Kultura, letërsia dhe arti në shërbim të partisë në Shqipëri (1945-1968)

Opoja.net Opoja.net Opinione

Në bazë, pra, edhe të kësaj marrëveshje, solla me vete edhe këto filma: “Rukovicarka”, “Zuzu”,“Zivot na karieru”,“Bar Jugu”, “Kralijca Leda”, “Verni Drugovi”, “Pikava sedmica”, “Proljece Ljubavi”, “Trazan” dhe “Viki”(f.31), nga raporti mbi marrëveshjen e vitit 1945 të Ministrisë së Shtypit, Propagandës dhe Kulturës së Shqipërisë me përfaqësinë e filmave sovjetikë në Beograd dhe me Jugosllavinë e asaj kohë, për të shfaqur filma në gjuhën serbe dhe Ruse në Tiranë.

Shkruan: Nuridin AHMETI, Prishtinë

Përgjatë dekadave të fundit te ne, por edhe në botën e jashtme, janë botuar shkrime, monografi dhe janë mbajtur konferenca të ndryshme shkencore për Shqipërinë e periudhës së komunizmit etj. Studiues dhe të interesuar të tjerë kanë trajtuar segmente të caktuara të periudhës në fjalë. Nuk ka dyshim se këto studime kanë ndriçuar mjaft ngjarje dhe personalitete të caktuara, por duhet thënë sa ka raste kur autori i një shkrimi ose botimi monografik e ka shprehur edhe subjektivizmin e tij. Kjo, mbase, ka ndodhur për shumë arsye: njëra nga to mund të jetë sepse autori/ja mund të ketë shkruar për një familjar ose të afërm të tij, i cili ka kaluar nëpër tmerret e asaj diktature. Por, pa përjashtuar ata të cilët këto ngjarje i kanë parë me sy kritik dhe për fat të mirë kanë botuar shkrime e libra.

Sido që të jetë, kur shkruan për ngjarje të periudhës më të re, e cila është ende e freskët për një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë, kur dihet se ka njerëz të gjallë që e kanë jetuar atë periudhë, studiuesi duhet të jetë i kujdesshëm, mund të has në kritika dhe lëvdata. Pra, nisur nga këto që i thamë më sipër, është normale që njerëzit të cilët ishin në pozita udhëheqëse të bëjnë përpjekje që ta mbrojnë pushtetin e atëhershëm, në të cilin edhe ata në një formë ose tjetrën ishin të përfshirë, ndërsa pala tjetër, të cilët ishin viktima të atij sistemi, mundohen që ta shajnë, por edhe të kërkojnë drejtësi, sepse kishin vuajtur në këtë regjim.

Duke i pasur parasysh rrethanat e përgjithshme të realitetit shqiptar, por edhe specifikat dhe ndjeshmërinë që e shoqëron këtë çështje, bota intelektuale, në përgjithësi, e ajo akademike, në veçanti, duhet ta ngrenë një pyetje: për të shkruar diçka nga kjo periudhë, cila është e drejta që kërkohet? Si studiues, mendoj se kjo formë e publikimit të dokumentacionit, të cilin e kanë përzgjedhur përgatitësit e këtij vëllimi, është forma më e arsyeshme e publikimit të dokumentacionit për një periudhë më të re, sepse mundëson që studiuesi, por edhe lexuesi, në përgjithësi, të mos bjerë në grackën e asnjërit mendim për të cilët folëm si më sipër.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet pas vitit 1945 në Shqipëri, makineria e propagandës ishte mobilizuar shumanshëm, pothuajse në të gjitha cepat e Shqipërisë. Kjo formë e mobilizimit, ndikimi i politikës së saj në masat popullore, ishte e planifikuara dhe pati sukses për shumë gjenerata në Shqipëri. Njëra ndër format që partia dhe njerëzit e saj besnikë e kishin përzgjedhur për ta kontrolluar masën, ishte përmes kulturës, artit dhe letërsisë.

