Kjo pjatë do të mbarojë

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Një nga bazat më të rëndësishme të shëndetit është edhe ushqyerja. Çdo nënë mundohet në maksimum që fëmija i saj në çfarëdo moshe qoftë, të jetë i shëndetshëm. Që fëmijët të mos sëmuren shpesh, që struktura e tyre të jetë sa më e fortë dhe që zhvillimi trupor i tyre të jetë normal, duhet patjetër të ushqehen shëndetshëm.

Kur nuk konsumohen ushqime të shëndetshme dhe kur ekziston pamjaftueshmëria e ushqimit, fëmijët përballen me probleme serioze. Disa nga këto problemeve janë: ngadalësimi i rritjes, rënie pre e infeksioneve, anemi, debulesë, ngadalësim në konceptim, privim nga emocioni dhe ngazëllimi fëmijëror.

Ky rezultat kaq i rëndësishëm në mënyrë të natyrshme e shton shqetësimin dhe ndjeshmërinë e nënës në çështjen e të ushqyerit. Në këtë mënyrë nëna, për t’u mbrojtur nga këto rezultate negative që sjell pamjaftueshmëria e ushqimit, i ndjek me ndjeshmëri gjërat që i hanë dhe që nuk i hanë fëmijët.

Ndërsa te fëmijët, vetëm për t’u treguar njerëzve përreth se ata janë rritur, ekziston dëshira për të bërë të kundërtën e asaj që u kërkohet. Disa nga panoramat që hasim shpesh janë disa momente kur nëna i thotë fëmijës “Mos e bëj!” dhe ai duke e parë në sy, vazhdon ta bëjë akoma, ose kur i thotë “Eja këtu!” dhe ai largohet dinakërisht në drejtim të kundërt. Në këtë mënyrë fëmijët mund t’i lënë prindërit e tyre pa një rrugëzgjidhje.

Gjendja që i kthen përmbys mundin, shpresat dhe dëshirat e nënave në çështjen e ushqyerjes, buron nga kjo tendencë e fëmijëve. Ata e dinë shumë mirë se çfarë kërkojnë nënat e tyre. Fëmija që kërkon të tregojë se është rritur dhe i merr vetë vendimet, e di më mirë se nëna se sa dëshiron ajo që fëmija ta hajë gjellën me spinaq apo me pras që ka në pjatë.

Në shumë familje tavolina kthehet në një arenë për fëmijët të cilët provojnë të tregojnë veten. Mes fëmijës i cili këmbëngul të mos e hajë ushqimin dhe nënës e cila lufton për ta bërë atë ta mbarojë, fillon “Ndeshja me një portë”. Ndeshja përfundon ose me vjelljen e gjithë ushqimit nga fëmija, ose me të qarët e tij, ose me një karamele të premtuar pas ushqimit, ose me rebelimin e babait i cili mërzitet nga kaosi. Dhe tavolina ngrihet për t’u takuar në vaktin e ardhshëm.

T’i humbësh oraret e ngrënies të cilat janë të veçanta për pjesëtarët e familjes ku ata kalojnë kohë së bashku me polemika si “e hëngre, se hëngre, e mbarove, se mbarove…”, është shumë e rrezikshme për zhvillimin e identitetit të fëmijës, si dhe për qetësinë dhe lumturinë familjare. Fëmija i cili është mësuar të ketë polemika çdo ditë me prindërit, e vendos këtë në mendjen e tij si një mënyrë komunikimi dhe në të ardhmen fillon ta përçojë këtë polemikë edhe në ambiente të tjera. Fëmija fillon ta tregojë veten duke bërë të kundërtën e asaj që presin prindërit te zgjedhja e shoqërisë, në zakonet e përgjithshme dhe në mënyrën e të mësuarit.

A është e mundur ta ushqesh fëmijën pa hyrë në polemika? Po. Nëse nuk ka ndonjë sëmundje kronike që mund të bëhet shkak për anoreksi, ushqyerja është një proces shumë i këndshëm, sepse njeriu duhet të ushqehet që të jetojë. Që i gjithë organizmi të vazhdojë të jetojë, duhet të ushqehet. Me të vërtetë që një fëmijë i uritur e ha me shumë oreks edhe ushqimin që nuk i pëlqen aspak. Prandaj nënat së pari duhet të heqin dorë nga mënyra e sjelljes “sikur do të vdesin” me fëmijët që nuk kanë ngrënë disa vakte.

