Kolegji AAB nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi edhe me Komunën e Dragashit

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Një sërë veprimtarish me interes të përbashkët ka bashkuar Kolegjin AAB me Komunën e Dragashit. Këto dy institucione nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim ndërinstitucional në sferat që ndihmojnë njëra tjetrën.

Marrëveshja e bashkëpunimit mes këtyre dy institucione e cila u nënshkrua nga rektori i Kolegjit AAB, z.Lulzim Tafa dhe kryetari i Dragashit, z.Shaban Shabani përfshin: promovimin e arsimit cilësor nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta, kryerjen e punës praktike për studentët e Kolegjit AAB në institucionet/departamentet, drejtoritë, agjencitë, institucionet shkollore dhe parashkollore të Komunës së Dragashit e vizita të ndërsjella të të dy institucioneve.

Rektori Tafa falënderoi kryetarin Shabani për gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me Kolegjin AAB, duke i thënë se ky institucion do të angazhohet me të gjitha kapacitetet që ka që kjo marrëveshje bashkëpunimi të gjejë implementim sa më të suksesshëm.

Në anën tjetër, kryetari Shabani e falënderoi Kolegjin AAB për krijimin e mundësisë për bashkëpunim dhe tha se komuna që ai drejton, gjithmonë do të jetë e gatshme dhe do t’u përgjigjet pozitivisht nismave dhe projekteve të AAB-së që janë në të mirë të studentëve të Komunës së Dragashit.

Në nënshkrimin e kësaj marrëveshje ishte prezent edhe drejtori i Drejtorisë e Arsimit në Komunën e Dragashit, Vloran Cenaj.

Kolegji AAB me këtë marrëveshje, do të ofrojë bursa të plota për nxënësit më të mirë Komunës së Dragashit, në cilindo nga programet e studimit, si dhe pika të tjera që janë në interesin e përbashkët ndërinstitucional.

Vlen të përmendet se Kolegji AAB si investimi më i madh në Kosovë e më gjerë në sferën e arsimit të lartë jopublik, deri më tani ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shumicën e komunave në Kosovë, ku studentët e këtij kolegji në vazhdimësi kryejnë praktikat profesionale nëpër këto institucione.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-