KDI: Dragashi ende pa Nënkryetarë për komunitete

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një konferencë për media ka publikuar raportin e punës së kuvendeve të komunave të regjionit të Prizrenit për periudhën janar-qershor 2014.

Në këtë raport të punës së këtyre institucioneve, janë pasqyruar aktivitetet, vendimet e marruara nga këto institucione por edhe shkeljet procedural dhe ligjore që kanë ndodhur në kuadër të punës së këtyre institucioneve gjatë gjashtë mujorit të parë 2014.

Naim Cahanaj, zyrtar i KDI-s duke shpalosur të gjeturat tha se “ bazuar në nenin përkatës të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, të gjitha kuvendet e komunave të regjionit të Prizrenit kanë arritur që të mbajnë numrin minimal të seancave në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kësisoj, kuvendet e komunave në regjion të Prizrenit kanë thirrur 38 seanca në gjashtë mujorin e parë të vitit 2014.

Gjatë monitorimit të punës së gjashtë komunave të regjionit të Prizrenit, është vërejtur se “Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mamushës dhe Malishevës nuk kanë respektuar afatin kohorë në raportimet financiare në Kuvendin e Komunës, ku në bazë të legjislacionit këta të fundit kanë për obligim që të raportojnë në kuvend jo më vonë se 31 marsi i vitit kalendarik. Lidhur me raportimet tre mujore financiare konformë legjislacionit në fuqi, një anashkalim të afatit kohorë për raportim tre mujorë financiarë në këtë institucion kanë bërë Kryetari i Komunës së Prizrenit, Suharekës, Dragashit dhe Rahovecit. Si rezultat i mos respektimit të afateve kohorë për raportimet financiare, kuvendet e komunave mbesin jashtë suazave në kontrollin e shpenzimit të parasë publike.

Konfiguracioni i popullatës në disa nga Kuvendet e Komunave të regjionit të Prizrenit, mundëson që në kuadër të organeve komunale të kenë edhe zgjedhjen nënkryetarit për Komunitete. Komunat ku të paktën 10% e qytetarëve i përkasin komuniteteve jo shumicë do të kenë një nënkryetar për komunitete, dhe në bazë të regjistrimit të popullsisë një obligim të tillë ligjor duhet ta kryen Kryetari i Komunës së Prizrenit dhe ai i Dragashit bashkë me Kuvendet e Komunave përkatëse. Dy nga Kryetarët e Komunave të regjionit të Prizrenit bashkë me kuvendet e komunave përkatëse, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti nuk kanë arritur të kenë nënkryetarin e Komunës nga radhë e Komunitetit. Mirëpo, Kryetari i Komunës së Mamushës ka propozuar që të ketë Kryetarin për Komunitete dhe i njëjti propozim është mbështetur nga Kuvendi i Komunës, kësisoj kjo komunë mbetet komuna e vetme që ka zgjedhur Nënkryetarin për Komunitete edhe përkundër asaj që nuk ka një obligim të tillë ligjor.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në kuadër të gjeturave të monitorimit dhe raportimit mujor, i ka rekomanduar kryetarëve në fjalë që të plotësojnë këtë vakum institucional mirëpo në këtë gjashtë mujor të parë të vitit 2014, ky rekomandim i KDI-s nuk ka gjetur zbatim nga këto institucione. Lidhur me këtë çështje, nuk është vërejtur ndonjë intervenim edhe nga ana e MAPL-së si organ mbikëqyrës për evitimin e këtij vakuumi institucional, që pos tjerash konsiderohet shumë i rëndësishëm në integrimin dhe avancimin e pozitës së komuniteteve në komunat përkatëse.

Haxhi Seferqaj-zyrtar tjetër i KDI-së vazhdoi me të gjeturat tjera ku tha se “pas konstituimit të institucioneve vetëqeverisëse lokale, Komunat e regjionit të Prizrenit kanë ndërmarrë hapat në drejtim të themelimit të Këshillave Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) dhe të gjitha kuvendet e komunave kanë themeluar këtë mekanizëm mjaft domethënës në vetëqeverisjen lokale.

Edhe në themelimin e këtij mekanizmi, kuvendet e komunave të regjionit të Prizrenit çaluan (pos Suharekës) që të kërkojnë nga ky mekanizëm të prezantojë pranë tyre Planin Vjetorë të punës dhe të kërkojnë nga Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) raportime për aktivitetet dhe punën e këtij mekanizmi institucional.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-