Ilmi Batjari: Atdhetari i flakët

Opoja.net Opoja.net Opoja Personazhe
Ilmi Baftjari dëshmor i kombit lindi më 2.02.1965 në fshatin Blaç, komuna e Sharrit. Ai ishte i biri i Ismailit, dhe Barije Lekaj. Ilmiu kishte pesë vëllezër: Nuriun, Fadilin, Samiun, Ylkiun dhe Shpëtimin.Shkollën fillore e kreu në Blaç ndërsa mësuesi i parë ishte Haki Destani. Shkollën e mesme, vitin e parë e mbaroi në Bresanë, ndërkaq vitin e dytë e filloi në Bresanë, por nuk arriti ta kryejë, për shkak të veprimtarisë patriotike atdhetare, sepse u përjashtua nga shkolla të cilën e vazhdoi dhe e mbaroi në Prizren.Qysh i ri, e provoi dhunën e regjimitShkollimin e vazhdoi në Prizren, në ish-gjimnazin “Jovanka R. Kica”. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm. Tregojnë se në një rast kur kishte munguar profesori i lëndës së marksizmit, Ilmiu del para nxënësve dhe iu mban atyre një fjalim politik të karakterit kombëtar, lidhur me padrejtësitë që po i bëheshin popullit shqiptar në ish- Jugosllavi, dhe po në atë fjalim kishte mbrojtur idenë për bashkimin e trojeve shqiptare.
Ishte viti 1981. Pas këtij rasti, alarmohet pushteti. Meqenëse ishte i mitur, e dënojnë me 20 ditë burg. Për shkak se ishte përkrahës i demonstratave të vitit 1981, merret vendim që Ilmiu të përjashtohet nga shkolla. Merrej me leximin e librave, sidomos kishte dëshirë të lexonte literaturë historike. Një karakteristikë që e shquante atë ishte ajo e recitimit të bukur.
Ilmiu, ishte shumë komunikues. Ai përgatiste skeçe të ndryshme dhe ishte i hapur në biseda me rrethin, po ashtu ishte i urtë, por ndaj padrejtësive ishte shumë i ashpër. Kishte një shtat me gjatësi trupore deri më 1.70 cm. Vishej me kombinim, e sidomos me kostume të ndryshme rrobash.
Ilmiu ishte i martuar me Suada Shefkiun nga Kuklibegu, me të cilën kishte dy fëmijë: Fluturën 1991, dhe djalin Elbasanin 1993. Ishte shumë i afërt me fëmijët, gjithashtu edhe me vëllezërit e tij. Shërbimin ushtarak e ka kryer në Rijekë. Për një kohë ka qenë në Rumani, pastaj shtat vite në Austri, (prej 1990 – 1996). Kurse dy vitet e fundit të jetës së tij ishte në Zvicër.Veprimtaria politiko – patriotikeIlmiu gjatë qëndrimit në shtetet e perëndimit (Austri dhe Zvicër) ishte angazhuar vazhdimisht për çështjen kombëtare. Kishte marrë pjesë nëpër shumë protesta, që janë bërë anekënd Zvicrës, Austrisë e Gjermanisë e vendeve të tjera. Ndonëse ai nuk ishte angazhuar në veprimtarinë e ndonjë partie politike, çështja kombëtare dhe veprimi për kauzën e tij e obligonte shpirtërisht të ishte në bashkëveprim.
Familja e Ilmiut janë vendës të këtij fshati. Mixha Batjar ka qenë në brigadën e Shaban Palluzhës e Bislim Bajgorës. Njëri nga frymëzuesit e hershëm të Ilmiut ishte RTVSH, pastaj edhe babai i tij, që punonte në Austri, ku nga atje ilegalisht sillte “Zërin e Popullit”, për të cilin ai bënte parapagese të rregullt që nga 1980 e më vonë. Babai i tij rriti dhe edukoi fëmijët me frymëzimin, se vet dashuria për atdheun shuan mallin e etur për lirinë. I lindur në një familje atdhetare, ku dashuria ndaj atdheut sikurse edhe forca e urrejtjes ndaj armikut ishin virtyte të veçanta familjare, tek ky djalosh që herët ishin brumosur e mëkuar idealet liridashëse.
