Natyra mes kultit dhe dhunës

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Raporti i njeriut me natyrën mbetet një nga çështjet më të rëndësishme që prej agut të kohës e deri në ditët tona. Kjo çështje i takon rrafshit horizontal (këtu dhe tani), por që, ashtu si çdo çështje tjetër e këtij rrafshi, ka lidhje me rrafshin vertikal (këtu dhe përtej).

Sot dominojnë dy qëndrime përballë natyrës, që e përjashtojnë njëri-tjetrin, ku njëri na bën thirrje ta adhurojmë atë, ndërsa tjetri praktikisht po e shkatërron, pavarësisht se nuk bën thirrje për këtë. Te qëndrimi i fundit bën pjesë ajo kategori që në emër të përfitimeve personale po cenon ekuilibra të caktuar të natyrës që kanë të bëjnë me të gjithë, natyrisht pa lënë mënjanë gjallesat që na rrethojnë.

Kemi edhe një qëndrim të tretë, që shënon rrugën e ndërmjetme, sipas të cilit natyra nuk është as e shenjtë dhe as pronë personale e dikujt, në kurrizin e së cilës kërkon të përmbushë atë që nuk përmbushet kurrë: prirjen për të zotëruar sa më shumë.

Ata që përkrahin këtë qëndrim të ndërmjetëm, në fakt, janë vazhdimisht nën trysninë e njërit prej dy qëndrime që përmendëm[1], pasi, me sa duket, dy qëndrimet në fjalë, duke qenë se janë në luftë me njëri-tjetrin, pikërisht lufta i ka forcuar pozitat e tyre në shumë forma, dhe kjo ka bërë që pushteti i tyre të vijë duke u rritur.

Prandaj, sipas secilit prej këtyre dy qëndrimeve, atij që e adhuron natyrën dhe atij që kërkon ta shfrytëzojë pa asnjë kriter për përfitime të ngushta, ose je në anën e tyre, ose kundër tyre. Kemi të bëjmë me dy qëndrime ekskluziviste, që do të thotë se çdo lloj interpretimi tjetër mbi natyrën që nuk përputhet apo nuk përshtatet me qëndrimin e tyre është i përjashtuar a priori.

Thuhet se natyra është shtëpia jonë, por shumë vetë harrojnë ose e anashkalojnë faktin se është një shtëpi e përkohshme, gjë që shënon një dallim kyç, sepse nëse mbajmë parasysh këtë fakt, pra që ne jemi të përkohshëm në gjirin e natyrës, atëherë hapet shtegu që ajo të shihet si stacion. Së këndejmi, kjo na bën të kuptojmë se natyra nuk mund të shndërrohet në kult. Është natyra ajo që duhet t’i nënshtrohet njeriut dhe jo e kundërta. Nënshtrimi këtu nuk nënkupton as “ha, merr dhe ik” e as “bjeri t’i biem”, por faktin e thjeshtë se ajo çfarë ne gjejmë në natyrë është në kuadër të udhëtimit tonë në këtë botë, domethënë për të na ndihur teksa kalojmë këndejpari.

Nëse kemi në vëmendje vështrimin se natyra është vetëm një stacion për ne, atëherë gjasat janë të çlirohemi prej saj, në kuptimin që do të jemi të mbrojtur sa nga kulti po aq edhe nga arroganca karshi saj.

Nëse natyra do të ishte shtëpia e njeriut, atëherë si shpjegohet ndjenja e frikës? Po ndjenja e të qenurit i huaj? Po udhëtimi, si shpejgohet që nuk duam të ketë një fund?

Përjetime të kësaj natyre janë shenja që tejkalojnë çdo provë të ashtuquajtur shkencore. “Universi është plot me shenja që ne nuk i kuptojmë”, shkruante Kafka.

Mbase alfabetizimi ynë sistematik na ka lënë analfabetë përballë shenjave të universit/natyrës, ose të shurdhër përballë melodisë kozmike.

Intermezzo

Na është bërë zakon ta mbajmë kokën poshtë. Llambat e ndryshme që na rrethojnë nuk na lënë kollaj të miqësohemi me yjet. Qyteti na ka bërë ta ngatërrojmë zhurmën me gjallërinë. Shtohemi gjithnjë e më shumë në numër, por ndihemi përherë e më të vetmuar. Ndjehet një shkëputje e njeriut nga poezia. Vërtet “nuk ka edhe aq vend” (Muhiq), por për ata që janë mjafton. Është koha e luleve artificiale, por këto lule janë një lajm i keq. Janë një shkëputje e papërballueshme nga kujtesa e brendashkruar në çdo farë.

Edhe fotografia është e tepërt mes njeriut dhe natyrës, sepse na bën të admirojmë kopjen në kurriz të shkëputjes nga origjinali. E gjithë vëmendja përqendrohet te: “Sa bukur paska dalë!” Fotografia është kufiri mes sipërfaqes dhe brendisë. Çdo aromë e çdo ngjyrë në natyrë na kujton diçka, diçka që e kemi humbur dhe e kërkojmë. Me këtë ka të bëjë gjendja e nostalgjisë.

Sfida e madhe e njeriut në marrëdhënie me natyrën është të kuptojë ndryshimin mes përdorimit dhe keqpërdorimit të saj. Natyrë është e farkëtueshme, që përshtatet me nevojat tona, por jo me babazinë tonë. Ne duhet ta shfrytëzojmë atë me ndjeshmëri, që në fund ta lëmë më të mirë nga sa e gjetëm.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-