Të shohësh mirësitë e përgjithshme

Opoja.net Opoja.net Uncategorized

Në suren Nebe’ urdhërohet: “A nuk jua kemi bërë Tokën si shtrat e malet si shtylla?! Ne ju kemi krijuar në çifte dhe gjumin jua kemi bërë për prehje. Natën jua kemi bërë mbulesë, ndërsa ditën e kemi caktuar për të punuar. Mbi ju kemi ndërtuar shtatë qiej të fortë dhe kemi vënë kandil (diell) të shndritshëm! Nga retë Ne ju lëshojmë ujëra të bollshme për rritjen e drithërave, bimëve dhe të kopshteve të dendura.” (Nebe’, 6-16)

Në Kuranin Fisnik ka shumë ajete që të përkujtojnë disa prej mirësive të dukshme në sofrën e gjithësisë, të cilat janë vënë në shërbim të njeriut[1] dhe ajeti që është dhënë më sipër është një nga shembujt më të qartë të këtij fakti. Para së gjithash, këtu bie në sy fakti se të gjitha mirësitë kryesore që janë vënë në shërbim të njerëzve, janë në përdorim të tyre pa dallim nëse janë besimtarë apo jobesimtarë. Po ashtu, ky përkujtim vihet pikërisht midis ajetit që dënon ata që vënë në dyshim “lajmin për Ditën e Madhe”[2] dhe ajetit “Sigurisht, Dita e Ndarjes vendimtare është caktuar.”[3] Me shumë mundësi, arsyeja e kësaj është nxitja për t’u përgatitur sa më mirë për atë ditë të madhe duke qenë të vetëdijshëm ndaj mirësive. Pasi njofton në mënyrë më efikase se tronditja e madhe do të ndodh me patjetër, tregon rrugën për të mos u kapur i papërgatitur nga vdekja, e cila është faza e parë e asaj ndodhie. Shkurtimisht, kërkon të thuhet, “Ngrije kokën njëherë dhe hapi sytë! Pastaj shih me vëmendje rreth e qark!”

Po ashtu, është shumë kuptimplotë edhe fakti se kur i Dërguari i Allahut (a.s.), dilte prej shtëpisë së tij, ngrinte kokën e tij të bekuar lart nga qielli dhe pasi shikonte me vëmendje fillonte të bënte dua.

Një mëngjes, i Dërguari i Allahut (a.s.), e lajmëron Bilal Hebeshiun (r.a.), për zbritjen e ajetit: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët!”[4] Më pas, edhe pse e lexoi këtë ajet, ai tha: “Mjerë për atë që nuk mediton rreth mirësive të Allahut!”[5]

Në të vërtetë, kur flitet për mirësitë e Allahut, shumica e njerëzve shohin vetëm ato prej të cilave kanë dobi, madje edhe për to nuk meditojnë ashtu siç duhet. Ndonjëherë, njeriu mendon edhe se nuk posedon asgjë. Nuk falënderon se është gjallë edhe “sot” dhe nuk e mendon këtë si një mundësi për të bërë vepra të mira. Duket sikur ai kërkon gjithmonë arsyetime për të mos falënderuar. Ai nuk e ngre kokën lart e të shohë sofrën e gjithësisë që është shtruar enkas për të. Ai nuk mendon as faktin se edhe vetë soditja e mirësive, që janë vepra arti më vete, është një mirësi e madhe, duke mos e llogaritur fare se është duke notuar midis mirësive të pashoqe hyjnore. Ai e ngushton horizontin e tij dhe gjithmonë ua vë syrin atyre që kanë në dorë ata të cilët posedojnë mundësi më të shumta se vetja. Ai harron se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë: “Shikoni ata që i kanë kushtet e jetës më të ulëta se tuajat dhe jo ata që i kanë më lart se tuajat! Kjo është një sjellje më e përshtatshme për ju, me qëllim që të mos i nënçmoni mirësitë e Allahut që keni.” (Muslim, Zuhd, 9.)

Besojmë se këto ajete fisnike, na përkujtojnë të shkojmë prej rregullit në gjithësi, në gjallërinë e tij, prej shumësisë drejt njëshmërisë dhe prej mirësive që duken tek ato që nuk duken. Na thërrasin të ngremë kokën me qëllim që të njohim Artistin e vërtetë prej veprave të Tij. Na fton të adhurojmë sikur jemi duke e parë Krijuesin e gjithçkaje që ekziston.

