Mos i gjyko njerëzit me shpejtësi!

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Në një vend të vogël jetonte një piktor plak, i cili kryesisht e pikturonte natyrën. Pikturat e tij ishin shumë të bukura dhe me cilësi, por ai, përkundër kësaj, i shiste me çmim të volitshëm dhe jetonte mirë.
Një ditë i erdhi një njeri i varfër nga ai vendi dhe i tha: “Ti po fiton shumë para nga puna jote, pse nuk po u ndihmon vendasve tanë të varfër? Pse nuk po e shikon shembullin e kasapit tonë, i cili edhe pse nuk ka shumë para, por për çdo ditë ju ndan mish njerëzve të varfër në fshatin tonë.”

Piktori nuk iu përgjigj, por vetëm buzëqeshi. I varfri i zemëruar e braktisi shtëpinë e piktorit dhe filloi ta përhapë lajmin nëpër fshat se piktori është njeri i pasur, por është shumë koprrac. Vendasit u pajtuan me tregimin e të varfrit dhe deshën t’i hakmerreshin piktorit për shkak të koprracisë së tij.

Pas një kohe, piktori plak u sëmurë, por asnjë nga vendasit nuk shkoi ta vizitonte. Së shpejti pas kësaj, piktori vdiq i vetmuar në shtëpinë e tij.

Ditët po kalonin dhe banorët vendës vunë re se kasapi nuk po ndante mish falas siç bëri më parë. Kur e pyetën për arsyen, ai u tha atyre:

“Derisa piktori ynë plak ishte gjallë, ai për çdo muaj më jepte mua një shumë të caktuar parash dhe më thoshte që në vlerën e asaj shume, të ndaj mish për vendësit e varfër. Mirëpo, prej kur vdiq ai, unë më nuk kam mundësi të ndaj mish falas.”

Prandaj, mos të marrim vendim (gjykim) të shpejtë për tjetrin në bazë të asaj që shohim, sepse ndoshta në jetën e tij ka diçka, që nëse e zbulojmë, do ta ndryshonim mendimin për të.

Përshtati: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-