Rinovimi i shkollës në Blaq të Opojës çrregullon mësimin në atë të Zgatarit

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Shkaku i rinovimit të objektit shkollor, rreth 500 nxënës të shkollës nëntëvjeçare “Ilmi Bahtijari “, në Blaq të Opojës, janë të detyruar që mësimet t’i ndjekin në shkollën e Zgatarit.

Drejtori i DA-së, Hajri Ramadani, ka bërë të ditur se kanë qenë të detyruar që rinovimin ta nisin në tetor, kur edhe janë siguruar mjetet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komuna.

Prindër të nxënësve të Zaplluxhës, janë shprehur se shumica e nxënësve të këtij lokaliteti, përkatësisht të 4 klasave, nga viti i gjashtë deri në të nëntën, gjatë javës që e kemi lënë pas, nuk e kanë vazhduar mësimin, duke qenë se largësia deri në shkollën e Zgatarit është më e madhe se 5 kilometra. Ndërkaq transporti nuk është siguruar fare.

Naser Meleqi, drejtori i shkollës 9-vjeçare “Ilmi Bahtijari”, ka theksuar se, edhe pse rinovimi i kësaj shkolle ka nisur në një kohë të papërshtatshme, drejtoria e shkollës ka bërë të gjitha angazhimet, me qëllim që të mos humbet cilësia e mësimit. “Për shkak të hapësirave të pamjaftueshme në shkollën e Zgatarit, kemi qenë të detyruar që orët të zgjasin 30 minuta. Shpresoj se me një angazhim më të madh të stafit drejtues, gjë që edhe jemi duke e bërë, nuk do të mbetemi prapa me realizimin e planprogramit mësimor”, ka thënë Meleqi.

Fadil Sinani, zyrtar në Zyrën e prokurimit, vonesën e nisjes së riparimit e arsyeton me ripërsëritjen e tenderit për shkak të mossigurimit me kohë të mjeteve. “Zyra komunale e prokurimit, në qershor kishte bërë shpalljen e tenderit, por për shkak të mossigurimit me kohë të mjeteve prej 70 mijë eurosh nga MAPL-i dhe 25 mijë euro nga Komuna, kemi qenë të detyruar që këtë ta përsërisim tri herë”, ka thënë Sinani, për të bërë të ditur se punimet është duke i kryer firma “GProject”, ndërsa dinamika e përfundimit është 60 ditë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-