Flora & Fauna

Flora & Fauna

Fauna e Opojës

Shumllojshmëria e florës së bashku me faktorët klimatik, gjeologjik, pedagogjik, etj., kanë kushtëzuar një botë shumë të pasur e të larmishme të faunës. Duke mos pasur pretendime se do të mund të evitojmë të gjitha llojet, do të mundohemi t’i prezantojmë pjesën më kryesore të faunës.

Deltari Ilir ose Qeni i Sharrit është qen autokton në Trojet Shqiptare, në Ilirinë antike Ky qen njihet prej shumë kohësh, për të mësohet ne Histori te Ilirisë dhe njihet me emrin Qeni Dardan. Deltari ilir është plot fuqi, i madh, këndrejt, qimegjatë, deltarë i pazëvendësueshëm, dhe ruajtës i mirë. I fuqishëm me pamje impozante, me kokë masive ndërtim të thukët, me këmbë të fuqishme dhe muskulore. Ka shikim të zjarrtë inteligjent dhe është i guximshëm. Ka karakter të padjallëzuar është i ashpër kur e kërkon nevoja por jo agresiv. TRUPI: Lartësia: te mashkujt – 67-78 cm ndërsa te bushtrat – 62-70 cm Pesha: te meshkujt – 40-60 kg ndërsa te bushtrat – 30-50 kg Tek qentë mbi 50 % të ekzemplarëve dominon lartësia 70 cm ndërsa te bushtrat 66cm. KOKA: Gjatësia e kokës te qentë është 27-32cm mesatarisht 30cm ndërsa te bushtrat 24-29 cm mesatarisht 27 cm. Proporcioni kafkë-turi, te qentë 17,4cm : 12,6 cm te bushtrat 15,3 cm : 11,7 cm, raporti 60:40 turiri përbën 2/5 e kokës kurse kafka 3/5 te qentë ndërsa 5/9 te bushtrat. NGJYRA: Te Deltari ilir kemi disa varietete të ngjyrave ku sipas përqindjes dominojnë: Ngjyra Vidra apo Tigër me 30 %, ngjyrë Hiri me të gjitha varietetet 20 %, ngjyrë e Verdhë me turi të zi 20 %, ngjyrë e Bardhë 20 %, dhe Kontra maska 10 %. QIMJA: e gjatë

Nga grupi i bishave në Opojë jetojnë :
  • Luqerbulli, Macja e egër, Ujku, Dhelpra, Shqarthi, Bukla, Vjedulla, Vidra, Ariu i murrmë, Derri i egër, etj.

Nga grupi i kaprojve në Opojë jetojnë:

  • Kaprolli dhe Dhia e egër.

Prej brejtësve në Opojë jetojnë:

  • Lepuri, Miu shtëpiak, Ketri, Vidheza, Miu i malit dhe Miu i fushës.

Nga grupi i insektengrënësve në Opojë jetojnë:

  • Iriqi dhe Urithi.

Prej zvarranikëve në Opojë jetojnë:

  • Breshka, Hardhuca, Hardhuca e murit dhe hardhuca ngjyrë hiri.

Nga grupi i rrëshqitësve në Opojë jetojnë:

  • Laroshi, Bollujca dhe Shlliga (i cili është një lloj i gjarprit kërcyes).

Prej bretkosave në Opojë jetojnë:

  • Zhaba, Bretkosa e gjelbër, Bretkosa e shiut (Çapini i shiut), Gargaliqi (është një lloj i bretkose së vogël).

Malet e Sharrit brenda vitit i vizitojnë apo në të jetojnë mbi 200 lloj zogjsh. Shumllojshmëria, zëri dhe ngjyrat e tyre, këtij nënqielli ia dhurojnë një kolorit të bukur atraktiv. Në Opojë jetojnë apo atë e vizitojnë këto lloje të zogjve: Kaçubeti i kuq, i cili është mjaft endacak, Kaçubeti i zi, Shqipja, Shqipja e maleve, Shqipja patullake, Shkaba kokëbardhë, Hutini (Huti), Petriti apo Gjeraqina, Krahëthata, Krahëthata gishtëshkurtër, Skifteri, Thëllëza (në Opojë e quajnë Fullazë) dhe disa lloje të pëllumbave si Turreci, Qyqja, Qukapiku, Lauresha, apo Çerdhukulli, Dallëndyshja, Çika e malit, Cika e bjeshkës e cila zakonisht ulet në gurë të thepisur e hasim në lartësinë 2000 m, Laraska, Sqepholla, Sqepëholla kokëzezë, Cicami, Mizangrënjsa e përhimët, Mizangrenjësa laroshe, Mizangrenjësa qafëbardhë, Mizangrenjësa e vogël, Bardhoshja, Bishtkuqja e zezë, e hasim vetëm në lartësi, Gushëkuqi që është zogu më simpatik, Bilbili i vogël i cili në Opojë vjen në Prill, këngët e tija dëgjohen në Maj dhe në Qershor, Mullizeza, Trecka bishtgjatë, Trecka e përhimët malore, Fraga, Kryeartëza, Gjelbëroshja, Gushëkuqi i cili këndon bukur, Sqeptrashi, Verdhoshja, Sqepkuqi, Trumcaku (Harabeli), Laraska, Stërqoku sqepkuq, Korbi, Sorra e përhimët, etj.