Andaj, këto forma të depërtimit dhe të ndikimit te masa nga partia në pushtet, janë shkruar në letër dhe u janë dërguar atyre që ata i kanë menduar. Fatmirësisht, një pjesë e madhe e këtij dokumentacioni është ruajtur, plane partiake të shumta dhe, më e mira, për mendimin tonë, është që një pjesë e tyre sot ka rënë në duart e studiuesve dhe këta të fundit pa hezitim ia vënë në dispozicion lexuesit.

Lufta kundër librave

Pas vitit 1945, kur forcat komuniste e morën pushtetin, ndër punët e para që ata bënë ishte konfiskimi i librave që gjendeshin në bibliotekat private të personaliteteve shqiptare e që pushteti i quante “armiq të popullit”. Këto veprime zyrtarizohen nga Presidiumi i Kuvendit Popullor në vitin 1950, i cili nxjerr dekretin prej gjashtë nenesh. Neni i parë i këtij dekreti thotë: “Të gjitha librat, revistat e gazetat kartolinat dhe pllakat e gramafonit, të botuara, të incizuara në vend ose të hyra në Shqipëri para 29 Nëntorit 1944, që ndodhen pranë shitësve privatë (ambulantë ose stabël), me hyrjen në fuqi të këtij dekreti, konsiderohen të bllokuara” (f. 193). Librat e konfiskuara nga Ministria e Financave, me kërkesë të Komitetit të Arteve dhe Kulturës, ishte urdhëruar që t’u dorëzoheshin përgjegjësve të kulturës në qarqe dhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Por, sipas dokumentacionit të publikuar në këtë vëllim, organet e pasurisë shtetërore fillojnë të nxjerrin pengesa të natyrave të ndryshme dhe, rrjedhimisht, “kjo ka ndikuar që puna të ndalohet dhe këto libra të prishen në depo” (f. 66). Gjithashtu, Komiteti i Arteve dhe Kulturës urdhëroi që librat e konfiskuara të vendoseshin në arka dhe arkave t’u vendoseshin mbishkrimet me emrat e atyre që u ishin konfiskuan (f. 195-196).

Nga sa u tha më sipër, mund të kuptohet se librat u konfiskuan për t’u dorëzuar në Bibliotekën Kombëtare, por realisht përfunduan në depo të ndryshme, sepse u nxorën “pengesa” financiare. Nga kjo kuptohet se librat që u vendosen në depo ishin pa kushte optimale për ruajte dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre u prishën dhe përfunduan në plehra. Në procesin e konfiskimit të librave disa personave ua shënuan emrin në arkë dhe ndoshta librat e tyre nuk u ruajtën, por emri i tyre u regjistrua dhe ata u thirrën në organet e pushtetit të atëhershëm dhe ashtu përfunduan në qeli. Në mesin e shumë pyetjeve e dilemave për këtë proces tani shtrohet edhe pyetja se çfarë u bë me librat fetarë qindravjeçarë, enciklopeditë e huaja (f. 197) të konfiskuara? Sigurisht, një pjesë e mirë e tyre përfunduan në plehra, siç edhe mund të shihet nga disa dokumente të përmbledhura në këtë vëllim.

Në lidhje më këto veprime të pushtetit të atëhershëm ndaj librave, përveç dokumenteve të prezantuara në këtë vëllim, janë mjaft prekëse edhe kujtimet që disa nga pronaret e këtyre librave i kanë lënë. Njëra nga familjet që posedonte libra të shumtë në bibliotekën personale, të trashëguara për disa gjenerata, ishte edhe familja fisnike e Vlorajve. Si rezultat i aprovimit dhe zbatimit të urdhëresave e ligjeve të lartcekura, edhe atyre iu konfiskuan librat. Pinjolli i kësaj familje, Eqrem bej Vlora, në kujtimet e tij shkruan për dorëshkrimet e shumta dhe dokumentacionet që e kishin në bibliotekën personale. “Ato së bashku me shumë libra humbën në dhjetor të vitit 1944, kur komunistet e konfiskuan bibliotekën tonë në Vlorë” – shkruante Vlora. (Eqrem bej Vlora, Kujtime 1885-1925, (Përktheu nga gjermanishtja: Afrim Koçi), Shtëpia e Librit&Komunikimit, Tiranë, 2003, f. 15).

