OPOJARI NAIM BAXHAKU DOAJEN I KULTURËS OPOJARE?

Opoja.net Opoja.net Opoja Personazhe

NJERIU, I CILI TËRË QENIEN E TIJ IA KUSHTOI ARSIMIT DHE KULTURËS

Shkruar nga: Muharem Qafleshi

Naim Baxhaku, ishte ideatori i organizimit të një festivali folklorik mu në ditë e zgjedhjeve të para demokratike, shumë partiake në Kosovën e okupuar me 1992, të organizuar nga i patremburi dhe ideologu i pavarësisë dr, Ibrahim Rugova.

E njohin të gjithë, jo vetëm në Opojë, po edhe më gjerë. Respektin e pakontestueshëm nga të gjithë e ka arritur me punë humane, urtësi, sinqeritet, ndershmëri, e mbi të gjitha me një dashuri të paepur për arsimin dhe kulturën shqiptare. Ka qenë kjo një veprimtari e vazhdueshme, edhe në kohët më të vështira, e cila është karakterizuar me rezultate të pamohueshme. Dhe kjo punë , sipas tij, nuk do të pushojë deri në fund të jetës së tij, sepse fundja kjo është një pjesë e jetës së tij, jetës plotë batica e zbatica, të cilave u ka përballuar me një stoicizëm të pashoq. Vështirësitë përherë i ka tejkaluar, falë një vullneti të jashtëzakonshëm…

Kush është Naim Baxhaku?

Është lindur rreth gjashtë dekada më parë, në fshatin Bellobrad të Opojës. Fëmijërinë e pabrenga e ka kaluar në fshatin e lindjes. Themi kushtimisht pa brenga, ngase ishin ato vite shumë të vështira për popullatën shqiptare të Kosovës. Ishte koha kur shpesh mungonte edhe buka e gojës. Me një vullnet të jashtëzakonshëm i filloi dhe i kreu mësimet e para në shkollën fillore të fshatit të tij. Dhe, kur me padurim prittë për të vazhduar betejën për njohuri të mëtejme, atij përnjëherë iu mbyllen të gjitha dyert. Asokohe nuk mundi të arrijë deri tek bursa, pa të cilën asnjë familje shqiptare nuk ka mundur t i shkollojë fëmijët.
Në këtë mënyrë, ai përkundër dëshirë së tij të flaktë për t’u shkolluar, mori strajcën e kurbetit për në Beograd, të vetmin vend ku atëbotë shqiptarët mund të vazhdonin betejën për kafshatën e bukës. Shumë i njomë, ai atje ishte i detyruar të punonte edhe punë të rënda dhe përçmuese. Atje, ai për së afërmi e ka përjetuar shovinizmin serbomadh, i cili shqiptarët i konsideronte si qytetarë të rendit të dytë, apo edhe më keq. Për këtë arsye, posa hapen dyert e vendeve perëndimore, ai pa një, pa dy, ia mësyu Parisit, metropole e njohur botërore, për të cilën si fëmijë kishte dëgjuar dhe lexuar shumë. Megjithatë, edhe atje buka ishte mjaft e hidhur për kurbetçinjtë. Mosnjohja e gjuhës, sidomos e rëndonte jetën e tyre.
Fatkeqësisht, atje përjetoi një aksident të rëndë në punë. Si pasojë e tërë kësaj, qe i detyruar që gjatë dy viteve të ardhshme të qëndrojë në ambientet e mërzitshme të një spitali të Parisit. Shumë larg prindërve të dashur, të cilët i ëndërronte për çdo natë. Ishte ky viti 1986. Vit që do t i ngelë përgjithmonë në kujtimet e tij më të hidhura. Dhe kur doli nga spitali ishte i vetëdijshëm që do të mbetej i hendikepuar gjatë tërë jetës. Megjithatë, edhe kjo atë nuk e ndali. Të gjithave u përballoi me një stoicizëm të paparë. Në këtë mënyrë ai kthehet në vendlindje dhe me një përkushtim të madh vazhdoi punën për të mbështetur në radhë të parë kulturën dhe arsimin shqip.

