Je i lodhur, e di

Opoja.net Opoja.net Artikuj

A ka ndonjë punë më fisnike se të lodhurit për hir të Allahut Teala?

Kjo lodhje sublime është më e këndshme se çdo mirësi tjetër.

Kur e them këtë, jam e vendosur në veten time. Kur të shikoj e ndjehem një pjesë prej teje, dëshiroj të jap këshilla dhe në këtë mënyrë shpresoj të pushoj pak me prehjen që të jep të bërët e një pune të mirë.

Në të vërtetë, i lodhshëm nuk është të punuarit, por të qëndruarit pa punuar duke thënë: “Sa shumë punë që kam!” Kujt i ka bërë dobi lodhja e të folurit bosh? Borxhi nuk paguhet duke fjetur, shtëpia nuk ngrihet duke mos punuar dhe rrugët nuk pastrohen vetëm duke i parë. Nëse njeriu dëshiron t’ia dalë mbanë ndonjëje çështje, atëherë duhet të punojë. Jo vetëm hekuri, por edhe njeriu që nuk punon zë ndryshk, sëmuret dhe kaplohet nga halli. Një njeri mund ta konsumojë veten e tij edhe vetëm duke ndenjur pa bërë asnjë gjë. Nevoja që natyrshmëria jonë ndjen për begatinë që vjen me punë nuk është më e pakët se nevoja që ndjen për ujin dhe ushqimin. Siç bëhet i rëndë uji i ndenjur, me kalimin e kohës edhe njeriu rëndohet si fizikisht ashtu edhe materialisht kur ndalon.

Je i lodhur, e di. Atëherë bëj diçka të mirë për veten tënde dhe lëviz.

Po, kjo botë është mjaft e lodhshme. Në njërën anë luftë, zi buke, tragjedi dhe vdekje, ndërsa në anën tjetër papërgjegjshmëri, harxhim i tepërt dhe padrejtësi. Përveç të tjerash, edhe shikimi nga larg i këtyre është tepër lodhës. Brejtja që të jep në shpirt pamundësia për t’ia zgjidhur hallin atij që është në hall dhe për ta ndihmuar atë që është në nevojë, nuk është aspak për t’u nënvlerësuar. Neglizhimi për ta falënderuar Zotin (xh.sh.), siç duhet për rehatinë në të cilën gjendemi ndërkohë që i shohim njerëzit të cilët po përjetojnë vështirësi të mëdha, e lodh tepër zemrën. Kështu është edhe mospranimi i këtyre që po ndodhin, edhe të imagjinuarit e një bote pa luftë, edhe të menduarit se mund ta udhëheqim botën më mirë duke formuar fjali të llojit: “Po të isha unë, do të veproja kështu!”, edhe hedhja e sloganeve si: “Fëmijët të mos vdesin! Askush të mos ngelë pa ushqim!” Ndërsa ajo që të lodh edhe më shumë se të gjitha këto bashkë, padyshim që është të kuptuarit se kjo lodhje nuk është gjë tjetër përveçse diçka boshe.

Je i lodhur, e di. Atëherë mos u mjafto me imagjinatën dhe ankesën, por drejtoju punëve që mund të japin rezultat!

Në të vërtetë, çfarë është jeta përveçse një lodhje që nga lindja e deri në vdekje? A nuk është e lodhshme sipas saj çdo punë duke filluar që nga futja e kafshatës në gojë për ta përtypur e deri te mbartja e një peshe për ta shpjerë diku? Nisur nga fakti se çdo vepër kërkon mund dhe përpjekje, atëherë a nuk është e kotë që të mos e duash lodhjen? Nisur nga kjo, e gjithë çështja është se me çfarë do të lodhemi. E gjithë çështja është që ta dimë se Allahu Teala e bën shkak për faljen e gabimeve të myslimanit çdo lodhje e mundim duke filluar që nga sëmundjet kronike, fatkeqësitë, vështirësitë dhe problemet e deri te ngulja e një gjembi në këmbë. [1]

Je i lodhur, e di. Atëherë dija mirë vlerën vetes dhe falënderoje Zotin (xh.sh.), për lodhjet.

