Opoja.net

Rinia e sahabëve fisnikë

Rinia është një nga mirësitë që Allahu i Madhëruar u ka falur robërve të Tij. Në periudhën e rinisë, të gjitha aftësitë e njeriut, si trupi, mendja, zgjuarsia, memoria, të kuptuarit etj., janë në formën e tyre më të mirë. Për këtë arsye, një i ri që punon me ndershmëri, do të jetë gjithmonë i suksesshëm me lejen e Allahut.

Që prej ditëve të para të Islamit, të rinjtë e ndoqën të Dërguarin e Allahut (a.s.), me përkushtim. Feja jonë e bekuar, u zhvillua në atmosferën shpirtërore të këtyre të rinjve. Sahabët fisnikë, shumica e të cilëve ishin aq të rinj sa mund të quheshin edhe fëmijë, bënë shumë sakrifica për hir të fesë së tyre që në moshë të vogël. Në sajë të shërbimeve që ata i kryen me pasion dhe vetëmohim, u ndriçuan me udhëzim shumë qytete, duke arritur paqen me moralin islam. Në fillim, të rinjtë e Mekës, e më pas ata të Medinës u bënë legjenda në historinë islame.

Kur Abasi (r.a.), pa fytyrat e delegacionit që erdhën prej Medinës në Besëlidhjen e dytë të Akabes, vuri re se ishin njerëz të cilët nuk i njihte fare dhe i shqetësuar, i thotë Profetit (a.s.):

“O biri vëllait tim! Unë nuk e di se kush janë këta njerëz që kanë ardhur, megjithëse unë e njoh shumë mirë popullin e Jethribit (Medinës)… Këta janë njerëz të cilët nuk i njoh. Këta janë të gjithë të rinj!” (Ahmed, III, 339.)

Gjatë hixhretit (emigrimit) për në Medinë, Profeti (a.s.), bashkë me Ebu Bekrit (r.a.), u fshehën për tre net në një shpellë në malin Seur. Djali i Ebu Bekrit (r.a.), vinte tek ata sapo binte nata dhe e kalonte gjithë natën me ta. (Në mëngjes pa gdhirë dita, ai kthehej përsëri në Mekë) Abdullahu, ishte një i ri i aftë dhe i zgjuar. (shih. Buhari, Menakibu’l-Ensar, 45.)

Enesi (r.a.), ka thënë:

“I Dërguari i Allahut erdhi në Medinë. Midis të gjithë sahabëve të tij, nuk kishe asnjë tjetër me flokë dhe mjekër të thinjur si Ebu Bekri (r.a.). Por edhe ai i kishte lyer flokët me këna dhe bimë liri.” (Buari, Menakibu’l-Ensar, 45.)

Kur Rasulullahu (a.s.), emigroi në Medinë, Zejd bin Sabit (r.a.), ishte një jetim 11- vjeçar. Ai tregon:

“Kur Rasulullahu (a.s.), erdhi në Medine, mua më çuan para tij dhe ai më përkëdheli. Të pranishmit i thanë:

«O Rasulullah! Ky është një i ri prej Bijve të Nexharit. Ai di përmendsh shtatëmbëdhjetë sure që të ka zbritur Allahu.»

Kjo i pëlqeu shumë Profetit (a.s.), i cili më tha:

«O Zejd! Mëso për mua të shkruash në gjuhën e hebrenjve. Për Allahun, unë nuk i besoj hebrenjve në lidhje me shkrimin.»

Pa kaluar mirë pesëmbëdhjetë ditë, unë e mësova shkrimin e tyre. Madje, u aftësova shumë në këtë çështje. Tashmë, kur hebrenjtë i shkruanin ndonjë letër Rasulullahut (a.s.), unë ia lexoja atij. Kur Profeti (a.s.), dëshironte t’u përgjigjej këtyre letrave, atëherë unë i shkruaja në emër të tij.” (Ahmed, V, 186. shih. Buhari, Ahkam, 40; Ebu Daud, Ilim, 3/3645; Tirmidhi, Istizan, 22/2715.)

Kur Profeti ynë (a.s.), ishte ende gjallë, ai u ka dhënë të drejtë për fetva edhe sahabëve të rinj, si Aliut, Abdurrahman bin Aufit, Abdullah bin Mes’udit, Zejd bin Sabitit etj., (r.anhum). Po ashtu, edhe shkruesit e shpalljes që zbriste nga Allahu, shkruesit e letrave të ftesave islame dhe dërguesit e tyre te personat e rëndësishëm, në përgjithësi i kishte zgjedhur prej të rinjve.

