Opoja.net
Meka Mish

Kështu sigurohet mbijetesa në Kosovë

Mbijetesa e varur nga asistenca sociale në Kosovë.

Arton Hajrizi 26 vjeç nga komuniteti rom është i papunë. Ai jeton në një lagje të banuar kryesisht me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në qytetin e Fushë Kosovës.

Artoni nuk ka të përfunduar asnjë vit as të shkollës fillore, çka i ka pakësuar mundësinë e gjetjes se ndonjë vendi të qëndrueshëm të punës.

Papunësia është një nga problemet thelbësore në Kosovë, por më së shumti i ka prekur këto komunitete. Sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, mbi 90 për qind e këtyre komuniteteve janë të papunë dhe jetojnë nga asistenca sociale.

Edhe Arton Hajrizi, aktualisht punon herë pas herë në sektorin privat.

“Shumicën e kohës qëndroj në lagje, është një hapësirë ku qëndrojnë të rinjtë për të kërkuar punë. Nganjëherë punojmë kur ka nevojë dikush për ndonjë punë. Por, duhet që institucionet të krijojnë vende pune edhe për ne. Mos të kalojmë kohën kot”, thotë Hajrizi.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare të këtyre komuniteteve, shprehin shqetësimin se këto komunitete po neglizhohen, kurse numri i vogël i të punësuarve po ndikon edhe në gjendjen e tyre sociale.

Osman Osmani nga organizata joqeveritare rome ”Nevo Kocepti”, tha për Radion Evropa e Lirë se sfidë për pjesëtarët e këtyre pakicave etnike vazhdon të mbetet mungesa e arsimimit, papunësisë dhe varfërisë.

Në mungesë të punës dhe kushteve elementare për ekzistencë, sipas Osmanit, të rinjtë e këtyre pakicave në forma të ndryshme po mundohen të braktisin Kosovën për të kërkuar perspektivë në vendet e Bashkimit Evropian.

“Kjo është një brengë edhe për vetë komunitetin duke pas parasysh se edhe politikat qeveritare nuk i japin shpresë komunitetit të ketë një perspektivë të qartë për të ardhmen dhe vërtet mos të mendojë për migrim apo largim nga Kosova”.

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian (RAE) sipas Kushtetutës, gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Por, Kushtetuta dhe ligjet, mund të garantojnë barazinë vetëm kur zbatohen në tërësi. Në raportin e fundit të Bankës Botërore më titull “ Thyerja e Ciklit të Përjashtimit të Romëve në Ballkanin Perëndimor”, konstatohet trajtim jo i mirë i këtyre komuniteteve, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

Ky raport shqyrton përfshirjen e këtyre pakicave në Ballkanin Perëndimor në pesë fusha prioritare: arsim, tregun e punës, shëndetësi, strehim dhe dokumentim.

Raporti konstaton se në Kosovë hendekët mes këtyre komuniteteve dhe fqinjëve të tyre jo-RAE mbeten të gjerë, veçanërisht në arsim dhe pjesëmarrje në tregun e punës. Kjo është veçanërisht shqetësuese për shkak se “hendekët janë mes romëve dhe fqinjëve jo-romë, domethënë familjeve dhe individëve që jetojnë brenda 300 metrave larg njëri-tjetrit”, thuhet në raport.

Me gjithë problemet me të cilat përballen komunitetet RAE, deputetë në Kuvendin e Kosovës, nga këto bashkësi etnike, thonë se krahasuar me vendet e rajonit, të drejtat e këtyre pakicave në Kosovë janë avancuar.

Albert Kinolli, deputet dhe shef i Grupit Parlamentar të partisë “6 Plus “që përfaqëson komunitetet joserbe në Kuvendin e Kosovës, nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se kohëve të fundit është rritur vijueshmëria e nxënësve në sistemin e arsimor, që në të ardhmen, sipas tij, mund të rezultojë me numër më të madh të të punësuarve.

Më qëllim të përmirësimit të kushteve socio-ekonomike të pakicave joserbe, konkretisht për ata që nuk kanë nje vend pune dhe jetojnë mendihma sociale, Kinolli thotë se Qeveria e Kosovës ka ndarë 2.5 milionë euro për vitin e kaluar dhe këtë vit.

“Ku mendoj se me këto mjete financiare do të përmirësojmë sado pak gjendjen aktuale sa i përket banimit dhe strehimit të komunitetit rom. Për shkak se këtë vit procedurat janë në përfundim e sipër. Gjatë vitit 2019 pjesëtarët e komunitetit rom do të jenë përfitues të 41 shtëpive të cilat do të ndërtohen për familjet e këtij komuniteti, të cilat janë pjesë e skemave sociale në Republikën e Kosovës” tha Kinolli

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë që, në mënyrë individuale ose si komunitet të shprehin, mbajnë dhe zhvillojnë kulturën e tyre dhe të ruajnë elementet thelbësore të identitetit të tyre, përkatësisht fenë, gjuhën, traditat dhe kulturën e tyre,

Në Kosovë llogaritet se jetojnë deri në 40 mijë romë, ashkali dhe egjiptian.

Qeveria e Kosovës, tashmë shumë herë ka shprehur përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, madje është hartuar edhe strategjia për integrimin e komuniteteve rome, ashkalinj dhe egjiptianë, për vitet 2009-2015 ku punësimi dhe mirëqenia sociale janë një prej katër objektivave kyçe të kësaj strategjie.

Por, përfaqësuesit e komuniteteve, vazhdimisht kanë shprehur ankesa të mëdha se ligjet e strategjitë e miratuara për këto komunitete, kanë mbetur vetëm në letër dhe asnjëherë nuk janë zbatuar në praktikë.

KG 4

Mos i humb

Arrestohet serbi i dyshuar për vrasjen e civilëve gjatë luftës në Lipjan

Opoja.net

“Presidenti do ta mbyllë marrëveshjen finale me Serbinë”

Opoja.net

Çfarë e pret Ramush Haradinajn?

Opoja.net

Komandanti i NATO-s për Evropë: Dialogu Kosovë-Serbi, garanci për stabilitet

Opoja.net

Pika kufitare Restelicë-Strezomir e hapur nga sot

Opoja.net

Edhe Jakup Krasniqi ftohet nga Specialja në Hagë

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net