Opoja.net

Ndërkohë që kamera hyjnore është në xhirim…

Të gjithë pejgamberët kanë njoftuar për një udhëtim nga kjo botë për në botën e përtejme, këtë e dimë. Ka lindje, ka vdekje. Edhe këtë e dimë. As lindja, as vdekja nuk janë në dorën tonë, këtë e dimë. Fuqia që ka krijuar jetën dhe vdekjen ka njoftuar se kjo botë është një fushë për t’u sprovuar, edhe këtë e dimë. Gjithashtu e dimë se një kamera hyjnore është në xhirim në çdo moment, në formën më të përpiktë dhe me cilësinë më të lartë. Allahu i shikon ato që bëjmë dhe i dëgjon ato që themi, edhe këtë e dimë.

Ne e dimë se pranë nesh gjenden dy engjëj, që vazhdimisht mbajnë shënim dhe i regjistrojnë të mirat e të këqijat tona. Gjithashtu e dimë se i Dërguari i fundit i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, na ka këshilluar “të jetojmë sikur e shohim Allahun”, domethënë, të mos i bëjmë ato gjëra që Allahu Teala nuk dëshiron t’i bëjmë. Ne e dimë se Allahu (xh.sh.), në Librin e tij na ka paralajmëruar duke thënë: “Njeriu le të shohë se çfarë ka përgatitur për nesër!”, sepse na njofton se “nesër do t’i nxirret përpara çdo gjë që ka bërë dhe që nuk ka bërë”. Domethënë, ne e dimë se pas vdekjes do të ketë ringjallje, se do të ngrihet një gjykatë e madhe dhe se aty do të japim llogari për ato që kemi bërë në këtë botë.

Ne e dimë se ka një “kornizë Amentuje” që Kurani Fisnik ia paraqet njeriut herë pas here, në mënyrë që t’i besojë Allahut dhe botës tjetër. Fakti që kjo shprehet me insistim në Kuranin Fisnik tregon se aventura e njeriut mbi sipërfaqen e tokës ka kuptim të plotë vetëm me “ekzistencën e Allahut dhe planin e botës së përtejme”, edhe këtë e dimë. Po ashtu e dimë se kur ta nxjerrim jashtë funksioni besimin ndaj Allahut dhe botës tjetër, automatikisht bëhet i pamundur shpjegimi i ekzistencës së njeriut në sipërfaqen e kësaj toke. Gjithashtu e dimë se njeriu nuk mund të jetojë në këtë botë pa marrëdhënien me Allahun Teala dhe pa e marrë parasysh se me çfarë jete do të përballet në Ahiret. Përsëri e dimë se marrëdhënia jonë me pejgamberët që i ka dërguar Allahu Teala dhe dispozitat që kanë sjellë ata është e ndërthurur me të vërtetën e besimit ndaj Allahut dhe të llogarisë që do të jepet për jetën e kësaj bote.

Të dërguarit dhe i Dërguari i Fundit… Domethënë, Hazreti Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të. Shpalljet hyjnore dhe Shpallja e fundit hyjnore. Domethënë, Kurani Fisnik. Le të supozojmë se e thamë shehadetin dhe hymë në rrethin e Islamit. Kjo do të thotë se njeriu e ka kuptuar urtësinë e ekzistencës së tij dhe se i ka dhënë fjalën Krijuesit për të ndërtuar në veten e tij një “pjekuri njerëzore” që Ai e do. Pra, është të shprehurit e vullnetit. Shehadeti është të shprehurit e vullnetit. Ndërsa Amentuja është një strukturë mendore dhe shpirtërore që do të formohet në gjergjefin e personalitetit të ri.

Do të vijë një ditë dhe secilit prej nesh do t’i thuhet: “Lexoje librin tënd!” Libri përbëhet nga dosja që kemi mbushur këtu në tokë. Pamjet, shkrimet dhe të gjitha llojet e xhirimeve. Çfarë thoni për këtë?..

Kur kalojmë në semafor me dritë të kuqe, shqetësohemi dhe e pyesim veten: Mos vallë na ka kapur kamera? A e mbartim të njëjtin shqetësim kur e nisim rrugën? A kemi ecur në korsenë e sigurisë në të cilin nuk mund të ecet? A kemi ndaluar në një vend ku nuk lejohet ndalimi? Ah këto xhirimet e kamerave!

Fytyrat do të dalin të bardha ose të nxira… Edhe kjo gjendet në dosjen e Ahiretit… Pastaj ka Xhenet apo zjarr flakërues… Atje do të dalim në audiencën e Allahut Teala. Kështu që mund edhe të mbytemi në djersët e turpërimit. Nëse do të jemi në këtë gjendje, atje do të ikim nga nëna, babai, fëmijët, bashkëshortja, bashkëshorti, vëllezërit dhe motrat. Pastaj do të kërkojmë për ndonjë vrimë duke thënë: “A ka ndonjë vend ku mund të arratisemi?” Ndër të tjera është edhe dhimbja për të kaluar urën e Siratit. Gjithashtu do të jetë edhe shpresa me emocionin për të hyrë në Xhenet. Allahu na ruajt, nëse atje kapemi në një gjendje që nuk e kemi parë të vërtetën Dynja-Ahiret, atëherë do të themi: “Ah sikur të isha dhe!”

