Opoja.net

Kush është Valent Qafleshi nga Bellobradi i Opojës?

Opoja Personazhe

Shkruar nga: Muharrem Qafleshi

Djaloshi që e përqafoi i pari dhe i dhuroi lule presidentit Rugova
“Kurrë nuk do ta harrojë fytyrën skofiare të presidentit Rugova, e cila gjithmonë rrezatonte jetë, liri, e demokraci”, thotë Lenti i vogël, dhe saherë që i shpalos këto kujtime, sytë i mbushen me lot.

E veçanta e djaloshit Valent Qafleshi, nga fshati Bellobrad i Opojës, komuna e Dragashit, është ajo se ai më shumë se çdo moshatar i tij merr pjesë në të gjitha manifestimet e ndryshme kulturo sportive, jo vetëm në këtë komunë, po edhe gjithandej në Kosovë. Është ky hobi i tij, nga i cili nuk mund të ndahet. Dhe për këtë arsye shumëkush e njeh atë, madje edhe shumë sish nga udhëheqësit më të lartë të Kosovës , si edhe shumë emra të njohur nga të gjitha fushat e jetës, të kulturës, artit, sportit etj.

Fotot që përjetësojnë shumë kujtime

Qëndrojmë në dhomën e tij. I tërë muri është i stolisur me shumë fotografi. Ndërkaq Lenti, siç e quajnë të gjithë, me krenari ua tregon të gjithë vizitorëve të gjitha fotografitë, të cilat i ruan me xhelozinë më të madhe. Shikojmë me radhë. Në të gjitha ato fotografi mund të shihet Lent i vogël pranë shumë emrave të njohur. Në krye të të gjitha atyre, qëndrojnë fotot e tij me presidentin, tani më të ndjerë, Rugova. Ato janë shumë. Sa here që presidenti Rugova ka qëndruar në Dragash, ai është fotografuar me Lentin. Ka edhe shumë fotografi me te edhe në Prishtinë. Pasojnë fotografitë e tij me presidentin akktual, Fatmir Sejdiun, Qemajl Ahmetin, Astrit Haraqinë, Lutfi Hazirin, Melihate Tërmkollin, Adem Salihajn etj. Nuk mungojnë edhe ato me emrat më të shquar të muzikës, dramës e figurave të ndryshme politiko shoqërore, siç janë :Adelina Ismaili, Rasim Thaqi – Cima, Ibrahim Krajkova, Gjejlane Godanci etj etj. Të gjitha ato ai i ruan si kujtime të bukura nga jeta e tij fëminore. Janë këto kujtimet më të bukura nga ditët më të hershme të tij. Ditë që nuk do t i harrojë kurrë…

