Opoja.net
Meka Mish

Heqja e vizave, kërkesa e vetme unike e Kosovës në Berlin

Takimi i Berlinit, në të cilin, më 29 prill, do të mblidhen liderët e Ballkanit Perëndimor dhe ku nikoqir do të jenë kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emanuel Macron, për liderët institucional të Kosovës do të jetë rast për të shtruar çështjet me interes për vendin që drejtojnë, përfshirë këtu çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Se çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të shtrohet në takimin e Berlinit, këtë e kanë konfirmuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Presidenti Thaçi, në një shkrim në rrjetin social Facebook, ditën e mërkurë, ka theksuar se bazuar në konsultat që ka zhvilluar “nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi” dhe se “nuk ka agjendë të fshehtë prapa këtij takimi”.

Por, ai ka shtuar se “për Kosovën do të ishte tepër dëshpëruese në rast se edhe në këtë takim, Franca dhe Gjermania, dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin për liberalizimin e vizave” për qytetarët e Kosovës.

Njohësit e zhvillimeve politike, thonë se çështja e liberalizimit të vizave, tashmë është vetëm çështje e vendimit politik të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Po ashtu, sipas tyre, edhe ngecja e dialogut Kosovë-Serbi, është kryekëput çështje politike.

Analisti Artan Muahxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që pas dritës së gjelbër nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian që Kosovës t’i hiqen vizat, ky proces është komplikuar dhe tashmë është shndërruar në adut politik dhe realizimi i tij varet nga interesat politike të vendeve të BE-së.

“Me vet faktin që Kosova, zyrtarisht, i ka plotësuar të gjitha kriteret, atëherë kjo gjë tani hyn në domenin e të paparashikuarës, sepse nuk është më një test i cili mund të evidentohet, për sa i përket realizimit apo jo të detyrave dhe obligimeve. Mirëpo,është vetëm akt politik, i cili do të merret në bazë të interesave të faktorëve të rëndësishëm brenda BE-së”, theksoi Muhaxhiri.

Taulant Kryeziu, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë për Radion Evropa e Lirë që vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën mbetet vendim politik dhe bazohet në disa adresime që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, bazuar në dinamikën e tanishme nuk shihet se ekziston aktualisht ndonjë moment nga vendet e mëdha të Bashkimit Evropian se mund të ketë ndonjë vendim për vizat, përveç nëse ai ndërlidhet me dialogun Kosovë-Serbi..

“Kjo është në duart e anëtarëve të Bashkimit Evropian. Pra, kur të krijohet momentumi i tyre i brendshëm dhe kur këto institucionet tona do t’i bindin që janë të gatshme që të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Tash, a është ose nuk është ky proces i vizave i lidhur me dialogun (Kosovë-Serbi), është çështje e cila edhe mund të jetë, për arsye se është çështje e madhe politike”.

“Në qoftë se Gjermania ka interes që procesi i dialogut të fillojë shpejt dhe që taksa (prej 100 për qind, e Qeverisë së Kosovës për mallrat e Serbisë) të tërhiqet, atëherë kundërvlera që mund të ofrojë Gjermania është që të shtyjë më shpejtë agjendën e vizave”, theksoi Kryeziu.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka thënë se e konsideron shumë të rëndësishëm takimin e Berlinit, për shkak se sipas tij, Kosova është e interesuar për liberalizimin e vizave dhe ka shfaqur shpresën që të hapet kjo temë.

“Jemi me 29 prill në Berlin. Ajo është një mundësi reale që të ecet përpara me situatën e liberalizimit të vizave. Tash, ne, me idenë e do poenëve të caktuar ose disa situatave të caktuara, qofshin politike, qofshin tjera, duhet të bëjmë një kujdes dhe ta realizojmë qëllimin, që e kemi qe 20 vjet, që njerëzit tanë të me qenë njerëz të lirë”, ka thënë Haradinaj.

Megjithatë, kryeministri Haradinaj nuk ka dhënë më shumë sqarime se cilët janë ata poenë apo situata të caktuara politike ose të tjera, përmes të cilave synohet të realizohet një vendim i vendeve të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Analisti Muhaxhiri shpreh mendimin se nga BE-ja mund të pritet çdo lloj oferte në raport me liberalizimin e vizave, por edhe ndryshime të politikës vendimmarrëse në Kosovë.

“Pasiqë liberalizimi i vizave është shndërruar në një kartë politike, atëherë është e mundur që në bazë të interesave edhe të fuqive të mëdha, posaçërisht të Gjermanisë në raport me përfundimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të shfrytëzohet si një nxitje për klasën politike të Kosovës, për Qeverinë e Kosovës që ta largojë taksën, si kundërshpërblim për liberalizimin e vizave”,theksoi Muhaxhiri.

Por, Kryeziu vlerëson se mundësia e një oferte të tillë nga BE-ja për Kosovën, ndonëse nuk përjashtohet, tash për tash, ngelet vetëm në suazat e analizave të situatave të mundshme.

“Në qoftë se Gjermania dhe Franca kanë vullnet, atëherë qytetarëve të Kosovës mund t’iu mundësohet lëvizja e lirë në zonën Schengen. Në qoftë se shefat e qeverive të këtyre dy vendeve e marrin këtë proces, pra – në kuadër të një analize – në qoftë se këto vende anëtare këtë gjë e kushtëzojnë me rifillimin e dialogut, që nënkupton tërheqjen e taksës dhe pastaj kryeministri i Kosovës e luan, ta quajmë ‘këtë lojë’ që tërheqja e taksës të përdoret si mundësi që të fitohet procesi i liberalizimit të vizave, është diçka që mbetet të shihet. Kjo për arsye se është në suazat e një analize dhe nuk e dimë saktësisht”, theksoi Kryeziu.

Sidoqoftë, presidenti Thaçi, në shkrimin e tij në Facebok, ka thënë se Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë. Duke shfaqur pritjet e tij për mundësinë që në takimin e Berlinit të harmonizohen qëndrimet e Gjermanisë dhe Francës për liberalizimin e vizave për Kosovën, ai ka theksuar se “të flasësh për perspektivën evropiane të Kosovës, qoftë edhe në mënyrë vetëm retorike, është më tepër se hipokrizi”.

KG 1

Mos i humb

Arrestohet serbi i dyshuar për vrasjen e civilëve gjatë luftës në Lipjan

Opoja.net

“Presidenti do ta mbyllë marrëveshjen finale me Serbinë”

Opoja.net

Çfarë e pret Ramush Haradinajn?

Opoja.net

Komandanti i NATO-s për Evropë: Dialogu Kosovë-Serbi, garanci për stabilitet

Opoja.net

Pika kufitare Restelicë-Strezomir e hapur nga sot

Opoja.net

Edhe Jakup Krasniqi ftohet nga Specialja në Hagë

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net