Në demonstratat e vitit 1981, vëllai i tij Fadili, ishte pjesëmarrës i tyre më 3 prill në Prishtinë. Fadili atëbotë, si nxënës në Gjakovë, drejtimi i tekstilit, si pjesëmarrës i demonstratave më 1981, kapet nga sigurimi serbë dhe 7 ditë qëndron në burgun e Pejës, prej nga e lirojnë si i pafajshëm. Pastaj, në Blaç bashkë me Ilmiun dhe disa të tjerë, e formojnë grupin e shokëve, të pagëzuar “SHKËNDIJA”, për shpërndarjen e pankartave. Pas djegies së flamurit jugosllav, më 1981, Fadili në tetor të po atij viti burgoset dhe dënohet me 60 ditë burg.
Më 7 janar 1982, UDB-ja, dhunshëm e dërgon në shërbim ushtarak, ku atje e provokojnë dhe e maltertojnë rëndë. Atje e burgosin sërish në Rjekë për 3 muaj (në paraburgim). Pastaj e lirojnë nga shërbimi. E gjithë kjo ishte bërë për shkak të karakteristikave që cilësoheshin të “këqija” dhe të gjitha këto bëheshin nën etiketën “cilësi të papërshtatshme moralo-politike”, që ia kishin dërguar nga komuna e Dragashit të atëhershëm për të.
Edhe përgjatë viteve 1989 – 1990, Ilmiu ishte aktiv dhe ai ishte dënuar me 60 ditë burg, dënim ky që e ka mbajtur në burgun e Dubravës. Gjithsej ishte tri herë i dënuar me nga 60 ditë.
Gjatë vitit 1981-82, së bashku me vëllain Fadilin, RamadanKoqinajn dhe Ymret Osmanin, bëjnë shpërndarjen e pankartave në Blaç, përgjatë rrugës për Zaplluxhe, dhe në Zgatar. Gjatë kohës kur vëllai i tij, Fadili, ishte në burg, Ilmiu përsëri vazhdonte të shpërndante pankarta.
Edhe vëllai më i madh, Nuriu, ka qenë në burg, pas dasmës së haxhi ArifNuridinit. Arrestimi i Nuriut, është bërë me pretekst, se ai këmbëngulte që flamuri shqiptar të ishte para atij jugosllav, ndërkohë që Ilmiu e kishte djegur flamurin jugosllav. Shtëpia e tij shpeshherë ka qenë e bastisur nga policia e atëhershme, ku në mesin e tyre që bastisnin kishte edhe të atillë, që i thoshin vetes shqiptarë dhe që flisnin shqip.
Tregojnë se policia serbe në një rast e kishin dërguar Ilmiun, në fund të katundit për ta likuiduar, në këtë torturë kishin qenë përsëri edhe disa policë nga Theranda (Suhareka). Mirëpo, në atë moment, ka dalë nëna e Ilmiut dhe ua ka nxjerr nga duart e policisë të birin e saj. Në këtë rast policët kanë gjuajtur dhe e kanë plagosur qenin e Ilmiut.
Në vitin 1984, kur erdhi babai i Ilmiut nga Austria, policia ia konfiskon pasaportën, për t’i bërë presion për shkak të fëmijëve të tij. Në bastisje kanë marrë pjesë komandanti i atëhershëm i policisë dhe shumë policë shqiptarë. I kërkonin armë edhe babës së Ilmiut. I kërcënoheshin se “djemtë nuk po rrinë rahat, po shkruajnë parulla” etj.