Mendimet e hatashme që nënat shpalosin për t’u dhënë fëmijëve dy-tre lugë më tepër ushqim, e shpjegon shumë bukur shkakun që fëmijët janë me anoreksi. Nëse për këtë do të kishte një çmim, patjetër që këtë do e meritonte një gjyshe e ëmbël me të cilën jam takuar. Edhe është i admirueshëm mundi i asaj gjysheje e cila e ndjek vazhdimisht nipin e saj me pjatë në dorë  duke i shkuar pas ngado, sa tragjikomik është fakti se në këtë mënyrë ia shton më shumë shqetësimin e të zgjedhurit ushqimin.

Nënat të cilat vrapojnë pas fëmijëve me ushqim në dorë, vendosin në mendjet e fëmijëve mendimin “Sa më vështirë të hash ti, aq më të madh e marr çmimin unë!” Vazhdimisht bëjnë kompromis me fëmijët që ata të hanë ushqimin; i inkurajojnë ata të hanë ndërkohë që ndjekin televizorin apo luajnë me lodrat e tyre. Fëmijët të cilëve nuk u pëlqen të përtypen, ua përziejnë të gjithë ushqimet dhe ua paraqesin atë në formë qulli. Kur mbaron vakti, stimulohen me çokollata e ëmbëlsira, sikur t’ia kishin dalë një pune shumë të rëndësishme e të vështirë. Në fakt një vakt i gatshëm, i ngrohtë dhe i ushqyeshëm është për ta më shumë se një çmim.

Për sa i përket çështjes së ushqyerjes, përveç se kemi filluar të përballemi shpesh me fëmijë të dobët e me anoreksi, po përballemi edhe me një problem tjetër te fëmijët me mbipeshë të cilët sa vijnë dhe e shtojnë masën e ushqimit që hanë.

Fëmijët obezë pëlqejnë konsumimin e ushqimeve “fast food” dhe nuk mund të qëndrojnë larg ushqimeve të gatshme. Ngrënia zë një pjesë të madhe në argëtimin ditor të tyre. Kur nuk gjejnë diçka me se të merren dhe kur mërziten, nuk përdorin alternativë tjetër dhe mundohen të lumturohen duke ngrënë diçka. Që në foshnjëri fëmijët obezë mësohen me konsumimin e ushqimit më tepër se ç’duhet. Nëse fëmija e mbaron pa problem ushqimin që ka në pjatë, për nënat kjo nënkupton se fëmija akoma nuk është ngopur. Me një pjatë të dytë stomaku i fëmijës zmadhohet.

Fëmijët obezë kërkojnë dhe konsumojnë më tepër. Ndërsa vazhdojnë e shëndoshen, rëndohen dhe nuk mund ecin me ritmin e moshatarëve të tyre. Nuk mund të vrapojnë aq sa ata, nuk mund t’i japin biçikletës si ata dhe nuk mund të veprojnë shkathët. Me shqetësimin se mund të mos jenë të suksesshëm dhe për shkak të përpjekjes së bërë, largohen sa më shumë nga sporti. Për këtë arsye fillojnë t’i dobësojnë lidhjet me shokët dhe gjithë shoqërinë, zgjedhin më tepër vetminë, kalojnë më shumë kohë përpara televizorit dhe mbi kompjuter dhe në këtë mënyrë  gjendja e të shëndoshurit kthehet në një lak për ta. Ata fillojnë të bëhen më të ndjeshëm, e kërkojnë lumturinë te ushqimi dhe fillojnë të ndikohen më tepër nga ngjarjet.

Edhe pse problemet shëndetësore që shoqërohen nga obeziteti janë më serioze se problemet që kanë fëmijët me anoreksi, nënat përsëri nuk mund të shpëtojnë nga motivi i të ushqyerit. Fëmijët e shëndoshë nga shoqëria paramendohen si fëmijë të ushqyer më mirë.

Nëse fëmija zhvillimin trupor e ka normal, nëse është aktiv dhe i gëzuar, nuk duhet të shqetësohemi për oreksin e tij, përkundrazi duhet të shqetësohemi për gjendjen fizike dhe shpirtërore të atyre fëmijëve të cilët marrin kilogramë të tepërt, nuk kanë aktivitet dhe bëhen të ndjeshëm e të vetmuar.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-