Nxënësit e Pllajnikut nuk shkojnë në shkollë – Kërkojnë transport!

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Dragash, 06 shtator 2014 – Nxënësit nga fshatit Pllajnik, që do të duhej të vijojnë mësimet në shkollën e Mesme të Ulët, në fshatin Kosavë, ende nuk e kanë filluar vitin e ri shkollor pasi, siç thonë ata, Komuna nuk iu ka siguruar transportin.
Siç ka thënë për Radio SHARRI-n kryeplaku i këtij fshati, Ruzhdi Domuzeti, Komuna gjithnjë iu ka siguruar transportin këtyre nxënësve, por këtë vit nuk po e bën këtë. Madje, kryeplaku e ka akuzuar Komunën, se këtë indiferencë për 30 nxënësit nga ky fshat, po e bën për çështje politike. “Si ta komentojmë ndryshe këtë fakt, kur për çdo vit na e siguronin transportin e nxënësve, ndërsa këtë vit nuk po e bëjnë këtë, edhe pse na takon me ligj. Kjo, pasi largësia e shkollës së Kosavës është mbi 4 kilometra. Madje, disa zyrtarë të partisë në pushtet, na e thonë hapur se, nuk iu intereson ky fshat, pasi aq shumë investime janë bërë nga PDK-ja dhe, në zgjedhjet e fundit, prapë fitoi LDK-ja”, pohon Domuzeti, duke shtuar se ankesat do t’i drejtojnë edhe në organet më të larta.
Pavarësisht këtyre akuzave, në prononcimin për Radio SHARRI-n, përkitazi me këtë problem, drejtori komunal i Arsimit në Dragash, Hajri Ramadani, tha se janë absurde akuzat e këtilla, pasi me ligj nuk iu takon transporti, por që Komuna e ka organizuar çdo vit, për hir të nxënësve. “Çdo shkollë që nuk është më larg se 4 kilometra, me ligj nuk i takon Komunës të paguaj transportin e nxënësve. Ky fshat nuk është kaq larg nga fshati Kosavë dhe nuk iu takon transporti nxënësve. Megjithatë, ne nuk do të hakmerremi për këto akuza, sepse janë nxënësit ata që do të pësojnë. Ne do të veprojmë edhe këtë vit, sikurse më herët, duke iu siguruar nxënësve transportin deri në shkollë dhe anasjelltas, ani pse nuk iu takon me ligj”, ka thënë Ramadani, duke u zotuar se, që nga java e ardhshme, nxënësit e Pllajnikut do ta kenë transportin falas nga Komuna, përkatësisht nga kryetari, Salim Jenuzi./Radio-sharri.info/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-