Ky proces e preku edhe atdhetarin e njohur nga Shkodra, Hafëz Ali Kraja, i persekutuar i regjimit komunist, miku i At Gjergj Fishtës, autor i librit “A e pengon feja bashkimin kombëtar?”. Pas vitit 1945 forcat e sigurimit shqiptar shkuan për t’ia konfiskuar librat. Djali i tij, i cili e përjetoi këtë tmerr, sjelljet e babait të tij dhe të njerëzve të cilët kishin ardhur për t’ia marrë librat Hafz Ali Krajës i përshkruan kështu: ”Nuk e kisha parë kurrë babën duke qarë… rrëkëllente kokrrat e mëdha të tespiheve prej qelibarit të verdhë dhe sumbullat të shndritshme lotësh i rridhnin, humbisnin në mjekrën e tij të dendur. Dje gjithë ditën e lume, deri në muzg, punëtorë e policë, e zbrazën shtëpinë tonë trekatëshe. Pirgjet e librave i hidhnin në karaserinë e një kamioni ushtarak. Vetëm një herë shefi i degës iu drejtua tim eti, me një libër të trashë në dorë, ç’thotë, pyeti? – Im atë që sillej krahë prerë nga shtëpia në oborr e nga oborri në shtëpi, u afrua, lexoi titullin në gjermanisht, dhe si e pa që tjetri nuk kuptoi gjë, e tha në shqip: “Ozvallshpengler – Perëndimi i Evropës”. Sa gjuhë di ti? Shtatë, tre të vdekuna e katër të gjalla. Po të vdekurat, pse të duhen, flet me t’vdekurit? Baba ia nguli sytë me inat dhe nuk i kthej përgjigje. Hmmm, shtatë gjuhë gjarpërisht ditka ky sevdalliu i Allahut, i tha një polici në karoseri, duke e hedhur librin në ajër. Po me se i ka blerë do thuash ti? – Me djersën e popullit, duke i mashtruar, kërkoi me sy reagimin e tim eti, por, Ai as u përgjigje, e as ktheu kokën. Kur raftet qenë boshatisur tej përtej dhomave të shtëpisë, im atë Hafiz Aliu, nisi të endej e të tundte krahët, i lëshonte, mandej prapë fliste me vete, dhjetëmijë libra, të stërgjyshit, të gjyshit, të babës, të miat. Endej nga dhoma në dhomë, pa gjetur prehje, si një gjel fytpremë, dhjetëmijë libra, me njenën dorë rrotullon tespihet, me trinin e tjetrës fshinë lotët”. – kujton i biri i tij. (https://www.youtube.com/watch?v=CdOc_Rf_IhI). Histori të ngjashme kemi edhe me konfiskimin e librave të klerikëve të feve tjera në Shqipëri dhe posaçërisht, fatin e keq do ta kenë librat e bibliotekave të jezuitëve dhe françeskanëve në Shkodër (f.66).

Projektet shkencore dhe edukative

Kur e trajtojmë këtë tematikë, mendojmë se duhet të theksohet se porosia e pushteti për Institutin e Shkencave ishte: “Të marrë masat e duhura për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve dhe të bashkëpunimit të frytshëm me institucionet përkatëse të Bashkimit Sovjetik (f. 290)”, ndërsa për shkrimin e Historisë së Letërsisë Shqiptare dhe Historisë së Popullit Shqiptar, pushteti tërheq vëmendjen “mbi rëndësinë e madhe ideologjike dhe politike (f. 291)”, që kanë këto projekte me rastin e realizimit. Ndikimi i kulturës ruse në atë periudhë në Shqipëri, si në film, teatër, botime etj., ishte vërejtur nga studiuesi e orientalisti me famë botërore, kërçovari, prof. dr. Hasan Kaleshi, i cili – në lidhje me atë që po ndodhte në Shqipëri – shfaqi shqetësimin e tij përmes një artikulli të botuar në të përjavshmen e asaj kohe, gazetën “Rilindja” në Prishtinë, më 9 gusht të vitit 1953, me titull: “Rusifikimi i botimeve në Shqipni”.