Kur të kesh mundësi dhe dëshirë, fal namaz nafile. Kur të ndjesh lodhje dhe këputje, shtrihu dhe fli.[2] Çdo makinë që ka punuar për orë të tëra, çdo karvan që ka udhëtuar për ditë të tëra dhe çdo tokë që ka dhënë prodhim përgjatë çdo vere, e meriton të pushojë. Nëse edhe ti dëshiron ta dish se ke të drejtë apo jo për të pushuar, atëherë shiko punët që ke bërë, rrugët që i ke kaluar dhe frytet që i ke dhënë. Nganjëherë nuk mund t’i mbarosh punët sado që të lodhesh, nuk mund të përparosh sado që të përpiqesh dhe nuk mund të fitosh sado që të mundohesh. Në situata të tilla vërja veshin ndërgjegjes e cila gjithmonë të tregon më të drejtën. Mos vallë ke punuar dhe je lodhur, por Allahu nuk ta ka vlerësuar? Mos vallë e ke orvatur veten duke pandehur se ke punuar? Prandaj mendo, mos vallë rezultati ka qenë humbje për shkakun tënd? Nëse fajin për dështimin tënd ia vë Allahut dhe robërve dhe nëse përgjegjësitë i kërkon gjithmonë te të tjerët në vend se të shohësh dhe t’i rregullosh mangësitë e kusuret e tua, asnjëherë nuk mund të pushosh.

Je i lodhur, e di. Atëherë shikoji me nënshtrim ndaj Zotit (xh.sh.), ato që kanë ndodhur dhe ato që nuk kanë ndodhur.

Me të vërtetë, vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtosh edhe nga lodhja prej ngjarjeve dëshpëruese që ndodhin në këtë botë. Atëherë jepja hakun nefsit tënd. Haku i nefsit nuk është që ta lodhësh me ankime e mëkate, por me vepra të mira. Vërja veshin dhe dëgjoje, përse po të dhemb kurrizi? Nganjëherë kthehu dhe shiko, përse të ka plasur koka? Cili është shkaku i lodhjes së dorës, krahut, këmbës, zemrës, gjuhës dhe trurit? Pyeti një herë, në mënyrë që edhe ata të të përgjigjen. Nëse gjymtyrët i ke lodhur për punë boshe e të padobishme, qetësoji ato me namazin e pendimit. Nëse i ke lodhur me punë të mira e të dobishme, qetësoji me namazin e falënderimit.

Je i lodhur, e di. Atëherë mbaje kokën në sexhde me një frikërespekt më të madh ndaj Allahut Teala.

Pastaj mos u ndal. Puno për ta vlerësuar sa më mirë kohën tënde e cila në të vërtetë është shumë e kufizuar. Mësohu të veprosh me çdo gjymtyrë tënden brenda kornizës së Kuranit dhe Sunetit. Kur të vish në një gjendje që të të jenë konsumuar të gjitha fuqitë, përqafo mirësinë të quajtur gjumë. Bëje me nijet të mirë, në mënyrë që edhe gjumi të të bëhet ibadet. Lodhjen ta heq edhe një bisedë miku, një vizitë e të afërmit dhe një soditje e qiellit. Siç e di, edhe ushqyerja e të varfrit, veshja e jetimit të shpëton nga lodhja. Për dikë që është lodhur në vepra të mira, një pjatë supë, një filxhan kafe, një gotë qumësht është edhe shërim, edhe e drejtë e tij.

Je i lodhur, e di. Atëherë dhuroji vetes dhe të tjerëve.

