Miqësia

Opoja.net Opoja.net Artikuj

“Shoku është një dhuratë që ti i bën vetvetes.” (Robert Louis Stevenson)

Që me lindjen e njeriut ka lindur dhe nevoja të mos jetë vetëm. Për të mbijetuar atij i duhej të qëndronte me të tjerë e llojit të tij. Por tani kohët kanë ndryshuar. Njeriut nuk i duhet më të mbrohet nga kafshët e egra por nga diçka më e madhe, më e egër dhe më e pamëshirshme, siç janë vetë njerëzit.

Kjo shpjegon nevojën për miqësinë …

Miqësia është një marrëdhënie që mund të ndërtohet në shumë forma. Ajo ka për qëllim t’i bëjë njerëzit të ndihen më mire, më të sigurt, sikur nuk janë të vetëm në problemet e tyre, por kanë dikë që jo t’ua zgjidhë, por thjesht t’i dëgjojë ato. Por si çdo gjë tjetër që ka një fillim dhe një mbarim edhe miqësitë shpesh nuk janë të përjetshme. Kjo ndodh, sepse përkrah përditshmërisë hyjnë, intrigat, konkurrenca etj., veti këto që kanë lindur që me njerëzimin dhe po shtohen për shkak të individualizmit njerëzor. Vetë jeta është kthyer në një luftë për mbijetesë në çdo hallkë të saj. Prandaj, përtej dëshirës së madhe nuk mund të krijojmë dhe të mbajmë kurrë një miqësi të sinqertë e dashamirëse. Jo vetëm me një mik, por edhe me një të afërm apo të familjes kthehemi në një moment të caktuar në rivalë e konkurrentë të fortë. Megjithatë në emër të kësaj “mbijetese” ne nuk kemi pse humbasim të gjitha virtytet më të mira të cilat duhen vite për t’u fituar. Dhe në një moment hedhim poshtë vite të tëra pune…

Sa e bukur është miqësia ?

“Unë kurrë nuk e kam marrë si shkak për t’u ndarë nga një mik dallimin e opinionit mbi politikën, fenë, apo filozofinë.” (Thomas Jefferson)

E pazëvendësueshme, e hapur, që përshtatet me lehtësi. Me shumë se dashuria, miqësia është lidhja më e fortë dhe më e sigurt e kohës, por që dalëngadalë po i humbet vlerat e saj. Nga pikëpamja objektive, me miqësi kuptohet një lloj lidhjeje shoqërore e ndërthurur me një ndjenjë të fortë dashurie reciproke mes dy ose më shumë personave të së njëjtës ose jo gjini. Nga pikëpamja subjektive, së bashku me dashurinë, miqësia karakterizohet nga një emocion i fortë duke zbukuruar edhe më shumë jetën sociale të një individi. Prandaj  Aristoteli e përshkruan miqësinë: “Një shpirt në dy trupa”.

Pothuajse në të gjitha kulturat, miqësia kuptohet dhe perceptohet si një marrëdhënie e barabartë, e bazuar te respekti, vlerësimi dhe gatishmëria reciproke. Në përgjithësi dallohen miqësi të ndryshme të mëdha. Për shembull, një prej tyre është miqësia e rastësishme që lidhet me një simpati: lind papritur në një rrethanë të caktuar. Një miqësi tjetër është edhe ajo e ashtuquajtur e ngushtë, ose më saktë, që lidhet me një marrëdhënie të vazhdueshme në kohë, mes personave të cilët arrijnë të krijojnë një shkallë mirëbesimi reciprok të krahasueshëm me atë tipik të lidhjes në çift. Në çdo epokë, miqësia është konsideruar një nga eksperiencat më të rëndësishme njerëzore dhe është shenjtëruar nga të gjitha besimet.