Ai, atëherë për ta marrë pasaportën u detyrua t’i jap 2 milionë dinarë, që bënin afërsisht një pendë qe. Bëri madje edhe 18 ditë burg në Prizren, për shkak të fëmijëve. Drejtori i atëhershëm i restorantit të burgut, ja fali tri ditë për të mos e humbur punën në Austri. Për shkak të veprimtarisë politike Ilmiun më vonë e larguan edhe nga fakulteti, ku gjatë një kontrolli policor më 1986 policia e rrah pamëshirshëm. Andaj ai ndodhej në kërkim të vazhdueshëm nga pushtuesit serb dhe sa herë që ata e kërkonin ai strehohej ilegalisht në Shtavë të Blaçit. Ilmiu, është dënuar dy herë nga 15 ditë burg.

Veprimtaria gjatë luftës

Gjatë vitit 1998Ilmiu kishte qenë afro gjashtë muaj në Gllogjan, në radhët e UÇK-së. Gjatë pjesëmarrjes në luftime në Gllogjan, si luftëtar i njësitit me emrin “Shqiponjat e Zeza”, ushtarët ia dhanë pseudonimin “Oçalan”. Por, për shkak të rastit të njohur të Tahir Zemës, i cili dezertoi, me ç ‘rast pothuajse u shpartallua UÇK-ja në atë anë, Ilmiu ishte kthyer sërish në Zvicër.
Lidhur me dezertimin e Tahir Zemës, Ilmiu thoshte se ”në këtë rast ka qenë një tradhti e madhe”. Këtë e ka pohuar kur ishte ilegalisht në janar të vitit 1999. Në këtë rast, policia i bie në gjurmë, e kërkojnë, dhe ai mezi arrin, që ilegalisht të kalojë në Austri.
Në momentin kur nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së u dha kushtrimi për mobilizim, Ilmiu ndonëse ishte aktiv në propagandimin e fondit të luftës “Vendlindja thërret”, ai u kthye sërish në radhët e UÇK-së, ku përmes Italisë erdhi në mënyrë të organizuar. Më 2 prill 1999 duke arritur fillimisht në Durrës dhe më pas shkon në Kolsh, dhe në qendrën stërvitore Papaj. Me vete kishte marrë madje edhe 30.000 DM personale, që i kishte ruajtur në bankë të cilat i dha për luftën.
Këtë nuk e ka folur asnjëherë vetë Ilmiu, sepse ishte modest, por këtë e kanë konfirmuar shokët e tij ushtarë. E shoqja dhe fëmijët me rastin e dëbimit të popullatës së Opojës ishin vendosur në Veshallë të Tetovës.Në një rast kur e viziton i ati në Shqipëri, Ilmiu i thotë: “Si të ke ardhur për të më vizituar mirë, si të ke ardhur për të më bë presion, ma mirë shko në shtëpi, se shkau e ka një djalë dhe e ka dërguar në luftë, për të luftuar për tokën e huaj, e jo ne për tokën tonë”.
Kështu “Oçalani” u bë i njohur për të gjithë. Ai ua mbante moralin të gjithë ushtarëve, duke kënduar e lexuar vargje frymëzuese. Ilmiun e kanë dashur të gjithë ushtarët. Ka qenë i caktuar për ngritje të moralit brenda radhëve të ushtrisë. Tre mijë ushtarë e njihnin dhe e mbanin në gojë emrin e tij. Pasi është mobilizuar në Shqipëri, fillimisht, ka kryer detyrën e truprojës së Hilmi Kodrës. Prej Kolshit kaloi në Kukës, nga Kukësi për ushtrime në Burrel, ku fillimisht ishte vendosur në logjistik dhe së fundi nga logjistika kaloi në front.
Ditën para se të hynte në front afër Kosharës, Ilmiu gjeti një burim uji, të cilin e rregulloi vetë, për ta bërë të përdorshëm edhe për ushtarët tjerë. Shokët e luftës për këtë, këtij burimi ia dhanë emrin “Kroi i Oçalanit”.Bashkëluftëtari i tij, Luan Bytyçi, i njohur me nofkën komandant Luki, rrëfen: “Ishte 5 maji i vitit 1999, kur u njoftova për herë të parë me Ilmi Batjarin, në qendrën për trajnimin e luftëtarëve të lirisë në Burrel. Ilmiu aty punonte si përgjegjës për magazinimin e armëve dhe veshmbathjen e ushtarëve. Aty shkova për t’i kompletuar ushtarët e batalionit, të cilët duhej t’i nisja për në vijën e frontit, në “Betejën e Koshares”.