Gjithashtu, pushteti i atëhershëm, nuk e anashkaloi as “edukimin” e gruas, përkitazi me këtë ata nxjerrin një udhëzues për edukimin e grave dhe sidomos grave të veriut. Ky dokument porosiste që grave veriore t’ua mësonin sa më shumë luftën çlirimtare, sepse – sipas përpiluesve të këtyre dokumenteve – gratë e veriut e njohin pak luftën (f. 62), e, rrjedhimisht, këto njohuri do të duhet t’ua jepnin gratë nga jugu. Një arsyetim i tillë nuk duket shumë bindës. Përkundrazi, ky veprim shkon drejt thellimit të ndarjes veri-jug.

Përfundim

Nga tetëdhjetë e nëntë dokumentet e publikuara në këtë vëllim lexuesit do të gjejnë informacione të mjaftueshme mbi planet e partisë komuniste në Shqipëri, fillimisht që ta imponojnë në çdo mënyrë vijën e tyre ideologjike, për të vazhduar më pas me kontrollin e turmave.

Partia ishte e interesuar vazhdimisht që të hapeshin biblioteka në të gjitha cepat e Shqipërisë dhe këto biblioteka të pajisen me librat që lidheshin me historinë ruse, me markzisëm-lëninizmin etj., që tanimë i kishin porositur në Bashkimin Sovjetik, menjëherë pas vitit 1945, libra këto që do ta forconin politiken ruse në Shqipëri.

Sipas këtyre dokumenteve, aktorët, shkrimtarët, artistët patjetër duhej të pajiseshin me njohuri ideologjike, të dërgoheshin edhe për specializime, sidomos në Rusi, në mënyrë që vendit t’i shërbejnë në formën më të mirë.

Ndonëse mund të thuhet se publikimi i këtyre dokumenteve është i vonshëm, megjithatë, është një nisme e mbarë dhe për t’u admiruar. Tre bashkëpërgatitësit, akademik Beqir Meta –studiues me përvojë mbi njëzetvjeçare dhe njohës i mirë i punës së publikimit të dokumenteve arkivore; dr. doc. Afrim Krasniqi – studiues dhe analist politik, njohës i mirë i rrethanave politike që trajtohen edhe në këto dokumente; dhe dr. Hasan Bello – studiues tashmë i dëshmuar në studimet historike dhe hulumtues i pasionuar i arkivave, janë dëshmia më e mirë e një punë të suksesshme. Por, kur gjithë kësaj ia shtojmë edhe faktin se kjo përmbledhje dokumentesh mban edhe emrin e botuesit, Akademia e Studimeve Albanologjike – Instituti Historisë, që në dekadën e fundit ky institucion i ka intensifikuar botimet me dokumente historike dhe, në anën tjetër, botimi ka gjetur mbështetjen e Fondacionit “Konrad Adenaur”, këto janë fakte domethënëse që tregojnë se kjo përmbledhje është cilësore, si nga ana profesionale, ashtu edhe nga ajo teknike.

Ky vëllim me përmbledhje dokumentesh do t’u shërbejë të gjithë atyre që janë të interesuar të kenë njohuri faktike nga e kaluara e afërt e artit dhe artistëve, shkencave shoqërore, historisë e letërsisë etj. Është ky material i mirë edhe për aktorët, që të kenë informacione të bollshme mbi filmin e teatrin dhe rrjedhat e këtyre institucioneve gjatë viteve 1945-1968. Ky vëllim do t’u shërbejë të gjithë të interesuarve që dëshirojnë ta dinë se deri në çfarë mase ishte shtrirë ndikimi nga Beogradi dhe Moska në kulturën, letërsinë dhe artin në Shqipëri gjatë këtyre viteve.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-