Të gjithë kërkojnë paga, askush nuk flet për cilësi të shërbimeve!

Opoja.net Opoja.net Opinione

Shkruan: Fatmir HALILI

Në qershorin e këtij viti shënohet njëzetvjetori i çlirimit të Kosovës. Ky vit jubile i çlirimit të vendit, ka filluar me mjaftë debate të nxehta dhe me probleme, të cilat është dashtë të jenë të harruara tashmë.

Prolongimit, me qëllim apo pa qëllim, si dhe akumulimit të shumë problemeve socio-ekonimike, një ditë duhet dhënë fund. Siç duket, guximin për t’i trajtuar problemet e shumta sensitive, nuk e ka pasur asnjë qeverisje deri më tani. Përkundrazi, mostrajtimi i tyre, apo trajtimi sipërfaqësor dhe jo i drejtë, nga një qeverisje në tjetrën, për dy dekada ka akumuluar probleme dhe paknaqësi të shumta, si dhe ka krijuar ndasi të shumëta sociale. Padyshim, këto paknaqësi dhe padrejtësi sociale, si dhe durimi i tejzgjatur shoqëror, në një moment të caktuar kohor do të shpërthente, e që mund të sjellin pasoja jo të këndshme për shtetin dhe gjithë shoqërinë. Para së gjithash, problemi i pazgjidhur me fqinjin verior, që vazhdimisht ka punuar për të shkaktuar trazira në Kosovë, është bërë i padurueshëm, si për qeverisjen ashtu edhe për qytetarët. Kjo, për faktin se, në vend të trajtimit të shumë problemeve ekonomike, qeverisjet në vend, kanë humbur shumë kohë me dialogun me Serbinë. Prandaj, ky vit, ashtu siç ka filluar, shihet qartë se do të përfundojë, duke sjellë debate të ashpra dhe reagime të ndryshme sociale.

Sa i keq, po aq edhe i mirë do të jetë reagimi shoqëror sepse, dalëngadalë po fillohet zgjidhja e problemeve dhe zhvillimi i duhur i shoqërisë. Nuk ka dilema se po hyjmë në një etapë të re të zhvillimit. Mosreagimi dhe ikja nga debatet reale, e ka ngulfatur demokracinë dhe vetë shoqërinë kosovare. Andaj, është momenti që të fillohet trajtimi serioz i problemeve të shumëta shoqërore, pavarësisht se nuk do të jetë i lehtë, dhe me mundësi të shumta për pasoja negative, megjithatë, trajtimi i tyre është i domosdoshëm.

Ajo që mbetet për tu çmuar, është guximi dhe gatishmëria e kësaj qeverie që, përkundër numrave të pakët në Kuvend, të trajtojë çështjet sensitive, që kanë mbetur në raftet e qeverisë, vite me radhë!

Greva e mësimdhënësve, greva në shëndetësi, greva e paralajmëruar e shërbyesve civilë etj., nuk janë pasojë e qeverisjes së tanishëme por pasojë e qeverisjeve të djallëzuara që ka pasur Kosova, këtu e dy dekada me radhë. Janë pasojë e padrejtësive sociale, të krijuara ndër vite, të cilave, siç duket, iu ka ardhur fundi. Iu kanë ngelur si “patate e nxehtë” në duart e kësaj qeverie.

Gjeneza e krejt këtyre problemeve është nga fillimi i keq i qeverisjes së përkohshme dhe, nga dhënia e mundësisë dhe avansimi i njerëzve jo të duhur. Më pas, vazhdimi i këtij kursi nga të gjitha qeverisjet radhazi! Por, fatkeqësisht, në vend të debatit shoqëror, zgjidhja e problemeve po kërkohet në forma ekstreme, duke pësuar edhe shumë të pafajshëm, siç po e pësojnë aktualisht nxënësit nga kjo grevë e mësimdhënësve.
Kur kemi parasysh që, mbi 90% e të punësuarve në sektorin publik, kanë ardhur në ato vende pune mbi baza nepotike, pjesa dërmuese e tyre jomeritorë, për më keq, edhe analfabetë me diploma, zgjidhja padyshim nuk do të jetë e lehtë! Për më tepër, në këtë fillimvit, nuk mbeti kush pa kërkuar të ardhura më të mëdha nga shteti, përveç të papunëve që mbetën nën mëshirën e fatit dhe pa i përmendur askush, përkundër faktit se përbëjnë shtresën më të madhe të shoqërisë!

Paradoks që të habit, janë kërkesat e vazhdueshme për rritje pagash por, asnjëherë nuk u kërkua përgjegjësi për cilësi të dobët të shërbimeve. Kjo tregon se, në shtetin tonë, ku pas një muajsh do të festojmë 11 vjetorin e pavarësisë, askush nuk punon për të dhënë kontribut por vetëm për marrjen e pagës mujore.

Përfundimisht, këto dy dekadat e pasluftës, pakë kemi punuar për shtetin, më shumë kemi punuar për vetëveten. Andaj, dikush më pakë e dikush më shumë, por të gjithë jemi FAJTORË!

(Autori është Master i të Drejtës Ndërkombëtare. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë) Radio Sharri – Dragash

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-