Tani është koha që të ndalojmë dhe ta shikojmë edhe një herë veten tonë. Ta mendojmë edhe një herë çdo gjë që do të jetë brenda llogarisë në botën e përtejme. Tani është koha që ta marrim edhe një herë në llogari veten për çdo gjë që e dimë. Hasibu kable en tuhasibu / merreni veten në llogari para se të merreni në llogari nga Zoti (xh.sh.).

Vallë, a do të kemi mundësi t’i mbrojmë në audiencën e Allahut të Lartësuar ato që kemi bërë? Kjo është pyetja bazë. Çdo gjë e kemi bërë të lejuar, të lejuar, të lejuar. Çdo gjë e kemi bërë të lejuar si në planin individual, ashtu  edhe në planin shoqëror. A thua do t’i mbrojmë dot këto në audiencën e Atij që i sundon zemrat?

Brenda vetes kemi nxjerrë me mijëra lloje pretekstesh. Po nëse Zoti (xh.sh.), i Cili i di zemrat, gjykon se të gjitha këto pretekste janë “të pabaza, të pakuptimta dhe janë mashtrime që ia kemi bërë vetë vetes sonë apo që na i ka bërë shejtani i mallkuar”?.. Po nëse Allahu Teala na thotë: “Keni mashtruar veten tuaj. Mekanizmin e mendjes suaj e keni përdorur për interesat vetjake të grupit tuaj.”

Atje është bota e transparencës absolute. Ndërsa këtu po përjetojmë devijime si në jetën individuale, ashtu edhe në planin shoqëror. Rregullat i dimë, por ja që zvarritemi, përpëlitemi dhe përpiqemi shumë në emër të çështjeve vetjake dhe ia dalim mbanë ta shkruajmë në depon e fetarisë sonë “atë që është e përshtatshme për ne”. Mirë, por çfarë mund të themi për planin e botës së përtejme? Mirë, por kur do të veprojmë sipas kritereve hyjnore? Prandaj, asnjëherë nuk duhet ta harrojmë “likaull-llah / takimin me Allahun”! Një ditë do të dalim në audiencën e Allahut Teala. Por nëse sot jeton duke e ditur se në të vërtetë je në audiencën e Allahut (xh.sh.), nesër do ta kesh fytyrën e bardhë kur të dalësh para Zotit të Madhëruar. Ndërsa, nëse sot e harron takimin me Allahun e Lartësuar, domethënë, nëse jeton sikur nuk ke për të vdekur asnjëherë apo sikur asnjëherë nuk ke për të dhënë llogari, një ditë do të vijë koha e llogarisë dhe libri i veprave të tua do të të jepet në dorë. Pastaj do të të thuhet: “Lexoje librin tënd!”

Allahu Teala shumë herë thotë në Kuranin Fisnik: “Ju kemi dërguar pejgamberë dhe ju kemi paralajmëruar.” I lumtë atij që mund ta dëgjojë këtë paralajmërim! I lumtë atij që mund ta dëgjojë dhe ta organizojë jetën e tij sipas këtij paralajmërimi!

Muhammed Ikbali është një mendimtar mysliman si poeti ynë Mehmet Akif Ersoji. Ai thotë: “Ik nga këta myslimanë dhe strehohu te Islami!” Këtë e thotë sepse i digjet zemra. Edhe Mehmet Akif Ersoji thotë: “Të gjithë myslimanët e vërtetë që i kam parë janë në varre. Nuk e di, por mesa duket Islami i vërtetë është në qiej.” Zjarri që ndjente në zemër e detyronte ta thoshte këtë. Ndërsa ne themi: “Kjo botë ka nevojë për Islamin. Ndërsa Islami ka nevojë për myslimanët.” Elhamdulil-lah myslimanë ka sa të duash, por nga ana tjetër jemi të detyruar të pyesim se sa e nxjerrin në pah fytyrën e pastër të Islamit myslimanët e sotëm? Në rendin e botës gjendet një realitet i hidhur në të cilin “terrorizmi” përmendet bashkë me organizatat dhe institucionet islame.

Në çdo vend Islam, duke përfshirë këtu edhe vendin tonë, ka shumë njerëz që përpëliten në ato lloj punësh që dispozitat islame i përkufizojnë si mëkat. Ju pyesni: “Si mund t’i bëjnë këto punë këta njerëz që i besojnë Allahut dhe Ditës së Gjykimit?”

A mendojnë këta njerëz vallë se si mund të japin llogari nesër në audiencën e Allahut Teala ndërkohë që kanë bërë punë si “shfrytëzimi i Islamit” dhe “përfitim nga feja e Allahut”? Mos vallë mendojnë se ajo ditë nuk do të vijë asnjëherë? Ku gjendet besimi këtu? Mos vallë mendojnë se Allahu nuk i sheh? Prandaj, edhe një herë po pyesim: Ku është besimi këtu? Mos vallë mendojnë se do t’ia kalojnë paq për ato që kanë bërë? Mos vallë kanë harruar se atje do të merremi në pyetje edhe për shenjat që bëhen me sy apo vetulla?