Me të dëgjuar Ilmiu se unë isha përgjegjës për këta ushtarë, mu drejtua me fjalët: Z. komandant, dëgjova se këta ushtarë janë të parët që do të nisen për në luftë. Unë i thashë: Po, këta janë ata trima që kanë nderin për t’u nisur të parët nga kjo qendër për në vijën e frontit”. Ilmiu pasi dëgjoi këto fjalë më tha: “Të lutem më prit këtu vetëm pak, dhe ju drejtua një personi tjetër duke i thënë se prej tani e tutje ti je përgjegjës për magazinën se unë shkova me këta vëllezër që të luftoj.
Pastaj mu drejtua mua: Ju lutem z. Komandant më merrni edhe mua se unë nuk kam ardhur këtu që t’u shpërndaj rroba ushtarëve, por kam ardhur që të luftojë për lirinë e popullit tim, e lufta bëhet atje ku shkoni ju me këta ushtarë. Ashtu është siç thoni ju, – i thashë, – mirëpo këto gjëra nuk shkojnë ashtu si mendoni ju, sepse edhe këtu kontribuoni mjaft për popullin e Kosovës. Mirëpo, që t’ia ktheja mendjen ishte e pamundur. Ai ishte shumë i vendosur në vendimet e tij.
Më 9 maj 1999, bashkë me luftëtarët e tjerë, Ilmiu kishte dhënë betimin para flamurit, kurse të nesërmen, ishin nisur për në Koshare. “Më 11 maj, arritën në vendin për ku ishin nisur, e ku me padurim i prisnin vëllezërit e tyre. “ Në Rrasë të Koshares, – thotë një bashkëluftëtar i tij ne arritëm natën e 12 majit, aty ka ora 01 pasmesnate. Së pari ushtarët u urdhëruan për pushim, në mënyrë që të nesërmen të vazhdonte puna për rregullimin e vendit të tyre, për strehim. Pas dy ditësh ata arritën t’i kryejnë të gjitha punët, rreth strehimit të tyre. Ishte data 14 maj kur unë i thashë togut të Ilmiut, të drejtuar nga komandanti i togut Afrim Shala, se një skuadër e tyre duhet që sonte të dalin në vijën e frontit për të bërë roje. Ishte i pari Ilmi Batjari me shokët e tij Lulzim Veselin, Muharrem Mehmetin dhe disa tjerë që u lajmëruan vullnetarisht, që të dalin në vijën e parë të frontit për t’u përballuar me armikun.

Rënja për atdhe

Më 15 maj, brigada e tij sulmonte drejtë pozicioneve të ushtrisë serbe. Zhvillohej një luftë e rreptë edhe nga afërsia. Në ato momente fillojnë sulmet e NATO-s, serbët ikin në panik, kurse Ilmiu dhe të tjerët vërsulen drejtë tyre. Në ndërkohë Ilmiu pozicionohet në një ekskavator të armikut dhe fillon të godas me rafalë. Ato çaste aeroplanët e NATO-s, hidhnin predha në objektivat e parapara nga ana e tyre. Ata nuk e kishin llogaritur se “Oçalani” me shokë duke i detyruar forcat serbe të largoheshin nga ato pozicione, tani vetë ndodheshin brenda tyre. Një predhë vdekjeprurëse e godet edhe Ilmiun.
Në çastet para vdekjes Ilmiu ua lë shokëve amanet: “Armën time t’ia jepni djalit dhe kurrë të mos zbrazët”. Në të njëjtën ditë u vranë edhe shokët ushtarë të Ilmiut: Lulzim Veseli e Muharrem Mehmeti, kurse plagosen disa të tjerë”.
