Ja çfarë ndodhë nëse Bajrami bie në ditën e xhuma

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Sipas hanefinjëve, shafi’injëve dhe malikinjëve, nëse Bajrami bie në ditën e xhuma, atëherë namazi dhe hutbeja e Bajramit nuk mjaftojnë edhe për xhumanë. Juristët kanë lëshuar fetva se këto janë dy urdhëra të ndryshëm dhe nuk mund të kombinohen në asnjë rrethanë. (I’lau’s-Sunen, vol. 8, f. 92)

Sipas hanbelinjëve, konkretisht po përmendim mendimin e Imam Ahmedit, r.h., i cili thotë se namazi i Bajramit mjafton edhe për xhumanë, që këtej, pas namazit të Bajramit, namazi tjetër që muslimani duhet ta falë në ditën e xhuma, është namazi i ikindisë. (Tahtaviu, f. 288). Hadithet që janë përmendur nga Imami në fjalë janë po të njëjtat që hanbelinjët i përdorin për ta mbështetur mendimin e medh’hebit të vet. Përpara se të përgjigjemi rreth këtyre haditheve, ne duhet t’i kuptojmë disa gjëra që kanë shumë rëndësi.

Ekzistojnë katër burime autentike në Fe, prej të cilave mes’elet (rregullat e normat) duhet të vendosen. Këto janë: Kur’ani, Hadithi, Ixhmai (Konsenzusi) dhe Kijasi (Analogjia). Përderisa një mes’ele vendoset përmes njërës nga këto burime, ajo konsiderohet pjesë e Fesë. Nuk është e domosdoshme që një mes’ele të vendoset vetëm përmes Kur’anit dhe Hadithit. Kur’ani dhe Hadithi përmbajnë ligje udhëzuese dhe fundamentale, prej të cilave juristët ekspertë nxjerrin dhe përftojnë mes’ele të ndryshme. Prandaj, nuk është punë për personin e zakonshëm që t’i “shikojë” ajetet kur’anore e hadithet dhe vetë të vijë tek konkluzioni. Kjo punë u takon ekspertëve. Katër imamët e mëdhenj kishin dituri të fuqishme për çdo degë të Fesë, gjë e cila i kualifikoi të nxirrnin mes’ele të ndryshme pas një studimi dhe kërkimi të thellë në Kur’an  dhe Hadith. Kështu që është vaxhib dhe e domosdoshme për ne që t’i pasojmë ata që ta kuptojmë Fenë. Ngjashëm, një person nuk lejohet që t’i pasojë dëshirat e tija duke e pasuar nganjëherë një Imam dhe nganjëherë një Imam tjetër. Është vaxhib që ta pasojmë një Imam (pra, medh’hebin e tij) për të gjitha verdiktet.

Tani që e kuptuam të lartëpërmendurën, subjekti jonë është se “a mjafton namazi i Bajramit për xhumanë”? Ne duhet të kuptojmë atë se obligueshmëria e xhumasë në mënyrë eksplicite është e përmendur dhe e vendosur nga vetë Kur’ani, e Kur’ani është dëshmia më e fuqishme nga të gjitha. Ai që e mohon ndonjë ajet të Kur’anit bëhet kafir (pabesimtar). Në anën tjetër, obligueshmëria e namazit të Bajramit është e provuar dhe e vendosur përmes Hadithit. Ai person që mohon diçka që është vendosur përmes Hadithit nuk bëhet kafir. Duke pasur këtë parasysh, edhe një person me të kuptuar të paktë madje do të jetë në gjendje të vijë tek ky konkluzion i thjeshtë se si mundet diçka që është e provuar nga hadithi të ketë kaq shumë fuqi të pezullojë totalisht diçka që në mënyrë të qartë dhe eksplicite provohet nga Kur’ani? Si ka mundësi që namazi i Bajramit ta abrogojë obligueshmërinë e xhumasë?!

Gjithsesi, ekzistojnë disa hadithe (të përmendura nga Imam Ahmedi, r.h.) të cilat nga shikimi i jashtëm tregojnë se lejohet lënja e xhumasë nëse Bajrami bie të premten. Këto hadithe kanë variacione të lehta, por kanë esencë të ngjashme.  Një shembull, për ta kuptuar këtë mes’ele në mënyrë të duhur, le ta shikojmë këtë transmetim:

“Ebu Hurejre, r.a., transmeton se (të premten, Ditën e Bajramit), Pejgamberi, s.a.v.s., iu drejtua të gjithë sahabëve të tij duke iu thënë: Sot, janë bashkuar dy Festa (Bajrami dhe Xhumaja). Secili që dëshiron nga ju, atëherë, ky namaz (i Bajramit) do t’i mjaftojë për xhumanë. Ne, së shpejti, do të tubohemi sërish, inshaAllah!” (Ibni Maxhe, f. 93)