Dita më e madhe në jetën e tij

“Mezi e pritja një qershorit e vitit 2002. Atë ditë, komunën e Dragashit do ta vizitonte për herë të parë, ish presidenti Rugova. Disa ditë para kësaj ngjarjeje të madhe nuk mund të flija. Nga xhaxhai im, isha njoftuar se atë ditë do të isha edhe unë në radhën e atyre që do ta pritnin presidentin tim aq të dashur. Për më tepër, unë do të isha i pari fëmijë i kësaj komune që do t i dhuroja lule dhe do ta përqafoja presidentin, të cilin e ëndërroja shumë më parë. Dhe më në fund, ajo ditë e shumëpritur erdhi. Turma e madhe njerëzish ishin tubuar në sheshin kryesor të qytezës së Dragashit për të pritur prijësin e tyre të madh, simbolin e paqes e lirisë…”, kështu i evokon kujtimet e veta ky vocërrak që atë ditë ishte aq i nderuar e aq krenar. Në vazhdim ai rrëfen se të gjithë fëmijët tjerë të tubuar në këtë shesh e shikonin me admirim këtë skenë të paharrueshme.
Dhe momenti i shumëpritur tani më ishte para syve të tij. Eskorta e presidentit ndalet në sheshin e qytezës. Hapen dyert dhe para tij dhe para masës së madhe, e cila brohoritte e entuziazmuar, u duk figura madhështore e ish presidentit. Lentit i rrihte fort zemra, sikur të donte të dilte nga gjoksi. Këmbët iu bën të rënda si të ishin prej tunxhi. Megjithatë, mblodhi tërë forcën, marshoi disa hapa dhe u gjend ballë për ballë me presidentin aq të admiruar. I entuziazmuar ia zgjati buqetën me lule. Presidenti, pasi që i mori lulet, e përqafoi fortë dhe e puthi në ballë. Masa e madhe e njerëzve brohorite pa ndërprerë. Ishin këto momente që nuk mund të përshkruhen me fjalë.
“Kurrë nuk do ta harrojë atë puthje aq të ëmbël. As duart e tij, me të cilat m i ledhatoi ai faqet. Isha tepër i gëzuar. Nuk mund t u besoja syve se personi që aq shumë e doja ishte pranë meje , në përqafimin tim. E tëra kjo më dukej si ëndërr. Por, jo. Ishte kjo një ngjarje e vërtetë, Shumë e vërtetë. Mezi pëshpërita : Zoti president, ju dua shumë, aq shumë sa ju do edhe populli i Kosovës.” Ishte ky takimi im i parë me te. Ë pastaj jam takuar dhe i kam dhuruar lule, saherë që ai ka qëndruar në komunën tonë. Por, herëve tjera isha më i lire. Es shikoja si mikun dhe të afërmin tim. Por emocionet gjithnjë ishin të njëjta. Të papërshkrueshme.
Ai ka pasur edhe shumë takime me këngëtarë shumë të njohur, aktorë, sportistë. Edhe këto takime ai i ka të përjetësuara me fotoaparat. Megjithatë, takimet me presidentin për të kanë shumë të veçanta dhe fascinuese, ngase ai për të ka qenë dhe do të mbetet prore një person shumë i madh, simbol i paqes dhe lirisë. Një burrështetas që ka bërë aq shumë për Kosovën, e cila kurrë nuk do ta harrojë. Dhe jo vetëm Kosova. Atë, sipas tij, do ta mbajnë mend përgjithmonë edhe shqiptarët e të gjitha trojeve, kudo që janë. Vepra e tij madhështore e ka bërë të pavdekshëm.

Dita më e pikëlluar e Lentit

Mjerisht, para një viti, arriti edhe dita më e pikëlluar, jo vetëm për Lentin, po edhe për të gjithë shqiptarët. Ishte kjo dita kur presidenti ynë i dashur ndahet nga jeta. Ende pa u zgjidhur statusi final i Kosovës. Ende pa u shpallur pavarësia, të cilën ai e kishte skicuar shumë më parë. Ishte ajo dita më e zymtë e Kosovës. Edhe moti sikur ishte egërsuar. Tetë orë ka pritur Lenti për të hyrë në sallën ku ishte i vendosur trupi i pajetë i presidentit. Gati ishte ngrirë. Por asnjëherë nuk i shkonte ndërmend që të tërhiqej nga rrejeshti pa e parë arkivolin e presidentit.
Dhe, sot, saherë që ai flet për të, atij i mbushen sytë me lot. Nuk mund të përmbahet. Fytyra e tij skofiare dhe buzëqeshja e tij që rrezatonte dashuri, paqe e demokraci kurrë nuk do të shlyhen nga kujtesa e tij…

Image may contain: 3 people, outdoor

Image may contain: 2 people, people smiling, closeup

 

Mos i humb

DKA në Dragash në koordinim me MASHT edhe këtë vit ka vazhduar me trajnimin e mësimdhënësve

Opoja.net

Familja Kasami nga Bresana shëmbëlltyrë për të mirë!

Opoja.net

Pamje rrënqethëse nga lufta në rrethinën e Dragashit, kufomat e njerëzve në bunar e lumë

Opoja.net

Hidhen mbetjet e kafshëve në deponinë Zhur – Dragash, e cila është e destinuar për mbeturina të ngurta

Kushtrim Guraj

Zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugës Zhur – Dragash – Brod

Opoja.net

Afrohen zgjedhjet, Kadri Veseli shkon në xhami…!

Kushtrim Guraj
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net