Gjeografia

Gjeografia

Opoja ka nje qytezë dhe 18 fshatra, kufizohet më territorin e Prizrenit në veri, në veriperëndim me Zhurin, në lindje me Lezin dhe Struxhen, në juglindje më territorin e Maqedonisë, në perëndim më territorin e Krahinës së Gorës. Është trevë fushore e rrethuar me male. Fundi i fushës fillon rreth 800 m dhe ngritët deri në 1300 m. Vendbanimet shtrihen kryesisht në skajet e fushës, por ka edhe në mesin e saj. Ka klimë malore, rrethohet nga izoterma vjetore 8-10 °C, me reshje mbi 1000 mm. Në fizionominë e fushës mbizotërojnë arat me drithëra : thekër, tërshërë, grurë, misër, patate, livadhe, kullota dhe pyje (ahu, dhusku, etj).

Opoja është njëra nga tërësitë territoriale malore të Dukagjinit. Depërton thellë në brigjet e Koritnikut dhe Sharrit dhe shtrihet në tërë ujëmbledhësin e Lumit të Opojës ku bashkë më Gorën përfshinë skajin jugor të Dukagjinit ose shkajin jug-perëndimor të Kosovës.

Opoja gjindet ndërmjet Gorës, Prizrenit dhe Malësisë së Tetovës. Territori i Opojës shtrihet në gjerësinë gjeografike 42º 00′ 18″ N dhe 42º 09′ 04″ N dhe në gjatësinë gjeografike 20º 36′ 17″ E dhe 20º 47′ 40″ E. Opoja është fushëgropë malore me lartësi mesatare mbidetare 1380 m e cila në krahasim me Gorën që është shumë më e ulët se lartësia mesatare e saj prej 1704 m.

Si krahinë malore, kompleksi i saj natyror ndryshon dukshëm me kompleksin fushor të Dukagjinit. Prandaj është me interes shkencor që kjo krahinë në veçanti pjesa e saj fizike-gjeografike të studiohet në kuadër të kompleksit të pjesës perëndimore dhe veri-perëndimore të Sharrit.

Kufiri i Opojës është natyror nga se pjesa dërmuese e tij kalon ujëndarës, kreshtave malore dhe rrjedhave lumore. Territori i Opojës nga jug-perëndimi kufizohet me Gorën, nga veri-perëndimi me Vërrinin e Prizrenit, nga veri-lindja me Seckën dhe nga lindja me Malësinë e Tetovës. I gjithë kufiri është malor përveç me Gorën që është malor-lumor. Nga aspekti teknik, përveç atij me Gorën që është i pastër etikisht, pjesa tjetër është kufi ndërmjet shqiptarëve.

Kufiri veri-perëndimor kalon nëpër Koritnik, prenë Qafën e Trokonit, vazhdon kodrinave që formojnë ujëndarësin e Lumit të Opojës dhe Lumit të Prizrenit nëpër kuotën 974 m. Ky kufi njëherësh ndanë Fushëgropën e Opojës me anë të Prizrenit. Kufiri veri-lindor kalon nëpër kuotën 1542 m mbi Zaplluxhe, duke vazhduar nëpër ujëndarës të Lumit të Opojës dhe Lumit të Prizrenit, prenë Qafën e Presllopit dhe vazhdon deri te Guri i Zi (1779 m). Pjesa e kufirit nga Guri i Zi deri te Maja Karanikollë, shkëput një pjesë të pellgut të Lumit të Manastrecit me sipërfaqe prej 1,99 km², d. m. th. vetëm këtu një pjesë e territorit të Opojës futet në ujëmledhësin e Lumit të Prizrenit.

Kufiri lindor fillon nga Maja Karanikollë dhe vazhdon nëpër kurorat malore të Sharrit. Ky kufi ndanë Opojën me rrethinën e Tetovës. Kufiri jugor lëshohet shpateve të Sharrit, duke vazhduar nëpër Lumin e Radeshës dhe duke shkëputur një pjesë të Qytezës së Dragashit (Sharrit), prenë luginën e Lumit të Opojës dhe ngjitet në lartësinë e Koritnikut (apo Pikëllima). Gjatësia e përgjithshme e kufirit është 57,7 km. Kufiri me Gorën është 19,5 km, me Prizrenin 17,5 km, me Maqedoninë 14,5 km dhe me Sreckën 7,2 km.

Sipërfaqja e Opojës është 126,4 km², e cila në kuadër të territorit administrativ të Komunës së Dragashit është 434 km² ku merr pjesë me 29 %, kurse në kuadër të Kosovës (10 887 km²) merr pjesë 1,16 %. Pjesa qendrorë është sipërfaqe fushore, ndërsa ajo periferike është sipërfaqe kodrinore-malore. Nga cili do skaj malor që shikohet Opoja, tek vëzhguesi krijohet përshtypja se ky rrafsh në formë të një pyke futet në rrëzën e skajit tjetër malor përballë vëzhguesit. Ky është një fenomen që Opojës ia dhuron epitetin e bukurive të rralla natyrore.

Boshti i gjatë i shtrirjes së Opojës ka drejtim jug-lindje dhe veri-perëndim. Ky bosht bakon Majën Karanikollë me Koritnikun me gjatësi ajrore rreth 17 km, kurse boshti i tërthortë i shrirjes ka gjatësi ajrore rreth 9 km dhe ky bosht bashkon Gurin e Kuq në veri me Zallinën në jug.

Send this to a friend