SI U BË I NJOHUR RUZHDI BERISHA NGA FSHATI BUQE I OPOJËS?

Opoja.net Opoja.net Opoja Personazhe

KUR TËRË JETA VËHET NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE

Shkruar nga: Muharrem Qafleshi

Njeriu lind një herë dhe po ashtu një herë edhe vdes. Por të vdesësh për liri është një çështje mjaft e madhe, sepse jeta në robëri nuk vlen asgjë. E, të jesh nën robërinë e shovinistëve serbë, të cilët gati një shekull e poshtëruan, burgosën, rrahën plagosën e vranë vëllezërit e motrat tona, vetëm e vetëm pse ata ishin shqiptarë, kjo është shumë vështirë të përballet, kështu fliste Ruzhdiu para opojarëve saherë që i jepej rasti.
Të rrallë janë ata njerëz që tërë jetën e tyre ia kushtojnë çështjes kombëtare. Për ta, mbi të gjitha qëndron ideali i lartë, liria e popullit të tyre. Ata nuk kërkojnë as më pak e as më shumë, po vetëm që populli i tyre të ketë mundësi që të jetojë ashtu siç jetojnë të gjithë popujt në vendet e qytetëruara e demokratike të botës. I tillë ishte edhe Ruzhdi Berisha, i cili u lind dhe jetoi në fshatin Buqe të Opojës, komuna e Dragashit. Për këtë arsye ai shumë herët bëhet therë në sy të armiqve, të cilët asnjëherë nuk e lanë rehat, derisa, në fund në mënyrën më të egër ia shuan edhe jetën. Ndodhi kjo pikërisht në kohën kur Kosova ishte në pragun e lirisë. Dhe Ruzhdiu, mjerisht, nuk pati mundësi ta shijojë këtë liri, të cilën aq shumë e ëndërroi…

Kush ishte Ruzhdi Berisha?

Derisa në fëmijërinë e hershme luante me shokët e tij ose i ruante bagëtinë, atij kurrë nuk i ka rënë ndërmend se një ditë do të bëhet flakadan i vërtetë i çështjes kombëtare dhe luftëtar i paepur, i cili nuk do të kursejë edhe më të shtrenjtën, jetën e tij, për një qëllim dhe ideal të lartë, siç është liria e Kosovës martire, gjithmonë e shkelur dhe e robëruar.
Fëmijërinë e kaloi në kushte mjaft të vështira jetësore. I ngelur shumë herët pa të atin, në një familje të varfër dhe në një fshat ku ishte mjaft vështirë që të mbijetohej, ngase aty edhe uji i pijes ishte apoteozë, duke u furnizuar me ujin aspak cilësor të disa puseve, të cilët shpesh gjatë verës edhe shtereshin, duke e rënduar edhe më tepër kështu mbijetesën e tyre.
Në kushte të tilla ai e kryen shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, shpesh edhe pa libra e fletore. Dëshira e flaktë për të arsimuar dhe edukuar brezin e ri, atë e shpie në Prizren, ku regjistrohet në Shkollën Normale, asokohe shumë të njohur për përgatitjen e pishtarëve të arsimit. Ndonëse në kushte të vështira materiale, dëshira e tij e madhe për t’u bërë një intelektual i kompletuar, bën që ai, të futë në xhep indeksin e universitetit të Prishtinës, aq të ëndërruar, dhe të studiojë letërsinë shqipe, për t’i njohur sa më mirë shkrimtarët tanë të njohur të Rilindjes, të cilët në kohën e tyre janë përpjekur aq shumë për atdheun. Dhe poezitë e Naimit, Çajupit, Nolit, Migjenit dhe të shumë poetëve tjerë ndikuan fuqishëm në formimin e një personalitetit të ri, i cili mandej deri në fund të jetës, nuk pushoi së punuari për Kosovën e tij të dashur, të cilën e dëshironte të lirë e demokratike.

Pedagog i paepur

Në fillim të viteve të ` 70 ai e rroku ditarin aq të adhuruar. Kështu e filloi një punë të përkushtuar me nxënësit e gjimnazit “Emin Duraku” në Dragash. Me punën e tij të palodhur, me sinqeritet e zemër të madhe ai shpejt bëhet shumë i dashur nga kolegët e tij dhe mjaft i adhuruar nga nxënësit, të cilët deri në çastet e fundit të jetës së tij i pajisi me dituri dhe ide patriotike. Ai gjithmonë ishte i vetëdijshëm se ata do të jenë shpresa dhe ardhmëria e Kosovës. ishte i vetëdijshëm se brezi i ri është ai që do të përcaktojë fatin e popullit tonë. E fati i popullit të tij, dihej fare mirë se çfarë ishte në të kaluarën e hidhur.

