Të jesh mirënjohës ndaj mirësive

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Që nga koha e Ademit, alejhi’s-selam, shpirti i Kabilit, i cili përfaqëson injorancën, ka ekzistuar gjithmonë dhe është shfaqur në grada të caktuara sipas kushteve. Civilizimi i famshëm i cili u përhap me ndihmën e fesë islame, e cila iu zbrit Hatemu’l-Enbija, (a.s.), i shqeu errësirat e injorancës në formën me influencuese dhe e shpiu këtë botë për shekuj me radhë te oqeani i drejtësisë dhe paqes.

Në shekujt e fundit, shpirti i Kabilit ka rifituar fuqi. Si rezultat i kësaj, shtetet kolonizuese e ndaluan perandorinë osmane, të cilën e shikonin si pengesë përpara ambicieve egoiste të tyre që nuk perceptohen dot nga asnjë logjikë, dhe pasi e detyruan të tërhiqej nga skena e historisë, u bënë sunduesit e ecurisë së kësaj bote. Kjo periudhë, në të cilën po vihen në praktikë planet më të pandërgjegjshme për hir të orekseve që s’dinë të ngopen, emërtohet si “injoranca moderne” nga dijetari egjiptian Muhamed Kutub. Në këtë periudhë, e cila mund të cilësohet si “brutalitet i përgjithshëm”, me mundësitë që ka sjellë edhe teknologjia, bota njerëzore bashkë me pasuritë e saj natyrore po pëson shkatërrimin më të madh.

Të urtët thonë: “Njeriu ha për të jetuar, nuk jeton për të ngrënë.” Por njeriu “modern” i kohës sonë që e ka harruar Ahiretin, bën çdo gjë me ambicien për ta ngopur nefsin e tij si njerëzit e shthurur të Romës së vjetër. Shpërndarja e të ardhurave në botë është aq e çekuilibruar, saqë në vendet e prapambetura me miliona njerëz vdesin nga uria. Ndërsa të pasurit, ndërkohë që i shfrytëzojnë këta të varfrit duke i kolonizuar, po vdesin prej sëmundjeve që sjell mbingopja. Në ajetin fisnik thuhet: “Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” (Rum, 41) Ekuilibri natyror është shkatërruar duke i shfrytëzuar në mënyrë barbare pasuritë natyrore, të cilat i kemi amanet, thjesht për të fituar sa më shumë. Shumë specie bimësh dhe kafshësh janë zhdukur. Për shkak se njeriu, i cili është krijesa më e bukur, e ka kthyer në gërmadhë këtë botë, e cila është më e bukura në gjithësi, njerëzia sot po ndeshet me tragjeditë natyrore. Në një hadith fisnik që ka lidhje me nefsin e njeriut, e cila nuk di se çfarë është të mjaftuarit me atë që posedon, thuhet:

“Sikur njeriu të kishte një luginë plot me florinj, do të dëshironte të kishte dy lugina plot me florinj. Sikur të kishte dy lugina plot me florinj, patjetër do të dëshironte të kishte edhe një luginë të tretë plot me florinj. Dëshirat e njeriut nuk kanë të mbaruar. Syrin e tij e ngop vetëm dheu.” (Buhari, Muslim.)

Aliu (r.a.), ka thënë:

“Të varfrit ngelin të uritur aq sa të pasurit e shpërdorojnë pasurinë e tyre.” Ndërkohë që ka shumë njerëz që përpëliten për shkak të skamllëkut, shpërdorimi i pasurisë nga njeriu dhe të qenët koprrac duke menduar vetëm për vete, është prej sjelljeve më të këqija që nuk përputhen me ndershmërinë e tij. Në Kuranin Fisnik thuhet:

“O ju që keni besuar! Jepni nga të mirat që ju kemi dhënë Ne, para se të vijë Dita (e Gjykimit) në të cilën nuk ka shit-blerje, as miqësi, as ndërmjetësi! Jobesimtarët janë keqbërësit e vërtetë.” (Bakara, 254) Përdorimi i mirësive, të cilat Allahu, xhelle xhelaluhu, ia ka dhuruar njeriut, me vetëdijen e të dhënit për hir të Allahut dhe altruizmit dhe në përputhje me pëlqimin e Atij, është lumturia më e madhe. Kjo është prej veprave që njeriut do t’i japë përgëzime në Ahiret. Në lidhje me këtë çështje shënohet kështu një sjellje e shkëlqyer e të Dërguarit të Allahut, (a.s.), i cili është “shembulli më i mirë” nga çdo aspekt për të gjithë:

I Dërguari i Allahut, alejhi’s-salatu ve’s-selam, e pyeti Aishen, radijallahu anha: “Çfarë ke bërë me delen që u ther në shtëpi?” Ajo iu përgjigj: “E kam ndarë të tërën përveç një kocke shpatulle.” Pasi Pejgamberi mori një përgjigje të tillë, e shprehu kështu gëzimin e tij:

“E gjitha qenka bërë e jona, përveç një kocke shpatulle.”

