Shtatë arsye për faljen e namazit me xhemat në xhami

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Sikur namazi, ashtu edhe xhemati, është një nga detyrimet e secilit musliman. Ja ku janë disa arsye se pse duhet vazhdimisht që të theksohet rëndësia e faljes së namazit me xhemat, e sidomos në xhami:

1. Falja e namazit me xhemat në xhami tregon për respektin dhe përulshmërinë ndaj Allahut xh.sh., si dhe ndaj urdhërit të Tij, i cili në Kur’anin famëlartë ka thënë: “Fale namazin, jepe zeqatin dhe falu se bashku me ata që falen.” (El-Bekare, 43)

2. Me faljen e namazeve në xhami e ndjekim dhe e pasojmë rrugën e Muhammedit a.s., kurse kjo është garancë për të na dashur Allahu xh.sh. Allahu xh.sh. thotë: “Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, kështu që Allahu do të ju dojë juve dhe ka për t’ua falur gjunahet.” (Ali Imran, 31).

3. Falja e namazit me xhemat është shumë i vlefshëm se sa namazi i falur vetëm. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. thotë: “Namazi i falur me xhemat është më i vlefshëm për 27 herë më shumë se sa namazi i falur vetëm.” (Buhariu). Madje edhe sikur namazin e lëshuar ta falnim 27 herë, nuk do të mund ta mbërimin sevapin e atij namazi të falur me xhemat.

4. Çdo herë kur njeriu shkon në xhami për të fal namazin me xhemat, Allahu xh.sh. ia përgatit vendin e tij në Xhennet. Muhammedi a.s., ka thënë: “Sa herë që besimtari shkon në xhami, Allahu xh.sh. për këtë i përgatit një vend në Xhennet.” (Buhari)

5. Zoti ynë i gëzohet vajtjes sonë në xhami dhe faljes së namazit me xhemat. Muhammedi a.s., ka thënë: “Kur dikush prej jush e plotëson mirë abdesin dhe pastaj shkon në xhami për ta falë namazin, Allahu xh.sh. i gëzohet kësaj vizite, sikur që gëzohen të afërmit kur e shohin ndonjë familjar të vetin që u ka munguar.” (Ibn Maxhe).

6. Çdo hap që bëhet në drejtim të xhamisë ka rëndësi dhe vlerë të veçantë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Çdo njeri që niset për në xhami për të falë namaz, në secilin hap i fshihet një gjynah dhe i shkruhet një sevap, dhe kjo i shkruhet si ndaj vajtjes në xhami, ashtu edhe ndaj kthimit.” (Ahmedi).

7. Muhammedi a.s., nuk i ka lejuar as edhe një të verbëri që ta lëshojë namazin me xhemat. Kështu që thuhet se një njeri i verbër kishte kërkuar nga Pejgamberi a.s. për t’ia lejuar mosardhjen në xhami për namaz, duke u arsyetuar se nuk ka dikë i cili do të mund ta ndihmonte gjatë rrugës, madje duke i shtuar edhe disa arsye të tjera. Pejgamberi a.s., e kishte pyetur: A e dëgjon ezanin? Po – ishte përgjigjur plaku. Atëherë Pejgamberi a.s. i kishte thënë: Atëherë, përgjigju ezanit!” (Buhariu). Përgjigju ezanit donë të thotë: Eja në xhami.

Le t’i përgjigjemi pra Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe le ta falim namazin me xhemat, me sa mundësi që do të kemi. Falja e pesë kohëve të namazeve duhet të jetë derti ynë dhe i familjes, bashkëshortes, fëmijëve, prindërve, farefisit, miqve dhe shokëve. Derti ynë duhet të jetë edhe namazi me xhemat.

“Kush e ruan xhematin, e ka ruajtur xhennetin” – thoshte Muhammedi a.s.

Le t’i bashkohemi xhematit, para se të sillemi një ditë në xhemat, por të shtrirë në tabutin e vdekjes, ditën kur do të na falet namazi i xhenazes.

Kur mund të lëshohet namazi me xhemat?

Mungesa në faljen e namazit me xhemat mund të arsyetohet me rastet vijuese:

– Për shkak të temperaturës së lartë ose të ftohtit;
– Nëse bie shumë shi, borë ose breshër; nëse është shumë lagështi ose nata shumë e errët;
– Për shkak të sëmundjes ose verbërimit;
– Nëse njeriu është pa këmbë ose me shkallë të lartë të invaliditetit të këmbës;
– Nëse personi është tepër i moshuar;
– Nëse gjatë rrugës mund të kërcënohet pasuria dhe jeta e besimtarit;
– Nëse njeriu është mysafir – udhëtar;
– Nëse është i zënë me studimin e shkencave fetare; dhe
– Nëse vuan nga ndonjë sëmundje ngjitëse ose nëse frikohet se në shoqëri do të takohet me ndonjë person prej të cilin mund t’i ngjitet sëmundje.

Falënderimet me të sinqerta qofshin për Allahun e Madhërishëm.

Përgatiti: Mehas Alija

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-