Për shembull, marrëveshjet që bënte Rasulullahu (a.s.), në shumicën e rasteve i shkruante Aliu (r.a.). Përveç kësaj, ai shkruante edhe shkresat në lidhje me personat dhe fermanët e pronësive.[1]

Një ditë, i Dërguari i Allahut së bashku me disa persona prej muhaxhirëve dhe ensarëve dhe disa të rinjve prej kurejshëve dhe jashtë tyre, dolën për të përcjellë Muadh bin Xhebelin (r.a.), si vali në Jemen. Muadhi (r.a), ecte hipur mbi një kafshë, ndërsa Rasulullahu (a.s.), ecte në këmbë përbri tij, duke e këshilluar. Muadhi (r.a.), tha:

“O Rasulullah! Unë jam hipur, ndërsa ti ecën në këmbë. A nuk bën sikur të zbres edhe unë e të eci në këmbë bashkë me ty dhe sahabët e tu?” Profeti (a.s.), tha:

“O Muadh! Unë shpresoj shpërblim prej Allahut për këta hapa që po hedh në rrugën e Tij.” (Dijarbekri, Hamis, II, 142.)

Enesi (r.a.), tregon:

“Ishin shtatëdhjetë të rinj prej ensarëve, që njiheshin me emrin kurra/lexues Kurani. Ata qëndronin vazhdimisht në xhami. Mirëpo, kur binte mbrëmja, ata tërhiqeshin në një vend që kishin caktuar në një cep të Medinës dhe aty lexonin dhe mësonin Kuran deri në mëngjes. Gjatë kësaj kohe, diskutonin gjatë për ta kuptuar më mirë Kuranin dhe falnin namaz. Familjet e tyre mendonin se ata ndodheshin në xhami, ndërsa myslimanët që jetonin në xhami (ehl-i suffe), mendonin se të rinjtë kishin shkuar në shtëpi. Në mëngjes, të rinjtë e fuqishëm mbushnin ujë në puset përreth dhe e çonin në xhami. Po ashtu, ata bënin dru në kodrat përreth dhe i mbështetnin në murin e shtëpisë së Rasulullahut (a.s.). (Profeti mbante aq dru sa i duheshin dhe pjesën tjetër e shiste për t’i siguruar ushqim ehl-i suffes.) Ndërsa të rinjtë që kishin mundësi të mira ekonomike, mblidheshin bashkë, blinin një dele, e piqnin dhe e varnin në murin e shtëpisë së Rasulullahut (a.s.). (Në këtë mënyrë, ata dhuronin sipas mundësive, duke ndihmuar edhe besimtarët nevojtarë.)

Profeti (a.s.), këta të rinj i dërgoi të gjithë si mësues nëpër fiset arabe, ku edhe u tradhtuan në vendin e quajtur Bi’r-i Maune. Aty u ndeshën me tradhtarët dhe ranë të gjithë dëshmorë. Nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s.), të hidhërohet për asgjë tjetër më shumë se sa u hidhërua për humbjen e tyre. Kjo e tronditi aq shumë Profetin (a.s.), saqë i mallkoi vrasësit e kurrave për një muaj të tërë pas namazit të sabahut.”[2]

Pranë Rasulullahut (a.s.), gjendeshin rreth njëzet të rinj prej ensarëve. (Ata ishin gjithmonë gati për çdo gjë që nevojitej) Kur vrasësit prej Urejnes bënë një krim, Profeti (a.s.), i dërgoi këta të rinj për t’i kapur. (Muslim, Kasame, 13.)

Abdurrahman bin Auf (r.a.), thotë:

“Katër apo pesë prej sahabëve të Rasulullahut (a.s.), qëndronim me turne natë e ditë pranë tij me qëllim që të plotësonim çdo nevojë që ai kishte.” (Ebu Ja’lâ, Musned, II, 164/858.)

Sahabët fisnikë e konsideruan rininë si stinën e fitimeve materiale dhe shpirtërore, ndërsa të rinjtë si diamante që duhen ruajtur. Për shkak se rinia është një thesar i vlefshëm dhe një xhevahir i çmuar, ata e kanë ruajtur atë me kujdesin më të madh. Përndryshe, shejtanët prej njerëzve dhe xhindëve mund ta grabitin këtë thesar dhe ta shpenzojnë në punët e tyre të fëlliqura.

Mos i humb

Myftiu i BIRK-së Mr. Naim Tërnava mbajti takim me imamët e KBI-së të Dragashit

Opoja.net

Askush nuk e di dhimbjen tënde sikurse Allahu

Opoja.net

A jeni gati, ja kur fillon Ramazani

Opoja.net

Tregim shumë i bukur me veprimin e këtij djaloshi

Opoja.net

Të jetosh sikur gjendesh ballë për ballë me Allahun

Opoja.net

Ndërkohë që kamera hyjnore është në xhirim…

Opoja.net

Operacionet plastike nga këndvështrimi islam

Opoja.net

Domethënia e Israsë dhe Miraxhit në kohën tonë

Opoja.net

E humba edhe një ditë

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net