Orë letrare për nder të 28 Nëntorit

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Klubi letrar “Luigj Gurakuqi” i komunës së Sharrit, në bashkëpunim me SHFMU “Sezai Surroi” nga Bellobradi kanë mbajtur një orë letrare për nder të 28 nëntorit – Ditës së Flamurit dhe ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari.
Aktiviteti është mbajtur në ambientet e SHFMU “Sezai Surroi” në Bellobrad, në prani të shumë nxënësve, arsimtarëve dhe krijuesve opojanë.

Në emër të SHFMU “Sezai Surroi” foli drejtori i shkollës Ziqiri Skenderi i cili e vlerësoi lartë bashkëpunimin e shkollës me krijuesit e trevës së Opojës. Ndërkaq, në emër të krijuesve opojanë, anëtarë të Klubit letrar “Luigj Gurakuqi” foli poeti Ibrahim Skenderi, njëri ndër themeluesit e Klubit. Skenderi foli për rëndësinë Ditës së Flamurit dhe për rëndësinë e shënimit të kësaj feste. Ai i njohu të pranishmit me një historik të shkurtër të veprimtarisë së Klubit letrar i cili në pranverën e vitit të ardhshëm mbush çerek shekulli të veprimtarisë me ç’rast pritet të botohet edhe një monografi.

Me krijimet e tyre letrare dhe deklamimin e poezive të ndryshme që kishin për temë Ditën e Flamurit, u paraqitën dhjetëra nxënës të SHFMU “Sezai Surroi” dhe krijuesit opojanë, Mirsat Kuteli, Demir Reshiti, Rizan Krasniqi, Mehmet Shala, Ibrahim Skenderi, Nexhat Ajdini e Bedri Halimi. Krijuesit me këtë rast dhuruan libra për bibliotekën e shkollës për ç’gjë edhe u falënderuan nga drejtori Ziqiri Skenderi.

Aktiviteti u përmbyll me valle të interpretuara nga nxënësit e shkollës.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-