Së pari, muhaddithinët (ekspertët e Hadithit) kanë përmendur se autenciteti i këtyre transmetimeve është i diskutueshëm. Megjithatë, edhe nëse ne do ta pranonim autencitetin e këtyre transmetimeve, atëherë përgjigjja tjetër është se gjatë kohës së Pejgamberit, s.a.v.s., muslimanë nga vende jashta Medinës, që jetonin në fshatra e katunde, vinin në Medine për ta falur namazin e Bajramit. Këtu theksojmë se sikurse që namazi i Bajramit nuk është vaxhib (i domosdoshëm) për njerëzit që jetojnë jashta qytetit, pra në fshatra e katunde, etj., (kuptohet që nuk kanë xhami e kushte për xhuma – shën. i përkth.), ngjashëm edhe xhumaja nuk është vaxhib për ta. (Tahtaviu, f. 288)

Këta beduinë e të ngjashmit me ta vinin në Medine nga dëshira e tyre, prej gëzimit e lumturisë, ngaqë ishte Bajram. Namazi i Bajramit, siç e dimë, falet pak pas lindjes së diellit në mëngjes. Për këtë arsye, për këta njerëz, muslimanë, ishte vështirë që të rrinin në qytet pas namazit të Bajramit dhe ta prisnin xhumanë. Kjo është mu ajo gjë që në këto transmetime i referohet. Nëse i shikojmë të gjitha këto transmetime, me variacione të lehta, një transmetim tjetër thotë se Pejgamberi, s.a.v.s., tha: “Secili që dëshiron mund ta falë xhumanë dhe secili që dëshiron të kthehet, mund të kthehet.” Pejgamberi, s.a.v.s., iu adresua beduinëve e fshatarëve në këtë rast, ngaqë për ta ishte gjatë e vështirë të prisnin deri në namazin e xhumasë. Meqë xhumaja nuk ishte vaxhib për ta, Pejgamberi, s.a.v.s., u tha se nëse dëshironin të ktheheshin në vendet e tyre, mund ta bënin. Dëshmia se ky ligj vlente vetëm për beduinët është transmetimi i Ebu Hurejrës, r.a., që e përmendëm më lart, pra kur Pejgamberi, s.a.v.s., tha: “Së shpejti do të tubohemi përsëri, inshaAllah.”, d.m.th., Pejgamberi, s.a.v.s., iu adresua njerëzve (banorëve) të Medinës që së shpejti do të tubohemi për namazin e xhumasë. Për këtë arsye, përgjigjja standarde ndaj këtyre transmetimeve është ajo se Pejgamberi, s.a.v.s., dha leje që të mos falet xhumaja nëse Bajrami bie në ditën e premte, por kjo leje ishte vetëm për beduinët e fshatarët, nga shkaku se për ta nuk ishte fare vaxhib xhumaja pikësëpari.  Për ta provuar më tej këtë gjë, le ta shikojmë një transmetim tjetër. Uthmani , r.a., kur ishte halife, iu drejtua njëherë xhematit pas namazit të Bajramit që kishte rënë ditën e premte. Ai u tha: “Secili nga fshatarët që dëshiron të rrijë për Xhuma, mund të rrijë, dhe secili që dëshiron të kthehet (në vendin e tij), atëherë unë i kam dhënë leje.” (Muvetta, f. 165)

Shikojmë në këtë transmetim! Është e qartë si drita e diellit se kjo leje ishte vetëm për fshatarët. Më tej, në këtë transmetim, Uthmani, r.a., e bëri këtë deklaratë përpara një mase të madhe sahabësh, r.a. Nëse kjo leje do të ishte gjenerale dhe përfshinte edhe banorët e qytetit (Medinës), atëherë sahabët, r.a., do ta kundërshtonin Uthmanin, r.a., për deklaratën e tij, se pse u dha leje të veçantë vetëm beduinve e jo edhe banorëve të qytetit. Duke pasur parasysh të lartëshënuarën, si dhe shkurtazi, ne themi se nëse ne i pranojmë këto transmetime si autentike, atëherë gjithashtu duhet ta pranojmë se leja për mosfaljen e namazit të xhumasë dhe mjaftimi vetëm me namazin e Bajramit, ishte vetëm për beduinët e fshatarët, thjesht ngaqë xhumaja për ta nuk ishte vaxhib.

E Allahu i Gjithëdijshëm e di më së miri!

Fetva e kontrolluar dhe e pranuar nga Mufti Ebrahim Desai El-Hanefi, Allahu e ruajttë!

Shqipëroi: Daim Abazi

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-