuar punë në shumë adresa por s’ka, ka kërkuar edhe ndihmë por thotë ai “s’ka as ndihmë nga askush”.

Ka kërkuar edhe strehë për vete e fëmijët, por s’ka. Familja Gërdellaj jeton në një objekt të pabanueshëm. Për dhjetë vjet sa jetojnë në këtë objekt, kushtet po bëhen gjithnjë e më të vështira. Objekti në kushtet aktuale është i pabanueshëm, dhe në rrezik real për jetën janë pesë fëmijë dhe dy prindërit e tyre.

Nëna e pesë fëmijëve Elifja, me vajë ndër buzë thotë “Jetojmë në kështu siç po na shihni. Kjo vajza është e sëmurë, mjeku më ka thënë me dërgu me operu në Prizren, e unë s’kam as ilaçet me ia ble”. Qan nëna Elife, sepse shpirti i dhemb.

“Vështirë e kam shumë vështirë. Uji na depërton nga lart sepse kulmi se mban ujin ndërsa nga poshtë rrjedhin bunaret. E pastroj cdo ditë po myku kthehet menjëherë. Krejt vllagë është dhoma. Kemi dalë me Agronin, kemi kërkuar ndihmë kahmos e s’na ndihmon askush. Na thonë hajt së bëhet mirë, hajt se bëhet mirë, që dhjet vjet…” flet me vështirësi Elifja.

rrenc1-familja

“S’kemi nga të ia mbajmë” thanë në fund Elifja dhe Agroni, dhe kjo s’kemi kah të ia mbajmë duhet të jetë alarm për shoqërinë e Kosovës, për shtetin e Kosovës, sepse fjalia “s’kemi nga të ia mbajmë” duke e parë gjendjen në të cilën jeton kjo familje do të thotë se i janë dorëzuar mykut dhe të ftohtit. I janë dorëzuar dhe kërkojnë ndihmë, duke trokitur në ndërgjegjen tonë, si individë e si shoqëri.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-