Misioni i myslimanit në jetën e tij

Opoja.net Opoja.net Artikuj
  1. Të jetojë Islamin në të gjitha aspektet e jetës.

Ebu Dherri (r.a.), e ka pyetur Pejgamberin(a.s.): “O i Dërguari i Allahut, më trego një vepër që nëse e bëj do të fitoj Xhenetin.” Profeti (a.s.), i është përgjigjur: “Besimi në Allahun.” Kur Ebu Dherri (r.a.), pyeti sërish: “A ka nevojë imani për vepra?” Pejgamberi (a.s.), i dha disa alternativa të veprave të imanit që përfshijnë aspekte të ndryshme të jetës së besimtarit:

1. Le të japë nga pasuria që i ka dhënë Zoti. Ebu Dherri pyeti: “Po nëse është fukara?” Atëherë, Profeti (a.s.), i dha një alternativë tjetër:

2. Të flasë një gjë të mirë. Ebu Dherri pyeti: “Po nëse personi është memec?”

3. Le të ndihmojë një person të cilit i është bërë zullum (padrejtësi). Ebu Dherri pyeti: “Por nëse personi është i dobët e nuk ka forcë të ndihmojë?”

4. Le ta ndihmojë të paaftin në punën e tij. Ebu Dherri pyeti: “Po nëse personi është i paaftë  e nuk ka asnjërën prej këtyre mundësive?” Pastaj, Pejgamberi (a.s.), i tha Ebu Dherrit: “Ti nuk do të lësh asnjë mundësi, atëherë të mos u bëjë keq njerëzve.”[1] (Nëse myslimani nuk ka mundësi të bëjë të mira, të paktën të mos i bëjë keq kujt.)

2. Të  pasqyrojë mësimet e Islamit në jetë. Zoti (xh.sh.), e ka dërguar Profetin (a.s.), me misionin e mëshirës. Ne si besimtarë sa e reflektojmë mëshirën në jetën tonë?                                          Allahu (xh.sh.), thotë: “Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha botët.” [2] Duke komentuar ajetin e lartpërmendur, Imam Razi në tefsirin e tij thekson: “Muhamedi (a.s.), ishte mëshirë në fe dhe mëshirë në këtë botë. Mëshirë në fe, sepse ai (a.s.), u dërgua, ndërkohë që njerëzit jetonin në injorancë dhe humbje…i ftoi në të vërtetën, u shpjegoi atyre rrugët e shpërblimit dhe u qartësoi atyre vendimet, duke bërë dallimin në mes hallallit dhe haramit. Mëshirë në këtë botë për faktin se ata shpëtuan për shkak të tij nga shumë poshtërime, luftëra dhe vrasje, si dhe triumfuan për shkak të fesë së tij”.

Në momentet më të rënda, në luftën e Uhudit, kur idhujtarët u munduan ta vrisnin Pejgamberin (a.s.) dhe e detyruan atë të drejtohej drejt një kurthi, një grope të hapur, i rrethuar nga të gjitha anët me armiq ai (a.s.), u plagos rëndë, aq sa u dëmtua në fytyrën e bekuar që ia mbuloi gjaku dhe iu thyen dy dhëmbët e përparmë.  Sahabët u zemëruan dhe i thanë: “Lutu kundër tyre (idhujtarëve) o i Dërguar i Allahut”, ndërsa ai iu përgjigj: “Unë nuk jam dërguar për të mallkuar, por vetëm për mëshirë”.

Ai i ngriti duart nga qielli, dhe njerëzit që e panë duke vepruar ashtu menduan se Profeti do t’i mallkonte idhujtarët, ndërsa nga goja e tij e bekuar dolën fjalët: “Zoti im! Fale, udhëzoje popullin tim, sepse ata nuk e dinë se ç’po veprojnë”.

3. Allahu (xh.sh.), thotë: “Elif Lam Ra. Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed), për t’i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd”.[3]

Syri ynë duhet të jetë afrimi i njerëzve nga feja, jo nxerrja e tyre.