Edhe robërit e devotshëm, të cilët janë miq të Allahut Teala, janë përpjekur ta mbartin këtë ndjeshmëri profetike.

Njëra prej shenjave të disa sëmundjeve psikologjike është harxhimi i parave në mënyrë të pandërgjegjshme dhe në vende jo të duhura. Në kohën tonë, shumë prej njerëzve që nuk e kanë këtë ndjeshmëri sociale, janë shndërruar në maniakë që bëjnë shpenzime të pallogaritshme. Ndërkohë që shoqëria nuk i zgjat këmbët aq sa ka jorganin dhe po zhytet në batakun e borxhit,  është mbushur plot me shembuj negativë duke mos toleruar nga pasionet e pamatura si ndryshimi i mobilieve të shtëpisë brenda disa viteve, zgjedhja e mobilieve më të shtrenjta me ambicien për të blerë gjëra prej markave të famshme, të ngrënët, të pirët dhe argëtimi i pakufishëm, etj… Faktor tjetër i rëndësishëm në lidhje me këtë çështje është shfrytëzimi i njerëzve në emër të “modës” për hir të fitimit të disa firmave të caktuara që e nxisin konsumin. Këtë mashtrim të tmerrshëm e shprehin me këtë gazmore:

“Moda është kaq e shëmtuar saqë ndryshohet një herë në gjashtë muaj ngaqë nuk pëlqehet edhe nga vetë stilistët e modës.”

Imam Azami, Ebu Hanife (r.h.a.), thotë:

“Për ta kuptuar se nga ka ardhur një pasuri, duhet të shikojmë se ku shpenzohet.” Kjo çështje është ana tjetër, nga aspekti i paqes shoqërore, e gjendjes së frikshme të cilën po e shtjellojmë dhe e cila shkakton disa tragjedi dhe fatkeqësi familjare.

I Dërguari i Allahut, (s.a.v.s.), thotë për atë që do të vuaj në Ahiret, ndërkohë që u ka lënë pasardhësve të tij pasuri të madhe, por të fituar me haram:

“Turp, turp për atë njeri që u lë familjarëve të tij pasuri, ndërkohë që vetë do të dalë në audiencën e Zotit (xh.sh.), me të keqen (barrën e llogarisë së pasurisë që ka fituar).” (Sujuti, el-Xhamiu’s-Sagir, nr: 9693.)

Allahu Teala i ka dhuruar njeriut, të cilin e ka bërë mëkëmbës të Tij në sipërfaqen e tokës, mirësi të pallogaritshme në përputhje me këtë fisnikëri që i ka falur, por sa ia di vlerën njeriu kësaj fisnikërie? Në Kuranin Fisnik thuhet:

“Allahu e ka bërë natën që ju të pushoni, ndërsa ditën e ka bërë të ndritshme për të parë. Vërtet, Allahu është Dhurues i madh ndaj njerëzve, por shumica e tyre nuk janë mirënjohës.” (Gafir, 61) Ndërkohë që shumë njerëz janë të privuar nga mirësia për ta falënderuar Allahun Teala për mirësitë që u ka dhënë, vlen të theksojmë edhe çështjen e mënyrave të respektimit të edukatës së falënderimit të atyre që e kryejnë këtë obligim. Njerëzit e devotshëm thonë:

“Njeriu duhet ta falënderojë Allahun e Lartësuar dy herë për çdo frymëmarrje. Një herë kur të marrë frymë dhe një herë tjetër kur ta japë atë.”

Gjërat që sot hidhen në koshat e mbeturinave kanë përmasa aq të mëdha saqë nëse do të përdoreshin për bamirësi mund ta parandalonin problemin e mungesës së ushqimit në vendet e varfra. Pra, koshat e mbeturinave janë të mbushur plot e përplot me mirësi të shpërdoruara. Tashmë kanë filluar të pakësohen ndjeshëm njerëzit që nuk e shkelin bukën që e shohin në tokë, por që e marrin me respekt dhe e vendosin në një vend. Kështu që po shtohen njerëzit që nuk e njohin mungesën e ushqimit dhe që e konsiderojnë si modë lënien e disa kafshatave ushqim në pjatë dhe lënien e një gisht lëngu në gotën e tyre.

Në hadithin fisnik thuhet:

“Ditën e Kiametit, njeriu nuk do të largohet dot nga audienca e Zotit pa dhënë llogari se “si i ka përdorur mirësitë që i ishin dhënë amanet…”(Tirmidhi, Sifatu’l-Kijame, 1.)

Ndërkohë që mund të lartësohemi në gradën e një robi të devotshëm me virtytin e falënderimit të Zotit (xh.sh.), për mirësitë që na ka dhënë, rruga që duhet të ndjekim për të mos u bërë fatkeq në të dy botët me humbjen e mosmirënjohjes ndaj mirësive, është marrja për shembull e jetës së bekuar të Krenarisë së Gjithësisë, të Dërguarit të Allahut, (a.s.), i cili përshkruhet si një “Kuran i gjallë” dhe “Shembulli më i shkëlqyer dhe Mëshirë për Botët”.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-