Nëse i kushton rëndësi çdo lajmi që të intereson e që nuk të intereson dhe çdo problemi që mund ta zgjidhesh e që nuk mund ta zgjidhësh dot, do t’i shtosh edhe më shumë lodhjet. Në vend që të veprosh kështu, të nënshtruarit ndaj më të fuqishmit duke e pranuar dobësinë, të jetuarit me një këndvështrim me real duke u dhënë më shumë ndaj detyrave bazë, të pranuarit se nuk mund t’i ndihmosh të gjithë dhe të pranuarit se nuk mund ta arrish çdo gjë në çdo vend, do të të ndihmonte për tu mbrojtur që të mos biesh në lodhje të panevojshme. Njeriu shpesh herë e konsumon energjinë e tij duke u dëshpëruar ngaqë nuk i ndihmon njerëzit në vendet ku nuk i arrin dot. Për shkak të kësaj, privohet edhe nga mirësitë që mund t’ua bëjë njerëzve që janë në vende ku mund t’i arrijë. Siç e kupton edhe vetë, kjo është në kundërshtim edhe me mendjen, edhe me ndërgjegjen. Mbi të gjitha është edhe dëshmimi apo zhytja në mëkate. Kjo ndoshta është lodhja më rraskapitëse.

Je i lodhur, e di. Atëherë mbroji sytë, pendohu shumë dhe ji realist.

Në të vërtetë, njeriu çuditërisht gjithmonë është i prirë për t’u lodhur. Njeriu lodhet duke lexuar libra, duke falur namaz, duke bërë pastrimin, duke fituar para, duke mbartur ngarkesë, duke fjetur, duke ndenjur, duke ecur dhe duke vrapuar. Kjo është një gjendje e çuditshme, por ja që për njeriun është lodhje edhe ta përgatisë ushqimin dhe ta hajë atë ushqim që ka përgatitur. Kështu është edhe të shkruarit, të thururit, të ndërtuarit e murit, të gatuarit e ushqimit, të qepurit e rrobave, të bërët e llogarive, të folurit, të heshturit, etj… Njeriu lodhet kur pret për të përfunduar një punë, kur pret për të ardhur dikush, kur nuk dashuron dot dhe kur nuk mund të falë dot. Përfundimisht, të qenët në këtë jetë është një veprim i lodhshëm në këtë apo atë lloj mënyre. Ndërsa gjëja që e bën atë të lodhet më pak është përpjekja për të jetuar sipas kënaqësisë së Allahut të Madhëruar. Në këtë mënyrë, lodhja bëhet e këndshme dhe fisnike.

Je i lodhur, e di. Atëherë duaj, bëji të tjerët të të duan dhe mëso të falësh.

Kur të të lodhet zemra, vër në punë trupin. Kur të të lodhet trupi, vër në punë trurin. Në të vërtetë, ata të gjithë punojnë së bashku, por nganjëherë njëri punon më shumë se tjetri apo i duhet të lodhet më shumë se tjetrit. Nganjëherë rruga e vetme dhe më e mirë për ta qetësuar mendjen është të vrapuarit deri në pikën e fundit të fuqisë si një kalë pa frerë. Të zgjedhurit e rrugës shpesh herë nuk është në dorën tënde. Nëse beson se ajo që të ka takuar është më e mira, do të pushosh. Nëse ankohesh dhe përpëlitesh duke e kundërshtuar caktimin e Zotit (xh.sh.), do të vësh re se vetëm do ta vështirësosh edhe më shumë punën tënde. Mbi të gjitha, përpara teje është edhe shtegu i tmerrshëm i vdekjes që po të pret. Në këtë shteg me shumë mundësi të pret një lodhje e madhe. Atëherë, mos vallë po thua se ia vlen të preokupohesh me lodhjet e padobishme të kësaj bote?

Je i lodhur, e di. Atëherë pranoje caktimin e Zotit (xh.sh.) dhe vdis para se të vdesësh, në mënyrë që të të lehtësohet puna në të dyja botët.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-