Kështu kjo pjesë e territorit të Kosharës, që ishte planifikuar të binte në duart tona, brenda gjashtë ditësh, nga sulmi i rrufeshëm i njësitit të Ilmiut, u muarr brenda gjashtë orësh. Më 14 maj 1999, atë natë mbi territorin e Koshares kanë fluturuar aeroplanët bombardues të Francës. Si duket francezët i kanë pasur koordinatat ca si gabim! Kështu Ilmiu bashkë me shokët e tij ranë dëshmorë, në Rrasë të Kosharës, nga bombardimet e NATO-s.
Babain e Ilmiut për herë të parë, për rënien e tij, e njofton dr. Durak Zyrapi. Ilmiu një ditë pas rënies, më 15 maj 1999, u varros në “Varrezat e Dëshmorëve” në Bajram Curr. Bashkë me të është vrarë edhe ushtari Muhameti nga Pakashtica e Podujevës, pastaj një ushtar i Suharekës etj. Edhe vëllai i Ilmiut, Fadili ishte ushtar në UÇK, në operacionin “Shigjeta”, përmbi Kuzhnin të Hasit, mbi Pashtrik. Kur njësiti i tij arrin në Rogovë të Hasit, pas kapitulimit të forcave serbe, vjen komandanti Bilall Syla dhe i thotë: ”Fadil, duhet të bëhesh i fortë se vëllai të është vrarë. Familjen e ke në Bicaj, shko e merre familjen dhe ktheje në Kosovë”.
Fëmijët e Ilmiut, si të vegjël që ishin, ata për rënien heroike të babait të tyre kanë kuptuar me rastin e rivarrimit në Sharr. Fillimisht Ilmiu është varrosur në qytetin e Bajram Currit. Në ceremonialin e varrimit, me rastin e varrimit familja s’ka ditur për rënien e tij. Pastaj Ilmiun e rivarrosën në Koshare, por familja e tij sërish nuk kish mundur të njoftohet. Familja për rivarrimin e tij është njoftuar përmes shtypit.
Pra, edhe pse janë zhvarrosur të njëjtën ditë me Fetahun, Ilmiun e rivarrosin në Koshare, kurse Fetahun e dërgojnë në morg të Pejës, ku qëndron afërsisht 10 ditë, derisa është bërë rivarrimi i tij në Sharr. Pse njërin e rivarrosën e tjetrin e dërguan në morg të Pejës, kur e kanë ditur se të dy do të rivarrosen në Sharr?! Për këtë, familja e Ilmiut ka bërë edhe një prononcim publik, kundër aktit të rivarrimit, pa pëlqimin dhe paralajmërimin e familjes.
Organizatorët e rivarrimit, pas prononcimit në gazetë, i kanë kërkuar falje familjes së tij. Vëllezërit e Ilmiut: Nuriu punon në Prishtinë në aeroport, kurse Fadili ishte ushtar i TMK-së, Samiu, Ylkiu dhe Shpëtimi punojnë në Austri. Dy të fundit, që 14 vite nuk kanë qenë në shtëpi për shkak të pasigurisë. Ylkiun më herët ka qenë i dënuar në mungesë me katër vite burgu, për mosshkuarje në shërbimin ushtarak jugosllav. Shtëpinë e Ilmiut, në ditën e largimit të popullatës nga Opoja në shenjë hakmarrjeje ia kanë djegur menjëherë policia serbe. Në këtë ekspeditë kanë qenë edhe policët Xhevat Ramadani, Bajrami i Rapçës etj.
Rivarrimi i Ilmiut nga Kosharja, është bërë më 6 shtator 1999, në “Varrezat e Dëshmorëve”, në qytetin e Sharrit, ku morën pjesë mbi 10.000 veta nga Opoja dhe nga vise të ndryshme të trojeve shqiptare gjithandej.

Autor: Bedri Halimi

(Opoja.net)

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-