Allahu i Madhëruar e bën trupin e njeriut të funksionojë si një fabrikë e heshtur. Dhe për ta mbajtur në këmbë këtë sistem, vazhdon të mbajë në këmbë ciklin e të gjitha mirësive në tokë dhe në qiej. Ai lëviz me anë të erës retë e ngarkuara me shi. Tokën që lag me ujë, e ngroh me diell dhe nga dheu nxjerr lloj-lloj mirësish. Ai e bën natën dhe ditën të ndjekin njëra tjetrën. Po kështu edhe stinët. Ndërsa kafshët bimët dhe mirësitë e tjera i ka vënë në shërbim të njeriut në një mënyrë shumë bujare…

Njerëzit duhet të krahasojnë admirimin që ndjejnë ata për teknologjinë me botëkuptimin që kanë ata ndaj këtyre mirësive të pashoqe të cilat zotërojnë. Ata duhet të ndalen e t’i shikojnë mirë mirësitë që arrijnë të shohin, që prej botës makroskopike deri tek ajo mikroskopike, të cilat Allahu i madhëruar ua ka falur pa asnjë çmim. Më pas, duhet të imagjinohen mirësitë e vogla që nuk mund të shikohen me sy, por që kanë rëndësi jetike për ne. Duhen menduar edhe ato që horizonti yt nuk i përfshin dot për shkak të largësisë së tyre. Dhe për ta falënderuar ashtu siç duhet Atë që i ka dhënë të gjitha këto, nuk duhet harruar se në Kuranin Fisnik Ai na kujton herë pas here mirësitë më kryesore.

Në një ajet fisnik urdhërohet: “Andaj, shikoji gjurmët e mëshirës së Allahut, si e gjallëron tokën pas shkretimit të saj!..”[6] Ky ajet na kujton faktin se të dashurit e Allahut, zgjidhnin më shumë muajt e pranverës, për të kapur mundësitë e vrojtimit të manifestimeve hyjnore.

Së bashku me pranverën, çdo gjë rigjenerohet dhe fillon të zgjohet. Kjo, do të thotë se rigjenerimi dhe zgjimi janë prej nevojave të pandryshueshme. Për këtë arsye, është e nevojshme të shihet dhe të vrojtohet.

Përkufizimi i pastër i sinqeritetit

Në shumë vende të Kuranit Fisnik, gjendet urdhri i devotshmërisë me sinqeritet. Një nga këto, është ajeti i dytë në suren Zumer, ku urdhërohet: “Njëmend, Ne ta kemi zbritur ty Librin me të vërtetën. Andaj adhuro vetëm Allahun me përkushtim të çiltër për Të!” Ndërsa në suren Sad, në ajetin 82 na jepen fjalët e shejtanit, i cili është përbetuar se do ta mashtrojë njeriun dhe do ta nxjerrë atë nga rruga e drejtë: “Ai tha: “Betohem në madhërinë Tënde se unë do t’i mashtroj ata të gjithë!”

Sinqeritet, do të thotë që në fjalët që thuhen dhe në punët që bëhen, të mos ketë të fshehur ndonjë qëllim apo ndonjë llogari tjetër. Po si duhet të jetë kjo, ose si mund të jetë përkufizimi më i qartë i kësaj?

Përgjigjen e kësaj pyetje, e gjejmë në fjalin e një ajeti tjetër, i cili për nga aspekti i temës sonë, na tërheq vëmendjen në mirësitë e panumërta të Allahut të Madhëruar: “Allahu zbret nga qielli ujë me të cilin ngjall tokën pasi është tharë! Kjo, në të vërtetë, është shenjë e qartë për njerëzit që duan të dëgjojnë. Në fakt, edhe te bagëtitë ju keni shenja për të mësuar prej tyre. Ne ju japim atë që kanë në barkun e tyre prej ushqimit të përpunuar dhe gjakut: qumësht të pastër dhe të shijshëm për ata që e pinë.”(Nahl, 65-66)

Imam Gazaliu, në veprën e tij “Ihyau Ulumi’d-Din”, shprehet: “Ja, ky është përkufizimi më i saktë i sinqeritetit!” T’ia kushtosh një gjë, vendit që ajo i takon. Ta dallosh atë prej të kundërtave dhe të ngjashmeve, duke e bërë atë vetëm për veten e saj. Ndërsa kënaqësia e Allahut, për të cilën po flasim, e bën atë të pastër, të kulluar dhe pa përzierje, si qumështi.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-