Në ballë të lëvizjes…

Nuk vonoi shumë dhe arriti pranvera e vitit 1981. Ishte kjo pranvera e shpresave të mëdha për Ruzhdiun dhe bashkëmendimtarët e tij. Ishin këto momente shumë të rënda për kolektivin e vyeshëm të kësaj vatre të arsimit. Ishte koha kur politikanët goranë vihen në shërbim të plotë të politikës shovene serbomadhe, duke u bërë kështu argatë të devotshëm të një politike të tillë. Në këtë mënyrë, posa shpërthyen demonstratat e njohura të studentëve, me të cilët Ruzhdiu për herë ishte në kontakte të drejtpërdrejta, politikanët goranë filluan një fushatë të paparë kundër arsimtarëve të gjimnazit, të cilin gjithmonë e shihnin si “vatër të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”. Ishin këto çaste shumë të vështira për këtë profesor të ri dhe për kolegët e tij, të cilët e mbrojtën në mënyrë dinjitoze këtë kolektiv të vyeshëm të gjimnazit, pa u përkulur në asnjë çast. Dhe ai për asnjëherë nuk iu nda veprimtarisë së tij të ngjeshur patriotike.
Në vitin 1989, me daljen në skenë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si lëvizje gjithëpopullore, e cila që në fillim nuk e ka njohur pushtetin serb, duke i marrë në mbrojtje interesat e popullit shqiptar, Ruzhdiu ishte njëri ndër të parët, i cili ka shprehur gatishmërinë e plotë për t’u vënë në shërbim të popullit të tij të përvuajtur. Guximi dhe trimëria e këtij sypatremburi ishin mjaft shpresëdhënëse për aktivistët e rinj të kësaj lëvizje në trevën opojare. Me porosi të kreut të LDK-së ai vihet në ballë të Lidhjes së arsimtarëve shqiptarë që asokohe quhej LASH-i. Kontributi i tij edhe në këtë sferë ishte i pazëvendësueshëm. Çdo ditë udhëtonte këmbë nga shkolla në shkollë, ku zhvillonte biseda të gjata e të përzemërta më mësimdhënësit e kësaj ane. Gjithmonë u jepte zemër dhe i udhëzonte në punën e tyre. “Kjo gjendje nuk do të zgjasë në pambarim. Zullumit doemos një ditë duhet t’i vijë fundi. Por nga ne nevojitet vullnet, punë e kurajo. Liria po shfaqet në horizont, por duhet të jemi të gatshëm për sakrifica, ngase liria gjithmonë e ka çmimin e vet. Shpesh edhe paguhet shtrenjtë, por vdekja për liri është njëqind herë më e mirë se jeta në robëri…” Ishin këto mendime të palëkundshme të këtij atdhetari, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk harrohen nga arsimtarët opojarë, saherë që përmendet emri i këtij pedagogu, politikani dhe patrioti, të cilin prore do ta përkujtojnë opojarët, në veçanti nxënësit dhe arsimtarët e kësaj ane.
Ai me kohë është inkuadruar edhe në SHBH “Nëna Tereze”, ku kontributi i tij ishte i pazëvendësueshëm.
Me një fjalë, ai ka qenë gjithkund ku e ka kërkuar nevoja në shërbim të popullit. Ndonëse ka pasur vazhdimisht edhe probleme shëndetësore, ai pa u lodhur e ka kaluar këmbë gati çdo cep të Opojës, këmba
këmbës i ndjekur nga syri i mprehtë i sigurimit serb.
Në vitin 1992, në zgjedhjet e para parlamentare demokratike , për merita të pamohueshme ai zgjidhet deputet i parlamentit të Kosovës. Një besim i tillë iu dha edhe në zgjedhjet e dyta parlamentare që u
mbajtën më 1998, ku ai për herë të dytë zgjidhet me verdiktin e popullit prapë deputet i parlamentit të Kosovës. Ndërkaq me daljen në skenë të UÇK-së, ai ndiente një kënaqësi të veçantë, sepse qysh më parë ai ishte i orientuar edhe në këtë drejtim. Për këtë qëllim ai ka udhëtuar disa herë edhe në Shqipëri, duke kontaktuar me Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës.

Nuk u nda nga trualli i vendlindjes

Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, pikërisht në mesditën e 31 marsit të vitit 1999, patrullat policore vizituan të gjitha fshatrat e Opojës, me ç’rast e kanë urdhëruar popullatën që brenda dy orësh të niset për në Shqipëri. Opojarët, fillimisht vendosën që mos t’i lëshojnë vatrat e tyre. Por, posa ka rënë muzgu, forcat militare serbe filluan t’i djegin disa shtëpi. Me këtë rast vritet edhe një shtatëmbëdhjetë vjeçar. Atëherë filloi deportimi i paparë i opojarëve. Të rinjtë iu ngjitën bjeshkës dhe kaluan në Maqedoni, kurse të tjerët me makina, traktorë e këmbë nisën për në Shqipëri. Ruzhdiu vendos që mos ta lëshojë vatrën. Të kota ishin lotët dhe klithjet e djalit të tij të njomë për ta bindur që edhe ai të udhëtojë bashkë me ta. Ai, si gjithmonë, ishte i paluhatur. Mbeti në fshatin e tij me disa bashkëmoshatarë, të cilët pas një jave nisen për Shqipëri, por Ruzhdiu nuk u lëkund fare. “Ky është vendi im. Këtu do të qëndroj qoftë edhe po ta paguaj me jetë. Nuk do të lëviz nga shtëpia ime, nga Kosova ime. Kjo është vatra e gjyshit dhe stërgjyshit tim”. Ishin këto fjalët e tij të fundit me shokët e tij të fshatit, të cilët vendosin që të udhëtojnë për Kukës për t’u bashkuar me familjet e tyre, ngase qëndrimi i mëtejmë në fshat ishte tepër i rrezikshëm.
Prej asaj dite askush më nuk e ka parë dhe nuk ka dëgjuar për Ruzhdiun. Pas kthimit nga eksodi, bëhet e ditur se soldateska serbe e ka zënë dhe pasi e ka masakruar, trupin e pajetë e kanë lënë diku rreth kufirit shqiptaro- shqiptar. Eshtrat e tij barten dhe varrosen me nderime të veçanta nga mijëra opojarë dhe qytetarë të viseve të tjera.
Ruzhdiu, me meritë, shpallet dëshmor i kombit. Në këtë mënyrë ai vdes për të mos vdekur kurrë…

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-