Ku u zhduk fuqia e botës?

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Sot është 12 rebiul evel, është ditëlindja e Pejgamberit savs. Kur për këtë ngjarje na flet nëna e Pejgamberit savs, ajo na informon se në kohën e lindjes kishte parë një dritë e cila kishte shndrit deri në Shamin e largët. Dyzet vjet më vonë, pas periudhës në të cilën Zoti i botëve e edukoi Pejgamberin savs, Pejgamberi mori detyrim që ta përhapë dritën e besimit dhe njerëzit t’i shpëtojë nga pabesimi dhe errësira.

Ai nuk e pati lehtë, sepse hasi në rezistencë të fortë, madje në familjen e tij, në fisin e tij, por me këmbëngulje dhe vendosmëri arriti që gjatë jetës ta shohë rezultatin e madh të misionit të tij. Fjalimin e tij të fundit, lamtumirës, e mbajti para më shumë se njëqind mijë sahabëve.

Pejgamberi savs pa edhe diçka që shumë vite më vonë do të bëhej e dukshme për të gjithë njerëzit. Allahu ia tregoi atij Lindjen dhe Perëndimin, ia tregoi tërë Tokën dhe pa që drita e fesë, drita e Islamit, arriti në të gjitha qoshet e planetit Tokë. Ai (savs), neve na informoi se po na lë dritën e cila shkëlqen natën sikurse ditën, dhe kurrë ajo nuk do ta humbas fuqinë për aq kohë sa ne t’i përmbahemi asaj që na ka sjellë dhe porositur. Ai na solli dhe na e la amanet Librin e Allahut dhe Sunetin e tij.

Sa herë që pasuesit e tij i kanë jetuar ajetet e Librit dhe kanë ecur rrugës së Sunetit, drita ishte e fortë dhe errësira para tyre zhdukej, tërhiqej. Me dritën e besimit u ndriçua i gjithë Gadishulli arabik, Persia, Bizanti, Kostandinopoja dhe Andaluzia…

Sot, mu ashtu siç ka njoftuar Pejgamberi savs, në të gjitha kontinentet, kudo ku jetojnë njerëzit, jetojnë dhe ata që këndojnë ezan dhe bëjnë sexhde (muslimanët).

Sot, kur po e shënojmë ditëlindjen e Pejgamberit savs, duhet të theksojmë dhe ta themi me zë të lartë, se, edhe pse ezani dëgjohet në të gjitha kontinentet e globit, megjithatë, drita nuk e ka fuqinë me të cilën, njerëzit që thirrin ezan dhe bëjnë sexhde, do t’i bënte më të sigurtë dhe më dinjitoz. Pse??? Sepse fenë e kemi reduktuar vetëm në ezan dhe sexhde, në ligjërata dhe tribuna, në manifestime dhe forma. Kurse Pejgamberi savs, na ka mësuar që me devotshmëri të mbrohemi nga mëkatet. Ai ka thënë: „Largohuni nga harami, do të jeni njerëzit më të devotshëm!“ Devotshmëria vërtetohet me gatishmëri për t’ia kthyer shpinën mëkatit.

O Pejgamber i dashur,

Është fakt se sot për pasuesit tuaj mëkati nuk është i huaj as nuk është i largët.
– Ka humbur sinqeriteti, edhe pse e dimë se gënjeshtra është mëkat.
– Ka humbur besueshmëria, edhe pse e dimë se amaneti dhe besueshmëria e zbukurojnë besimtarin.
– Ka humbur turpi, edhe pse e dimë se turpi është pjesë e besimit, dhe kur nuk ka turp, atëherë nuk ka as mbrojtje nga mëkatet.

Pejgamberi savs na ka urdhëruar që të jemi modestë, të moderuar dhe larg lakmisë. Ai ka thënë: „Bëju i kënaqur me atë që ke, do të jesh njeriu më i pasur.“
Lakmia dhe vrapimi pas të mirave të dynjasë e kërcënon ekzistencën e shoqërisë sonë dhe të të gjithë muslimanëve. Nuk po i zgjedhin mjetet dhe mënyrat për të fituar pasuri të reja të paluajtshme, fitime të reja të kësaj bote, vlera të përkohshme.

