Pa internet mund të qëndrojmë, por pa kufij jo!

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Sot interneti dhe mjetet e tjera të komunikimit kanë arritur në një nivel të jashtëzakonshëm. Po prodhohen gjëra, të cilat deri para disa dekadash mund t’i atribuoheshin vetëm qenieve misterioze si xhindët. Nuk është e ekzagjeruar nëse themi se largësitë dhe distancat janë eliminuar fare. Interneti dhe pajisjet që përdoren me internet, tashmë pothuajse konsiderohen prej nevojave të jetës. Teknologjia e ka përfshirë gjithë jetën e njeriut. Ndërsa teknologjia e komunikimit ka përfshirë edhe teknologjinë që ka përfshirë jetën.

Njerëzit besimtarë, të cilët kanë përgjegjësinë ta shohin jetën me syzet e Islamit, janë të detyruar ta përdorin këtë teknologji brenda standardeve të besimit të tyre. Kështu duhet t’i konsiderojë një besimtar të gjitha mirësitë e Allahut. Çdo mirësi është një shkak falënderimi ndaj Allahut, nëse ato përdoren për mirë. Ndërsa, kur mirësia del përtej standardit të saj, bëhet shkak i humbjes së njeriut. Pasuria që kemi, pjesëtarët e familjes dhe të gjitha mirësitë e tjera përfshihen brenda këtij rregulli.

Të gjitha sistemet dhe pajisjet e komunikimit që përdorim, që prej internetit e deri tek pajisjet e telefonave, ose do të qëndrojnë bashkë me ne si mirësi për të cilat do të falënderojmë, ose do të bëhen zjarr dhe do të na djegin. Kjo çështje vlen për të gjithë njerëzit besimtarë, që prej politikanëve e deri tek kryefamiljarët.

Sot, para nesh vendoset një lëmsh problemesh në lidhje me internetin me epiqendër “moralin”. Ata që e shohin internetin si rrezik, flasin për moralin dhe imoralitetin, gjë e cila nuk është e gabuar. Një pajisje me cilësi të jashtëzakonshme që ndodhet në duart e njerëzve që prej fëmijëve e deri tek më të moshuarit, është një rrezik për moralin.

Çështjet në lidhje internetin duhet t’i trajtojmë me një klasifikim pak më ndryshe. Ky dallim, duhet të jetë në paralel me fuqinë e përfshirjes së internetit në jetën tonë.

a) Përdorimi si mirësi, i internetit dhe pajisjeve që e sigurojnë atë, duhet të jetë synimi kryesor. Si myslimanë që jemi, nuk mund ta ngremë internetin në standardin e një mirësie vetëm sepse nuk e përdorim për imoralitet. Nëse i pengojmë pamjet e lakuriqësisë që shihen nëpër plazhe duke thënë “nuk mund ta përdorni kështu diellin”, nuk është se kemi bërë ndonjë gjë të madhe për ta vlerësuar si mirësi, një mirësi të tillë si dielli. Jemi të detyruar të mendojmë përtej kësaj. Interneti, si një mirësi e madhe e këtij shekulli, duhet të ngrihet dhe të përdoret në standardin e “një mirësie të Allahut” me kuptimin e plotë të fjalës.

b) Interneti përfaqëson shpejtësinë dhe pakësimin e shpërdorimit të kohës dhe të mjeteve. Mirëpo sot, megjithëse ne jemi bërë të varur nga interneti, nuk kemi arritur t’i përshpejtojmë marrëdhëniet njerëzore dhe adhurimet tona. Në sajë të internetit nuk gjetëm më tepër kohë ta ndajmë me njerëzit e afërm të fisit. Nuk mundëm të përfitojmë kohë që të falim namazet me xhemat. Në kohët pa internet, njerëzit kishin gjithmonë kohë për përgjegjësi të tilla. Pra, çfarë mund të thuhet për ne si të varur nga interneti, që sot përjetojmë vështirësi në gjetjen e kohës? Sot po vërehet një tablo shumë e çuditshme… për shkak të internetit njerëzit brenda një familjeje gdhihen në mëngjes dhe dalin nga shtëpia pa u parë dhe pa folur me njëri-tjetrin. Çfarë mund të quhet kjo? Mos vallë mrekullia e shpejtësisë po pengon rrjedhën e jetës sonë?

c) Deri më sot, interneti ka realizuar të kundërtën e formimit të lidhjes midis nesh. Interneti është bërë shkak i qëndrimit të njerëzve larg nga njëri tjetri dhe të shkëmbejnë mesazhe pa u prekur dhe pa u takuar. Kjo po na çon drejt një lugine ku zbatohet “njerëzimi prej së largu”. Mirëpo, kjo mundësi që po bëhet shkak i humbjes së humanizmit tonë, nuk mund të quhet mirësi. Dhe shndërrimi i kësaj në një mirësi, është përgjegjësia jonë.

d) Tani mund të flasim për çështjen e moralit. Interneti po e shtrëngon moralin tonë në një hapësirë shumë të ngushtë. Nga një aspekt, po na detyron drejt një morali që nuk është i yni. Ndërkohë që shkrihet morali ynë, shkrihemi edhe ne. Nëse ai zhduket, zhdukemi edhe ne. Komunikimi që përdoret si urë kalimi për tek haramet ose për humbjen e thelbit të familjeve, funksionon si një lloj alkooli. Nëse për ne interneti shndërrohet në një element si alkooli i cili është nëna e të gjitha të këqijave, atëherë detyra jonë është e qartë. Pra, ne jemi të detyruar të dimë si ta përdorim atë brenda kufijve të caktuar.

Ne jemi myslimanë dhe besimi ynë na ka vendosur një kufi. Ndërsa mbrojtja e atij kufiri është urdhri i prerë i besimit tonë. Pa internet mund të qëndrojmë, por pa kufij asnjëherë!

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-