Lejleku është vizitor i rrallë i Opojës i cili paraqitet një kohë të shkurtër gjatë verës.[divider]

Flora e Opojës

Dimrat e gjatë, sasia e madhe e borës, ngricat e vonshme pranverore dhe të hershme vjeshtore, kanë ndikuar në shkurtimin e periudhës së vegjetacionit. Morfologjia e terrenit, përbërja gjeografike dhe pedologjike kanë mundësuar një florë mjaftë të pasur dhe të larmishme. Nga mbulesa e vegjetacionit në Opojës veçohen tri grupe; vegjetacioni i pyjeve, livadhet dhe kullosat dhe vegjetacioni antropogjen. Kur shikohet në tërësi peizazhi i Opojës, duket qartë se si sipërfaqet e gjelbërta dominojnë ndaj sipërfaqeve pyjore dhe që janë shqetësuese për kushtet natyrore të që ka kjo krahinë e lartë malore.

Verri i Zi – Ky dru është lloji më i përhapur në fushëgropën e Opojës, në veçanti në pjesën e saj të ulët dhe përgjatë rrjedhave lumore. Shpeshherë krijon bashkësi me Dushkun, me lloje të ndryshme të Shelgut dhe Frashrit të Bardhë.

Verri i Zi në të kaluarën shfrytëzohej në ndërtimtari kurse koret e tij përdoreshin për ngjyrosje të leshit dhe zhgunit. Sot kryesisht shfrytëzohet si lëndë djegëse dhe rrallëherë në ndërtimtari. Na bashkësinë e verrit të zi, aty këtu i gjejmë edhe shkurret, ndërsa në përdhes bimët higrofite. Këto janë lloje që durojnë edhe kur sipërfaqja e tokës përmbyset nga uji.

Pyjet e Ahut (Ahishtat) – Kufiri i poshtëm i ahishtave fillon nga bashkësia e verrit të zi dhe kufiri i epërm te pyjet e pishave në Koritnik dhe te zona e kullosave në Sharr. Ahishtat janë zhvilluar nëpër vende mesofite, kryesisht në shpatat e ekspozuara veriore. Ahishtat me disa shkëputje janë të përhapura rreth e përqark Fushëgropës së Opojës, fillojnë në Koritnik (Pikëllima) vazhdojnë në Malin e Brrutit, në Malin e Zgatarit, në Rrihna dhe Ponikun e Bla=it e mbulojnë një pjesë të madhe të Bjeshkës së Zaplluxhës, një pjesë të Bjeshkës së Bla=it, e cila edhe quhet Ahishte, një pjesë e Bjeshkës së Bresanës që quhet Mali i Madh, një pjesë e Bjeshkës së Kuklibegut (Mali i Begut), me ndërprerje paraqiten në Kosavë, Kapre, Rrencë dhe Xërxe. Në ahishte hasim edhe lloje tjera drurësh; lajthinë, mështeknën, dushkun, thanën, shkozën, dëllinjën, pojën, vidhin, plepin e egër, etj.

Ahu është shfrytëzuar dhe aktualisht shfrytëzohet si lëndë djegëse, rrallë herë edhe në ndërtimtari.

Pyjet e Pishave – Shtrihet ndërmjet pyjeve gjetherënëse dhe kullosave. Sipërfaqja më të mëdha dhe më cilësore shtrihen në lartësinë 2000 m, që nuk do të thotë se nuk ka edhe nën këtë lartësi. Kryesisht i gjejmë në Koritnik, ku baza pedologjike është gëlqerore. Në këto pyje takohen dy familje Pinaceae; pisha e zezë, pisha e bardhë dhe me bredhin apo çamin dhe familja Polypoaceae; fieri i ëmbël dhe fierin e blertë. Këto pyje kryesisht përdoren për ndërtimtari.

Livadhet & Kullosat – Vegjetacioni i gjelbër në Opojë shtrihet në zonën termofile të dushkut dhe në zonë e pyjeve të ahut. Kullosat e pastra shtrihen nga kufiri i lartë i pyjeve deri në majat më të larta të Maleve të Sharrit. Në livadhet e zonës termofile të dushkut i hasim dy bashkësi të bimëve Chrysopogonetum Grylli; ka areal të gjerë si në Mesdhe, Turqi, Azi, Kaukaz, Iran, Indi, Australi, etj. Në Opojë e gjejmë në shpate të nxehta të ekspozuara jugut, jug-lindjes dhe rrallë dhe jug-perëndimit dhe familja Agrostidetum Vulgaris-Albea; është e përhapur në lëndina të cilat po shndërrohen në kullosa dhe livadhe.

Në florën e pasur të Opojës ka shumë bimë mjekuese dhe aromatike e ushqimore rreth të cilave nuk është bërë ndonjë kërkim i mirëfilltë shkencor. Kërkimet që janë bërë në vitet 1957, 1959 dhe 1993/94 lidhur me bimët mjekuese nga ekipet e Beogradit kryesisht janë përqendruar në territorin e Gorës. Megjithatë në Opojë, si bimë mjekuese në zonën e shkurreve hasim sherbelën, murrizin, hithin, manaferrën mëllagën, shtogun, mullëzën, bishtmithin, dëllinjën, trëndafilin e egër, qershizën (boronicën), etj.

Send this to a friend