O Pejgamber i dashur,

Sot kur po e shënojmë ditëlindjen tënde – dhe këtë po e bëjmë me qëllim që të fokusohemi më fortë në Sunetin tënd dhe në rrugën e Islamit – le ta dish se drita të cilën ti e solle, e cila erdhi me lindjen tënde, gjithnjë e më pak gjendet në shoqëri, sepse në këtë shoqëri nuk ka kush i mbron të dobëtit, nuk ka kush t’u ndihmojë të rrezikuarve, nuk ka kush ta afirmojë drejtësinë.

Prandaj, o Pejgamber i dashur – atje ku ti e ke parë dritën, kur të janë treguar Lindja dhe Perëndimi, sot shihen vetëm dritat e kandilave, ndërsa aty jetojnë pasuesit tu të poshtëruar dhe të pafuqishëm.
Pejgamberi savs na ka urdhëruar që në mjedisin tonë ku jetojmë të dallohemi si bamirës. Ai ka thënë: „Bëji mirë fqinjit tënd, do të jesh mumin (besimtar)!“ Të jesh mumin, do të thotë të jesh besimtar, ndërsa besimi, siç shihet nga ky hadith, shprehet me vepra. „Pasha Allahun nuk beson, nuk beson! Pasha Allahun nuk beson ai nga dora dhe gjuha e të cilit nuk është i qetë fqinji i tij.“ (Muslimi)
Fqinjin as me aromën e tenxheres tij besimtari nuk duhet ta shqetësojë, as hije nuk duhet t’i shkaktojë pema e tij, as me ndërtimin e shtëpisë nuk duhet t’ia mbulojë shikimin.

Kush është ai në këtë vend që do të t’i mbrojë njerëzit, të cilët duke e ndarë kafshatën e gojës mezi kanë ndërtuar një shtëpi apo kanë blerë një banesë, kurse sot pranë dritareve të tyre ndërtohen kafene dhe lokale.
Pejgamberi savs pyet, kush është ai që do ta mbrojë njeriun e rëndomtë, të dobëtin dhe të pafuqishmin? Pejgamberi savs na ka urdhëruar që nëse duam të njihemi dhe të dallohemi si muslimanë nga të tjerët, dhe që tek ne të shihet drita e së vërtetës, që të shihet ajo drita të cilën e solli Pejgamberi savs, atëherë duhet të dëshirojmë për të tjerët atë dëshirojmë për vetveten. Ai ka thënë: „Dëshiro për njerëzit atë që dëshiron për vete, do të jesh musliman.“

O Pejgamber i dashur,

Ithtarët tuaj sot e dinë këtë, ata dinë shumë më tepër se kjo, por praktika e tyre, jeta e tyre këtë nuk e dëshmon. Ka ligjërata dhe tribuna, ka ezana të fortë, ka manifestime, dhe pasuesit tuaj lavdërohen me fenë e tyre, por nuk ka asnjë prej umetit tënd që të shkojë te vëllezërit tanë të dëbuar në Myanmar për t’ua lëmuar kokën dhe për t’ua garantuar sigurinë.

O Pejgamber i dashur, këto ditë atje do të shkojë Papa Françesku që të ndërmjetësojë për ta, ndërsa liderët e umetit tënd do të mbajnë ligjërata dhe do ta lëvdojnë bukurinë e fesë sonë, dhe ne të gjithë do të vazhdojmë ta jetojmë poshtërimin.

Pejgamberi savs na ka urdhëruar që të jemi serioz, të mos relaksohemi tepër dhe vazhdimisht t’i ruajmë kufijtë që na i ka caktuar Allahu i Plotfuqishëm. Këta janë kufijtë e njerëzisë dhe dinjitetit. Ai ka thënë: „Mos u qeshni së tepërmi, sepse e qeshura e tepruar e vdes zemrën!“ Ndërsa pasuesit tuaj, o Pejgamber, pikërisht, këtë janë duke e bërë. Ata krejt jetën ia kanë nënshtruar kësaj bote, duke harruar se kjo botë nuk është asgjë tjetër veçse lojë dhe dëfrim, ndërsa bota tjetër është jeta e vërtetë.

O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo që të bëhemi bartës të dritës së të Vërtetës. Amin!

Hatibi: Izet ef. Çamxhiq

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-