Nëse janë të vërteta gjërat për të cilat thamë se “i dimë” në fillim të këtij shkrimi, atëherë, t’i përkasësh një feje a nuk do të thotë që ajo dije të shndërrohet në besim dhe ai besim të praktikohet në jetë? Në çfarë gjendjeje është marrëdhënia jonë me Allahun Teala? Në çfarë gjendjeje është besimi ynë ndaj botës së përtejme? Në çfarë gjendjeje është fetaria jonë?

Disa njerëz mund t’i pyesim: “Sa vend zë Islami në jetën tuaj?” Ata do të thonë se e kanë dijen të kufizuar, apo mund të nxjerrin justifikime të tjera… Edhe nëse nuk japin ndonjë pretekst, ata mund t’i kuptojmë. Këtë situatë duhet të shqyrtojmë nga aspekti i përgjegjësisë që kanë ata që dinë për t’i mësuar ata që nuk dinë.

Po nëse bëhet fjalë për shumë lloje neglizhence në jetën e atyre që pandehim se dinë? Edhe sahabët, pra, njerëzit që janë rritur e edukuar pranë të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, shpesh herë i thoshin njëri-tjetrit: “Ejani të besojmë një orë! Domethënë, ejani të flasim edhe një herë për gjendjen tonë dhe ta shohim se sa veprojmë sipas besimit”. Ata shqetësoheshim pa masë për faktin nëse kishin apo jo ndonjë shenjë të hipokrizisë… Në të vërtetë, i gjithë shqetësimi i tyre ishte që të punonin sa më shumë për të dalë me fytyrë të bardhë para Allahut Teala.

Atje nuk ka kthim pas. Pra, nuk do të kemi mundësi për t’u kthyer dhe për t’u pastruar. Për këtë arsye, sahabët kanë qenë njerëz që e kanë jetuar Ahiretin që në këtë botë. Ata ishin shumë të kujdesshëm që të mos bënin qoftë edhe ndonjë gabim në jetën familjare sepse mendonin: “Nesër Allahu mund të më kritikojë.”, ngaqë shpallja hyjnore akoma vazhdonte të zbriste. Shikimi dhe dëgjimi i Allahut Teala ishte shumë i rëndësishëm në jetën e atyre. Ata kanë jetuar deri në frymën e fundit ndërmjet Havfit / Frikës dhe Rexhasë / Shpresës.

Besimi se jeta e kësaj bote është një sprovë, çdo moment ia shton ndjeshmërinë zemrës. Predikimi i parë i Islamit është realizuar brenda kornizës “besim ndaj Allahut dhe Ahiretit”.

Krijuesi e fton njeriun që të mendojë përsëri rreth temës kryesore. Këtë e bën nëpërmjet të Dërguarit të fundit të Tij… “O njeri! Ti je krijuar nga asgjëja dhe nuk je i përhershëm. Çdo gjë përveç Atij është e përkohshme. Një ditë do të japësh llogari për ato që ke bërë. Do të japësh llogari për padrejtësinë që ke bërë. Do të japësh llogari për zullumin që ke bërë.”

Ky paralajmërim i ka ardhur kësaj bote në të cilën “njeriu ua ka kaluar hienave në agresivitet.” Nëse një njeri nuk ka dhëmbë, atëherë atë e hanë të afërmit e tij. Ky paralajmërim vazhdon të jetë i vlefshëm për të gjitha kohët.

Prej nesh si besimtar kërkohet që shpallja hyjnore të na lëkundë dhe të na e shkundë pluhurin ndërkohë që po e vrasim njëri-tjetrin fizikisht e shpirtërisht dhe po ia hamë mishin, madje këtë po e bëjmë pa ndjerë aspak neveri. Çfarë të themi tjetër?!

Ejani dhe t’u hedhim një sy zemrave tona dhe të shohim nëse jetojmë apo jo sikur e shohim Allahun dhe nëse gjërat që i kemi dërguar për të nesërmen i kemi bërë apo jo me besimin se absolutisht do të japim llogari për to. Këtë le ta bëjmë para se të biem në ato gjendje kur nuk do të kemi mundësi as të pendohemi!.

Mos i humb

Myftiu i BIRK-së Mr. Naim Tërnava mbajti takim me imamët e KBI-së të Dragashit

Opoja.net

Askush nuk e di dhimbjen tënde sikurse Allahu

Opoja.net

A jeni gati, ja kur fillon Ramazani

Opoja.net

Tregim shumë i bukur me veprimin e këtij djaloshi

Opoja.net

Të jetosh sikur gjendesh ballë për ballë me Allahun

Opoja.net

Operacionet plastike nga këndvështrimi islam

Opoja.net

Domethënia e Israsë dhe Miraxhit në kohën tonë

Opoja.net

E humba edhe një ditë

Opoja.net

DEFINICIONI I KOHËS

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net