Një qasje ndryshe për qeverisjen lokale të Dragashit mbetët e domosdoshme

Opoja.net Opoja.net Opinione

Jetojmë në një shtet ku tranzicioni ka zgjatur më shumë se sa është pritur, por fatkeqësisht ende vazhdojmë të jemi në trendin e njëjtë të zhvillimit.

Si një nga komunat e shtetit tonë, Komuna e Dragashit ndodhet në një pozitw edhe më të vështirë ekonomike, krahasuar me komunat e tjera të Kosovës. Mungesa e dijes për të qeverisur, mosinteresimi për t’u gjetur zgjidhje problemeve ekonomike sociale, punësimet familjare dhe partiake kanë dominuar gjatë tetëmbëdhjetë viteve të pasluftës. Largimi i vazhdueshëm i të shkolluarve nga pamundësia e punësimit dhe avancimit, kanë sjellë politikë mjerane dhe qeverisje të dobëta. Po ashtu, frika e largimit nga puna, shantazhet dhe kërcënimet, e kanë ngulfatur edhe atë pakë mendim kritik e intelektual që ka ngelur në Opojë.

Edhe pse, janë qindra opojarë të arsimuar në profesione të ndryshme, intelektual të mirëfilltë, ata sot punojnë dhe japin kontribut jashtë komunës tonë. Ndër specialistët më të dalluar të mjekësisë, si kirurgë, pediatër, ortopedë, pulmologë, etj., janë pikërisht nga kjo komunë, ndërsa qytetarët e Opojës vuajnë nga mungesa e shërbimeve elementare shëndetësore.

Në zgjedhjet e fundit, ndryshimi i qeverisjes ishte i domosdoshëm, bindja për të cilën po shtohet çdo ditë. Ardhja e një grupacioni të ri politikë, dhe krijimi i një qasje të re në qeverisjen komunale, ndryshimi i mendësisë qeverisëse ishte dhe është më shumë se i nevojshëm.

Sfidat drejt ndryshimit të qeverisjes nuk janë të lehta, e aq më pak, në një shoqëri ku njihen shumica me njëri-tjetrin, e ku dominonë votimi familjare, joshjet për punësime, shantazhet e shumëçka tjetër, që e bëjnë të vështirë ndryshimin e votës qytetare dhe krijimin e bindjes se vështirë ndryshohet pushteti këtu.

Por megjithatë, guximi, vendosmëria dhe përkushtimi për ndryshim, do të bëjnë të mundshëm krijimin e frymës politike që do të sjell ndryshimin.

Bindja tek secili qytetar, se zgjidhja për punësim nuk duhet kërkuar dhe nuk mund të bëhet vetëm në institucione shtetërore, çdo ditë e më shumë po rritet. Premtimeve për punësim në komunë apo nëpër shkolla, (si institucione të vetme ku kërkohet punë në këtë komunë) po i vjen fundi, ato tashmë janë të stërmbushura nga militantë partiak e familjar të pushtetarëve. Bindja për ndryshim, dhe ardhja e një klase të ndershme politike në pushtetin lokal të Dragashit çdo ditë e më tepër po rritet.

Prandaj, ndryshimi i qeverisjes dhe krijimi i një qasje të re ndaj institucioneve lokale, ardhja e kuadrove të reje që nuk u është dhënë mundësi më parë, me përvojë dhe të ndershëm, është mundësia e vetme që mund të kthej regresin tetëmbëdhjetë vjeçar në progres.

Shfrytëzimi i resurseve njerëzore dhe natyrore që ka ky vend, është vet zhvillimi dhe mundësia e ndryshimeve ekonomike, dhe kthimit të shpresës për jetë më të dinjitetshme në këtë komunë të vogël të Kosovës. /Opoja Sot/

Autor: Fatmir Halili – Është Kryetar i partisë Nisma Socialdemokrate në Dragash.

Opinioni i shprehur është vetëm i autorit dhe jo domosdoshmërish reflekton pikëpamjet e Opoja Sot

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-