Arsimi dhe kultura – dy dashuri të pashuara

Me pensionin e tij të merrte nga Franca ai filloi edhe më me ngulm që të mbështesë shumë projekte në këto dy fusha, ku ai mendonte se do t i kontribuojë më shumë opojarëve. Në këtë drejtim, ai asnjëherë nuk ka kursyer as centin e fundit. Me kontributin e tij financiar dhe moral, ai së bashku me disa bashkëfshatarë të tij, në vitet më të vështira të okupimit, themeloi Shoqatën kulturo artistike “Vatra” . Kështu, nën drejtimin e tij kjo SHKA, ka vepruar me shumë sukses gjatë viteve të ardhshme. Ishte ideatori i organizimit të një festivali folklorik mu në ditë e zgjedhjeve të para demokratike, shumë partiake në Kosovën e okupuar me 1992, të organizuar nga i patremburi dhe ideologu i pavarësisë dr, Ibrahim Rugova. Atë ditë kishin ardhura SHK-a dhe grupe folklorike nga e tërë Opoja dhe Vrrini i Prizrenit, policia serbo-çetnike reagojë ashpër por z. Baxhaku me vëllain e tij dr, Hatimin dhe shokët e tjerë, pa u trembur farë nga kërcënimet e policisë vrastare, ia arriti ta fillojë dhe përfundoi festivalin më shumë sukses, i cili festival do vazhdoi deri në vitin 1996, ku me intervenimin e një shqipfolësi, ky festival u ndalu me urdhër të prerë nga kryepolici i rajonit të Prizrenit, Zekavica. Vlen të theksohet se në festivalet, ‘93-’96, kanë marr pjesë shumë SHK-a dhe Grupe Artistike nga rajoni i Prizrenit , Suharekës dhe komuna e Dragashit. Pas luftë prapë me idenë e Naim Baxhakut. Do të rifillojë ky festival por tani do të pagëzohet si festivali rinor, që u bë nën organizmin institucional të Qendrës Rinore dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport. Festivali ka karakter të bashkëpunimit të dy etnive që jetojnë dhe veprojnë në këtë komunë, i cili projekt ka gjetur përkrahjen edhe të ndërkombëtareve. Po, jo vetëm kaq. Ai, pa përtesë, ka mbështetur çdo aktivitet kulturor të zhvilluar asokohe dhe sot në këtë komunë.
Dhe, as që mendon të ndalet. Deri në frymën e fundit. Për këtë arsye, saherë që organizohen aktivitete kulturore e arsimore në këtë trevë, atë mund ta vëresh në vendin e nderit. Vend që i takon me meritë.

Dëshira tjetër – shkollimi i vëllait

Dëshira e madhe e Naimit për t i ndihmuar popullit e shtyri atë që të shkollojë të vëllanë, Hatimin, për t u bërë mjek, ngase, sipas tij vetëm në këtë mënyrë ai mund t i ndihmojë më shumë popullit. Ka investuar mjaft në këtë drejtim derisa i vëllai e kryen shkollimin në këtë fushë. Dhe, sot dr. Hatim Baxhaku është një kirurg i njohur në Prizren dhe rrethinë. Shumë operacione të suksesshme të tij, Naimin e bëjnë krenar. Është ky një kontribut për njeriun, në momentet më të vështira, kur ai gjendet ndërmjet jetës dhe vdekjes. E kur pacienti i kthehet prapë jetës, atëherë si Hatimi, ashtu edhe Naimi janë tepër të ngazëllyer. Në këtë mënyrë ai ia plotësoi këtë dëshirë të madhe të Naimit. Ai po ashtu në vitet e okupimit serbo-sllav, kur i gjithë personeli mjekësor shqiptar u nxorr jashtë spitaleve dhe objekteve shëndetësore, Naimi do të investon rreth 400 mijë marka gjerman dhe në Bellobrad do të ndërton njërin ndër godinat më të bukura spitalore, ku janë kryer shumë operime dhe shërbime tjera mjekësore. Kryesia e LDK-së, kishte bërë një marrëveshje me dr. Hatimin , i cili ishte edhe vetë anëtarë i kësaj kryesie që spitali kirurgjik i tij, të pajiset për raste luftë në Kosovë. Kështu edhe u veprua.
Në këtë mënyrë edhe kjo ëndërr e Naimit bëhet realitet. Kështu, ai sot mburret me punën e të vëllait. Dhe jo vetëm ai, por edhe të gjithë opojarët.

Njeriu, që mbi të gjitha e ka interesin kombëtar

I tillë ka qenë dhe i tillë mbetet personazhi i shkrimit tonë. Ndonëse me aftësi mjaft të kufizuara shëndetësore, ai nuk e ka kursyer kurrë edhe atomin e fundit për të mirën e popullit. Nuk është ndalur në asnjë moment as në ditët më të vështira të okupimit serbo çetnik. Ndonëse shpesh ka qenë i rrezikuar për t u burgosur, ai ka qenë gjithmonë në ballë të të gjitha aktiviteteve kulturore. Por, edhe shkollën nuk e ka harruar kurrë. E ka dhënë mbështetën e tij në këtë drejtim saherë që ka pasur mundësi. Dhe kjo natyrisht që i është shpaguar. Sot, të gjithë flasin për të me pietet të lartë. Të gjithë e nderojnë për të gjitha ato që ka bërë për opojarët. Puna e tij çmohet pa masë. Por ai gjithnjë thekson se nuk ka bërë asgjë të jashtëzakonshme, ngase sipas tij është obligim i të gjithëve që të kontribuojnë për popullin. Fundja, këtë ia kemi borxh popullit, thotë me modesti të pashoqe, Naimi, i cili tani jeton në mesin e bashkëfshatarëve të tij, pa të cilët nuk mund të qëndrojë. Dashurinë e tyre ndaj tij, ai nuk mund ta gjejë askund tjetër.
Dhe kjo dashuri e ndërsjellë, e mbush atë me frymëzime të reja për t u angazhuar edhe më tepër për të mbarën e kulturës dhe shkollës , sepse sipas tij, këto janë dy segmente më të rëndësishme për prosperitetin e çdo shoqërie. E shoqëria shqiptare, sipas tij, ka nevojë për mbështetjen e të gjithë atyre që munden dhe duan t i ndihmojnë në mënyra të ndryshme atdheut.
Kjo është filozofia jetësore e Naim Baxhakut, humanistit të njohur opojar…

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-