Njeriu dhe hija e tij

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Njeriut i duket vetja një qenie e ndërlikuar, tepër komplekse, e pakuptueshme, me plot të fshehta të pashpjegueshme, asnjëherë plotësisht e zbërthyeshme, kurrsesi e ndriçuar përfundimisht mirë.

Për ta ndriçuar sadopak vetveten, për shekuj e shekuj me radhë, njeriu e ka studiuar veten e vet në të gjitha aspektet, shpesh duke hulumtuar njëri-tjetrin, duke bërë grupime e ndarje sipas kriteresh nga më të çuditshmet, ka bërë rigrupime të tjetërllojta, përcaktime karakteristikash në kohë dhe hapësirë, etj.

Dhe sa pak, vërtet sa pak, e ka njohur veten e vet njeriu, sepse duke studiuar natyrën e njeriut, ai ka ngatërruar në studime të ndryshme shumëvëllimëshe vetë njeriun me hijen e tij.

Hija është figura e errët e trupit të njeriut, e cila del në një sipërfaqe kur ai ndriçohet në anën e kundërt. Këtë përcaktim bëjnë gjuhëtarët për hijen e njeriut, për hijen trupore, më të thjeshtën.

Hija e shoqëron njeriun vetëm kur atë e godet një objekt ndriçues, pra kur trupin ia rreh drita. Dhe me dritë nënkuptojmë atë natyroren, dritën e Diellit.

Raporti i njeriut me dritën është një çështje orientimi, çështje nëse njeriu ka apo jo dëshirë, prirje, vullnet të fortë të orientohet drejt dritës së vërtetë. Besimi është dritë.

Njeriu duhet ta shndërrojë dritën e besimit në dashuri, në mirësi. Dashuri dhe mirësi në të gjitha dimensionet e tyre, në mirësi e dashuri ndaj Krijuesit dhe ndaj krijesave të Tij.

Njeriu duhet t’ia kthejë fytyrën burimit të dritës, pra Diellit, në rastin tonë besimit të vërtetë. Siç thuhet edhe në vargjet e thjeshta: Kur ecën me fytyrë nga dielli /Hija jote të ndjek pas. Por nga përkufizimi i gjuhëtarëve hija e njeriut është ana e errët, figura e errët e trupit të tij. Është mirë që ana e errët e këtij trupi të gjallë (dhe aq më tepër e shpirtit) të jetë sa më e vogël dhe të mbetet pas njeriut.

Zoti përpara, njeriu pas…

Ky është një nga parimet më të lashta të besimtarit të vërtetë. Ky është orientim i drejtë. Parim që shpesh përmendet me gojë, por nuk zbatohet në praktikë. Njeriu shpesh e ngatërron rendin e gjërave, vë veten përpara Krijuesit dhe porosive të Tij. Dhe kjo e prish gjithë ecurinë e gjërave në këtë jetë; gjithçka bëhet çorap, lëmsh i ngatërruar. Për shkak të egoizmit të vet, të rënies në dashuri me vetveten dhe të besimit të tepruar në aftësitë e veta, njeriu harron dhe e ndërron pozicionin e vet të natyrshëm, kësisoj ai e humbet orientimin ndaj dritës së besimit, dritës udhëheqëse të jetës së tij trupore e shpirtërore. Ai gabon teksa beson se mund të barabitet, apo ta zëvendësojë dhe tejkalojë fuqinë e Krijuesit, duke dalë përpara dhe duke vepruar në kokë të vet, duke grumbulluar para e duke synuar pozitë të lartë politike e shoqërore, a thua se këto janë të vetmet elemente të lumturisë së vërtetë.

Njeriu rri pezull midis lirisë dhe robërisë pa ditur të zgjedhë, duke vrapuar symbyllur sa në njërin skaj në tjetrin; herë pandeh se është i lirë, po liria i duket e tepërt; herë duket i robëruar, po robëria i duket mizore. Kur nuk është i orientuar nga besimi njeriu shkrihet në gjakun e përzier të lirisë dhe robërisë, të cilat është i detyruar t’i vrasë, sepse kur i ka me tepri, i urren pa masë të dyja.

Kur e humbet orientimin dhe i kthen shpinën besimit dhe parimeve të drejta udhëheqëse në jetë, ai udhëhiqet nga instinktet e veta, nga ana e errët, nga hija.

Kur diellit i kthen shpinën / Hija jote të prin me gaz!

Shoqëria e sotme njerëzore ka deformime serioze, sepse hija e njeriut merr trajta të zbukuruara e gënjeshtare për njerëzit e tjerë. Vesi sot ka zënë vendin e Virtytit, Hija është bërë Njeri. Pra, jetojmë në shoqëri të deformuar dhe të keqorientuar. Shembulli i keq i kësaj hijeje është ngjitës. Hija grumbullon rreth vetes shumë përkrahës, sepse zogjtë me pendë të njëjta fluturojnë së bashku.

Vetëm besimtarët e vërtetë mund të konsiderohen shpëtimtarë të vërtetë të shoqërisë sonë, me shembullin e tyre, me orientimin e tyre të drejtë, me trup e shpirt të kthyer nga Dielli shpëtimtar i besimit, Dielli shpëtimtar i së ardhmes.

© Opoja.net

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

Fjalë kyqe: ,
- Reklama-
- Reklama-