Opoja.net
Meka Mish

Ku është zhdukur modestia e njerëzve të ditur?

Historianët muslimanë pajtohen se leksikoni biografik ‘Sijer el-‘alem en-nubela’, i imam Edh-Dhehebiut, është vepra më e mirë dhe më përmbajtësore e këtij lloji në historinë islame. Edhe pse imam Edh-Dhehebiu këtë vepër ua ka kushtuar biografive të dijetarëve dhe personaliteteve të shquara muslimane të cilët jetuan para tij, ai në të ka përfshirë edhe biografitë e disave nga bashkëkohësit e tij, por ai vetveten e la jashtë.

Megjithatë, kur më pas e shkroi librin ‘El-Mu’xhem el-muhtass bil-muhaddithin’ (Leksikon kushtuar dijetarëve të hadithit), e gjeti të nevojshme për ta përmendur edhe vetveten, por me atë rast ishte shumë modest. Në fakt, ai në këtë vepër, për vetën shkroi: “Edh-Dhehebiu – Muhamed ibn Ahmed ibn Othman ibn Kajmâz ibn Shejh Abdullah et-Turkmani esh-Shafi’i, muhadith, autor i këtij leksikoni, lindi në vitin 673 hixhrij, mblodhi disa vepra për të cilat thuhet se janë të dobishme. Njerëzit e nderojnë dhe e lavdërojnë, kurse ai dëshiron t’i informojë ata për veten e tij, se njohuritë e tij janë të pamjaftueshme dhe të mangëta, ashtu siç janë edhe veprat e tij, dhe nëse besimi (imani) im më shpëton, ai do të jetë një sukses i mrekullueshëm.”

Ky është një mësim nga përulësia dhe modestia, për të cilën duhet të mendojmë mirë, ne tifozët e thirrjeve dhe titujve lajkatarë, ne të cilët duam të kapardisemi si bibanë. Sot, kur ndonjë tregtar mes nesh kthehet nga haxhi, gjëja e parë që bën, pasi vjen në shtëpi, është heqja e tabelës së vjetër me emrin e tij nga dyqani, për ta vendosur të renë, në të cilën para emrit të tij shkruan “haxhi”, që gjithë bota ta kuptojë se ai është bërë një “haxhi i respektuar”.

Kur dikush nga ne e fiton titullin dhe diplomën e doktoraturës, dhe, siç e dini, sot titujt e magjistraturës dhe doktoraturës fitohen kryesisht me përmbledhje dhe përshkrime të ndryshme, dhe nëse ajo doktoraturë është në sociologji, fitohet përshtypja se Ibn Halduni kishte qenë nxënës i tij. Nëse ajo doktoraturë është në shkencën e sheriatit, fitohet përshtypja, për shkak të kryelartësisë së atij që e ka fituar atë gradë të lartë, se është fshikulluar në vend të Ahmed ibn Hanbelit nga halifi el-Memun, dhe se ai me njohuritë e tij të mëdha dhe me qëndrimin e tij të fortë, e ka mbrojtur besimin e drejtë dhe sunetin e Pejgamberit (savs). Dhe, mjerë ai student, i cili ia thotë emrin, pa ia përmendur titullin e tij të doktoraturës, gjithashtu, mjerë ai, i cili i dërgon ftesë, por nuk e ka shkruar: mr. ose dr. përpara emrit të tij.

Dhe kur sot ju ta shihni mjekun në praktikën e tij të parë pas diplomimit, fitoni përshtypjen se Hipokrati dhe Ibn Sina (Avicena) nuk kanë qenë më të mirë se ai, përveçse që kanë jetuar para tij, dhe sikur të ishin bashkëkohës të tij, ai me siguri do të ishte më i mirë se ata, dhe emri i tij do t’i mbushte faqet e teksteve mjekësore.

Madje edhe një student i arkitekturës ose ndërtimtarisë, i cili sapo e ka përfunduar vitin e parë të studimeve, sillet sikur ai personalisht t‘i ketë ndërtuar piramidat dhe ta ketë projektuar Urën e Bruklinit.

Natyrisht, nuk duhet fajësuar asnjë njeri për vetë-respekt, por vetëmashtrimi të cilin jemi duke e parë, krekosja dhe kryelartësia e madhe, me të vërtetë janë të tepërta, veçanërisht, nëse si besimtarë, e kemi parasysh faktin, se dituria që nuk na rritë përulësinë dhe modestinë, nuk sjell dobi as për neve as për të tjerët.

KG 2

Mos i humb

Njeriun e dallon morali, e jo bukuria

Opoja.net

Bëjeni të lumtur nënën tuaj, pastaj edhe Allahu do t’ju bëjë juve

Opoja.net

Kujdesuni për gabimet tuaja, jo për gabimet e njerëzve të tjerë …

Opoja.net

Devotshmëria midis mundësive dhe përtacisë

Opoja.net

Kur namazi është në vendin e parë në jetën tuaj, gjërat tjera automatikisht e zënë vendin e vet të duhur

Opoja.net

Dhe vjen fundi i ramazanit

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net