Konfliktualiteti një rrugë e panevojshme

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Nga vetë natyrshmëria e rendit natyror të gjërave, qeniet njerëzore, edhe pse janë pjesë e të njëjtit lloj, nuk mund të jenë të njëjta përsa i përket, përjetimeve, ndjesive, perceptimeve, analizave, gjykimeve dhe konkludimeve mbi realitetin që i rrethon. Kjo ndryshueshmëri është esenciale për t’i mundësuar njeriut, pranimin e kufizueshmërisë së tij nga njëra anë, si dhe kushtëzimin e bashkëpunimit me të tjerë syresh të llojit të vet. Pa qenë kaq të ndryshëm nga njëri – tjetri, nuk do ta kishim të mundur të krijonim lidhje e raporte me shokë dhe miq. Pa qenë kaq të ndryshëm nga njëri – tjetri, nuk do të kishim mundësi të realizonim vetveten, nuk do të kishim mundësi të tregonim, vlerat apo antivlerat që jetojnë apo nuk jetojnë brenda nesh, apo që përpëliten për të jetuar brenda nesh. Pa qënë kaq të ndryshëm, nuk do ta ndienim nevojën për të jetuar në shoqëri apo në bashkësi, nuk do ta ndienim nevojën për të bashkëpunuar për të mira dhe për të bashkëpunuar për të goditur dhe shmangur të keqen që endet brenda nesh, si premisë bazike për të goditur edhe të keqen jashtë nesh.

Meqenëse ndryshueshmëria ndërmjet qenieve njerëzore qenka thellësisht natyrore dhe prej këndej e pazhbëshme, kjo do të thotë se përsa të ketë jetë mbi sipërfaqen e tokës, nuk do të ketë as unanimitet mendimesh. Ky është realiteti dhe ky realitet gjen zbatim edhe brenda atyre që zgjedhin të kenë të njëjtën përkatësi. Të zgjedhësh të jetosh nën hijen e parimeve të epërme, duke braktisur nxehtësinë përcëlluese të dyerve të hapura ndaj vërshimit të dëshirave, është çështje personale, por në çastin kur edhe të tjerë zgjedhin të bëjnë të njëjtën zgjedhje, atëherë lind si domosdoshmëri bashkëpunimi dhe bashkëveprimi mes pjesëtarëve të së njëjtës përkatësi, për të realizuar të njëjtin qëllim, mbizotërimin e së mirës ndaj së keqes.

Kundërvënia midis së mirës dhe së keqes do të jetë vazhdimisht prezente në këtë botë, sepse pa këtë kundërvënie nuk realizohet as domosdoshmëria e bashkëpunimit. Në qoftë se bashkëpunimi dhe bashkëveprimi për të qenë në anën e së mirës është domosdoshmëri, atëherë ecja në çdo rrugë që çon drejt realizimit të bashkëpunimit kthehet në domosdoshmëri. Në qoftë se bashkëpunimi dhe bashkëveprimi për të qenë në anën e së mirës është domosdoshmëri, atëherë edhe largimi nga çdo rrugë që çon në minimin e bashkëpunimit kthehet në domosdoshmëri. Kjo duhet mbajtur mirë parasysh në çdo lloj gjendje që të ndodhemi, sepse sikundër e thamë ndryshueshmëria në mendime është diçka krejt e zakonshme. Të mendosh ndryshe, të kesh një vizion ndryshe nga dikush që ndan të njëjtën përkatësi me ty, nuk nënkupton që palët t’i kundërvihen njëra – tjetrës me pretendimin se ky apo ai nuk ndan të njëjtat mendime me mua, nuk vepron në të njëjtën mënyrë me mua dhe si rrjedhim konkludojmë se bashkëpunimi duhet zbehur në rastin më të mirë, e në rastin më të keq bashkëpunimi duhet minuar.