Familja është konsideruar si gjëja më e rëndësishme në jetë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për miqësinë. Miku i zemrës është njësoj si një i afërm, që e ke të vështirë të ndahesh prej tij. Me shokët e shoqet mund të jesh vetvetja. Miqësia moderne është përgjigjja e shumë ndryshimeve sociale. Marrëdhëniet e paqëndrueshme në çift dhe pasiguria bëjnë që miqësia të jetë struktura më e fortë e një marrëdhënieje. Miqësia është mbështetja më e madhe, sidomos në momentet më të vështira të jetës: në rast divorci, zie, vështirësish etj. Por disa e konsiderojnë miqësinë si më të rëndësishme se familja. Aktorja Serra Yilmaz shprehet:
“Për mua miqësia ka qenë gjithmonë më e rëndësishme se familja. Kam miq të mirë të cilët më kanë zgjedhur për atë që jam jo për atë çfarë përfaqësoj. Rri me ta sepse më pëlqen të ndajmë çdo gjë bashkë. Edhe pse janë shumë të ndryshëm nga unë, kanë disa gjëra misterioze që na bashkojnë”.

  • Xhelozia në miqësi
  • Miqësia është një nga gjërat më të bukura që kemi në jetë. Biseda me një shok ose shoqe na ndihmon për t’u shprehur e për të ndarë diçka. Është si të shkosh te një psikolog. Por rëndom ndodh që marrëdhëniet tona me miqtë tanë prishen nëse xhelozia zë rrënjë. Xhelozia është një emocion që lind që në fëmijëri. Që të vegjël ndiejmë xhelozi, ndërsa vëllai apo motra jonë merr më tepër vëmendje, dashuri apo përkushtim nga prindërit. Edhe pse të vegjël, fëmijët kuptojnë dhe dinë të shprehin pastër këtë ndjenjë. Duan gjithmonë të jenë në qendër të vëmendjes, t’u plotësohet çdo dëshirë, dhe fillojnë e ndihen keq nëse të tjerët në shkollë kanë marrë dhuratën më të bukur. E ndërsa rritemi, ndjenja në fjalë, e cila ndryshe do të përshkruhej si ndjesia negative e inferioritetit, bëhet më masive dhe ndonjëherë na pengon në krijimin e një raporti apo kur ndajmë një shoqëri me miqtë dhe të afërmit tanë. E kur bëhet fjalë për këtë të fundit, shpesh xhelozia ka shkatërruar edhe shoqëri të forta të krijuara prej vitesh. Ndoshta mes shoqesh të ngushta, shokësh për arsye të forta xhelozie, por që në fakt janë veçse arsye pa logjikë. Është një situatë acaruese. Të ndodh që shoqja jote e ngushtë është kaq e bukur dhe duket se gjithmonë del me djalin që do dëshiroje të kishe. Është e suksesshme në dashuri dhe kjo të bën të ndihesh keq apo ta urresh atë, në mënyrë të padrejtë. Apo fillon të urresh shokun tënd, pasi ai fitoi një kualifikim që ty nuk t’u dha asnjëherë mundësia. Kjo është xhelozia, ndjenja e dobësisë që na lind për shkak të suksesit të tjetrit.

  • Miqësia mes meshkujve dhe femrave
  • A munden meshkujt dhe femrat të jenë vetëm miq???

    “Çdo dashuri që s’ka shoqërinë si pikënisje është si një mur i ndërtuar në rërë.” (Ella Wheeler Wilcox)

    Miqësia me gjininë e kundërt është si të ecësh mbi akull të hollë. Janë të shumtë ata që thonë se meshkujt dhe femrat nuk mund të jenë “vetëm” miq. Por disa të tjerë insistojnë në të kundërtën. Kufiri midis miqësisë dhe “diçkaje më shumë” është shumë i hollë. Në çdo moment mund të lindë dashuria, apo epshi midis këtij lloji të miqve. Kjo lloj dashurie e lindur është më afatgjatë se dashuritë e tjera. Nga eksperimentet është shikuar se dashuritë që lindin nga miqësia janë shumë afatgjata, të suksesshme dhe të forta.

    /OPOJAnet/

    Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

    - Reklama-
    - Reklama-