Dijetari dhe hajduti

Hyri një hajdut në shtëpinë e Malik bin Dinarit, por nuk gjeti në të asgjë për të vjedhur dhe kur Malik bin Dinari sapo mbaroi namazin e tij i tha: “Erdhe që të marrësh diçka të kësaj bote, po për botën tjetër çfarë ke marrë?”; Hajduti i çuditur nga fjalët e dijetarit ulet pranë Malik bin Dinarit i cili e këshillon, derisa përloten të dy së bashku. Në mëngjes shkojnë të dy në xhami dhe kur njerëzit i shohin, të habitur pyesin se si ka mundësi që dijetari më i madh është bashkë me hajdutin më të madh?! Malik bin Dinar u tha: “Ky njeri erdhi të na vjedhë ne, por ne ia vodhëm zemrën atij.”[4]

Njëherë, Profetin (a.s.), e pyetën: “Cila është ajo punë që i fut më shumë njerëzit në Xhenet?” Profeti (a.s.), iu përgjigj: “Frika nga Allahu dhe morali i lartë.” [5]

4. Misioni ynë duhet të jetë mësimi dhe lehtësimi i fesë së Zotit për njerëzit. Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Në të vërtetë, Allahu nuk më ka dërguar si dëmtues dhe vështirësues, por më ka dërguar mësues dhe lehtësues.” [6]

5. Shfrytëzimi i rastit për të bërë vepra të mira. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Ruajuni Zjarrit, qoftë edhe me gjysmë hurme, ose edhe me një fjalë të mirë” [7] Allahu (xh.sh.), thotë:

“Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë”. [8]

Ebu Hurejra (r.a.), transmeton dhe thotë se i Dërguari (a.s.), ka thënë: “Një njeri, duke udhëtuar e kishte lodhur etja e madhe. Gjen një pus, zbret poshtë dhe shuan etjen. Kur del jashtë gjen një qen me gjuhë të nxjerrë jashtë, që hante dheun nga etja. Atëherë mendoi me vete: ‘Kjo krijesë ndihet e etur, ashtu siç ndihesha unë pak më parë.’ Zbret përsëri në pus, mbush këpucën e tij me ujë, ngjitet dhe ia jep qenit. Allahu për këtë e shpërbleu dhe ia fali gjynahet”.[9] “Një grua u ndëshkua për shkak të një maceje. Ajo e mbylli atë derisa ngordhi nga uria. As nuk e ushqeu dhe as nuk e la të lirë të ushqehej vetë.”[10]

6. Adhurimi i Zotit pasimi i Profetit (a.s.), dhe dashuria ndaj Tij. Është misioni më kryesor në jetën e myslimanit. Allahu (xh.sh.), thotë: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë” [11] “Adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja” [12] Enes ibn Maliku( r.a.), tregon se një njeri e ka pyetur Pejgamberin (a.s.), se kur do të ndodhë Dita e Gjykimit. Pejgamberi (a.s.), e pyeti se çfarë kishte përgatitur ai për Ditën e Gjykimit. Personi iu përgjigj: “Për Ditën e Gjykimit nuk kam përgatitur shumë gjëra me përjashtim të obligimeve, por e dua Allahun dhe Pejgamberin e Tij.” Pejgamberi (a.s.), i tha: “Ti do të jesh në botën tjetër së bashku me atë që  do.” [13]

Një burrë prej ensarëve shkoi te Profeti (a.s.). Shenjat e mërzitjes dukeshin qartë në fytyrën e tij. I Dërguari i Allahut (a.s.), i tha:“O filan, më dukesh mjaft i mërzitur, çfarë të shqetëson?” Ai tha: “O i Dërguar i Allahut, u shqetësova kur mendova për diçka.”  E për çfarë mendove? – i tha  Profeti (a.s.). Ai tha: “Ne shkojmë e vijmë, dhe ti je pranë nesh. E shohim fytyrën tënde dhe bisedojmë me ty. Ndërsa nesër ti do të bashkohesh me Profetët. Ne nuk do të arrijmë dot ty dhe nuk do të të shohim më!” Profeti (a.s.), heshti, nuk tha asgjë. Pas pak zbriti Xhebraili (a.s.), me fjalën e Allahut: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët. Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” [14] Pastaj Profeti (a.s.), dërgoi një lajmëtar që ta përgëzonte ensariun me këtë ajet.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-