Kërkesa për Komunën e Gorës po legalizohet, por ka një problem!

Opoja.net Opoja.net Opinione

Nga: Beqir BEQAJ


• Kohët e fundit, askush nuk po e mban në fshehtësi kërkesën për formimin e një komune në vete për krahinën e Gorës, e cila aktualisht i përket komunës së Dragashit, në Kosovë.
Përderisa në periudhën e pasluftës, kërkesa për komunë në vete për këtë krahinë konsiderohej si antikosovare, pasi përkonte me vendimin arbitrar të Serbisë, e cila nën udhëheqjen e Milosheviqit e pati ndarë këtë komunë të varfër të Dragashit, sot askush nuk frikësohet të lobojë për ta vënë në jetë, po atë vendim që dikurë e kishte marrë Serbia. Madje, presedan i gjithë kësaj është fakti se, po u jetësua kjo kërkesë, do të jetë komuna e parë në Kosovë që emërtohet në bazë të një krahine dhe jo në bazë të vendbanimit ku ndodhet selia e Komunës.
Në një takim që kishte zhvilluar kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, me deputetin e Kuvendit të Kosovës nga treva e Gorës, Adem Hoxha, ishte biseduar edhe për modalitetet se si të formohet kjo Komunë. Madje, vetë kryeministri e kishte postuar një status, ku e vërtetonte se po punon në këtë drejtim. “Me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha, përfaqësues i komunitetit goran, biseduam për zhvillimet në Dragash dhe Gorë. Me qëllim të afrimit të shërbimeve sa më pranë qytetarëve, diskutuam edhe për projektin e krijimit të Komunës së Gorës”, ka shkruar Haradinaj më 25 qershor.
Një ditë më vonë, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delavi, vizitoi Dragashin dhe, për çudi nuk u njoftuan mediet për këtë vizitë. Pasi ishte kthyer në Prishtinë, ai ka postuar në Twitter se ishte takuar me kryetarin e Dragashit por kishte vizituar edhe një fabrikë, e cila ishte ndihmuar nga një organizatë amerikane. Por, ambasadori nuk e kishte përmendur fare se në Dragash ishte takuar edhe me Adem Hoxhën, me të cilin ishte diskutuar edhe çështja e formimit e Komunës së Gorës!
Ka qenë vetë Adem Hoxha, i cili e ka publikuar këtë ngjarje dhe e ka pohuar se nga Delavi është kërkuar që të ndikojë në institucionet qendrore që të formohet kjo Komunë. “Më 26.06.2018, në Dragash, në selinë e JGP-së, kishim nderin ta prisnim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku diskutuam për kushtet dhe të drejtat e goranëve në Dragash dhe në gjithë Kosovën. Kemi kërkuar edhe mbështetjen e tij për formimin e komunës së Gorës”, ka shkruar mes tjerash Hoxha në profilin e tij në Facebook.
Ajo që mbetët të shihet, është koha dhe mënyra se si do ta jetësojnë këtë projekt, ndonëse me ligjet e Kosovës, por gjithsesi do të jetë një ndarje mes shqiptarëve të Opojës dhe banorëve të Gorës, ku tashmë janë ndarë në dy komunitete, goranë dhe boshnjakë!
Ndonëse komunitetet pakicë që kanë një territor kompakt dhe minimum 5 mijë banorë, kanë të drejtë të formojnë Komunë në vete, sipas pakos së Ahtisarit, një gjë duhet ta kenë të qartë edhe kryeministri Haradinaj, edhe ambasadori Delavi por edhe ata që po e kërkojnë këtë. Komunë me emrin e një krahine nuk mund të formohet, sikurse që nuk mund të formohet me seli në Dragash. Kjo, sepse Dragashi është qendër komunale dhe, nëse duhet që popullatës t’i ofrohet administrata, ashtu siç është shprehur Haradinaj, atëherë qendra komunale duhet të vendoset në ndonjërin nga fshatrat e Gorës, po qe se merren vesh banorët mes vete. Thënë me mirë, po që se merren vesh mes vete goranët dhe boshnjakët se për cilin komunitet po themelohet kjo Komunë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-