Por pse mbërrijmë deri në këtë konkludim, që realisht është thyerje e domosdoshmërisë së bashkëpunimit? Përfundimi në të tilla rrugina, që na largojnë paqshëm nga domosdoshmëria e bashkëpunimit, është rrjedhojë e bindjes që ndërton njeriu brenda vetes se është i vetmi, ai apo grupimi i tij, që ka kuptuar domethënien reale të parimeve të epërme, ndërsa kuptimi i të tjerëve jashtë tij apo grupit të tij është i mangët, i deformuar dhe në rastin më të keq i devijuar. Duke i besuar për të vërteta kësilloj konkludimesh, edhe të vepruarit më pas i nënshtrohet asaj çfarë beson njeriu për të vërtetë. Si rrjedhim, akuzohet e sulmohet çdokush tjetër që nuk mendon e vepron sipas atyre që besojnë se kuptimi i njëmendtë i parimeve të epërme është ekskluzivitet i tyre. Vetë parimet, kuptimësinë e tyre të thellë nuk e kanë mbyllur brenda ekskluzivitetit të një grupi të caktuar, madje prej thellësisë së kuptimësisë së tyre do të vazhdojnë të nxirren perla, prej gjithëkujt që zhytet në thellësinë e tyre, me sinqeritet, vullnet e dashuri të pastër e të pandotur. Vetëm duke iu përmbajtur, sinqeritetit, vullnetit dhe dashurisë së pastër ndaj parimeve të epërme, do të ndërtojmë atë çfarë duhet ndërtuar dhe jo thjesht godina ku secili i gëzohet grupimit të vet, do të ndërtojmë godinën e bashkëpunimit ndërmjet njëri – tjetrit duke pastruar zemrat nga rivaliteti egocentrik, përderisa ajo që na bashkon është shumë më madhore se ajo çfarë mund të na ndajë. Por që të mbërrijmë në këtë pikë duhet të tejkalojmë egocentrizmin dhe egocentrizmi nuk mund të tejkalohet vetëm se me dashuri të thellë për të vërtetën dhe zemërgjerësi për njëri – tjetrin. Nuk tejkalohet egocentrizmi me dashuri të përciptë për të vërtetën e as me zemërngushtësi për njëri – tjetrin.

Pavarësisht se gjërat janë të qarta si qelibar, realiteti është kokëfortë dhe, edhe pse nuk duam që çështjet të jenë kështu siç janë në sferën e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit për mbizotërim të së mirës, hendeku që duhet kapërcyer në këtë drejtim është i madh, por ky kapërcim nuk mund të bëhet nëpërmjet katapultave, por vetëm duke e mbushur këtë hendek me dashuri. Konfliktualiteti që nxitet nga kjo ndryshueshmëri kuptimesh dhe perceptimesh mes atyre që ndajnë të njëjtën përkatësi, nuk i shërben aspak qëllimit fisnik dhe madhor, që në mënyrë paradoksale, përdoret për të justifikuar pikërisht këtë konfliktualitet. Situatat konfliktuale nuk mund t’i shërbejnë kurrësesi mbizotërimit të së mirës, përkundrazi energjia e së mirës do të shterej në debate dhe veprime shterpë, duke i dhënë mundësi së keqes të zaptojë me metastazat e saj hendekët mes grupimeve të krijuara për shkak të konfliktualitetit të panevojshëm midis tyre. Kjo do ta vështirësonte gjendjen, por jo se gjendja do të ishte e pashpresë dhe pa rrugëdalje, sepse triumfi i së mirës nuk është i lidhur me suksesin apo dështimin e njeriut në realizimin apo mosrealizimin e saj. Në qoftë se një brez nuk e meriton triumfin e së mirës, as e mira vetë nuk dëshiron të realizohet nga ata që nuk e meritojnë. E megjithatë ne na takon të realizojmë detyrën tonë, duke bashkuar fuqitë me të gjithë ata që duan që e mira të mbizotërojë, që nesër të mos qajmë si gratë për atë që nuk e realizuam si burrat, në hapësirën kohore që na u dha.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-