TË SPROVUARIT ME PASURI

Opoja.net Opoja.net Artikuj

“Kështu ndodhi edhe me Karunin, Faraonin dhe Hamanin! Atyre u erdhi Musai me prova të qarta, por ata treguan mendjemadhësi në Tokë dhe nuk i shpëtuan dënimit.” (el-Ankebut, 29/39.)

Karuni përfaqëson njeriun e kamur me pasuri materiale, Faraoni njeriun me fuqi e pushtet, ndërsa Hamani njeriun me forcën e dijes. Në të njëjtën kohë, ata përfaqësojnë edhe njerëzit që, megjithëse janë të kamur, përsëri janë të falimentuar e të humbur.

Këta tre emra të famshëm, që e lëshuan veten në humnerë prej majës më të lartë të pasurive të tyre, duke u bërë copë e thërrime në pikëpamjen morale, edhe pse me emra të ndryshëm, janë përsëritur vazhdimisht gjatë gjithë historisë në jetën e shumë njerëzve. Përveç kësaj, për ta dëshmuar këtë përsëritje të pahijshme nuk është e thënë të shohim vetëm këta tre emra në histori apo ata që kanë arritur majën dhe fundin e tyre, por mund të shohim edhe në shumë emra të tjerë, pasuria e të cilëve edhe pse është e ndryshme, janë afër dhe larg nesh. Në fillim të shohim tek vetja jonë… tek personi që na del përpara kur shihemi në pasqyrë…

Le të hyjmë brenda një shembulli. Le të marrim Karunin, fuqia e pasurisë së të cilit e la atë të pafuqishëm…

Të gjithë e njohin Karunin. Edhe ata që luajnë rolin e tij, edhe ata që nuk e luajnë. Heroi kryesor që u mposht nga kjo botë… Një njeri që ia atribuoi vetes pasurinë dhe pronat, që i pandehu të pavdekshme dhe që zuri fundin e tokës me një përfundim të papritur, duke hyrë në varr ende pa vdekur. Me sa duket, as vetë ai dhe as të tjetër nuk e pritnin që fundi i tij të ishte i tillë.

Ndërkohë që po shkruaj këto rreshta, po mendoj për sjelljet e mia që u ngjajnë atyre të Karunit. Mendoni edhe ju se si jemi llastuar prej mirësive që zotërojmë dhe se si jemi larguar prej parimeve tona! Njeriu mund të shfaqë sjellje të Karunit në çdo nivel. Gjendja e tij mund të mos jetë gjithmonë e njëjta. Pra, gjendja e sprovës…

Në fakt, ky është një model negativ që duhet ta lexojnë mirë të gjithë ata, të cilët kanë mundësi të jetojnë një jetë të ngjashme. Përveç kësaj, nuk është e thënë që njeriu të jetë medoemos i pasur sa Karuni, që të bëjë kujdes të mos bëhet si ai. Në fakt, çdo njeri mjafton ta bëjë këtë zgjedhje e përjeton këtë rol me hapin dhe forcën e vet. Njeriu, ka një ego, e cila mund të llastohet edhe me gjëra shumë të thjeshta. Bie fjala, ai kujton se është dikushi edhe kur vesh një palë këpucë të një marke të famshme. Shembull i kësaj është se ai priret të ndryshojë edhe ecjen e tij kur kalon në një rrugë me baltë.

Mirëpo, a nuk janë këto pyetjet më kryesore që duhet t’i bëjmë vetes:

Kush je ti? Kujt i takon? Ti e krijove veten? Ku dhe prej kujt e more jetën? A mos e bleve vallë? Sa e more dhe për sa ditë? E bleve me borxh apo me para në dorë? Ti je pronari i vërtetë dhe absolut i saj? Ti je zotëruesi i trupit tënd, që është toka e ekzistencës tënde dhe i shpirtit tënd, që është si universi i pafund? A nuk mund ta marrë kush atë pa dashur ti? A je kalimthi apo i përjetshëm këtu? Kur të të kërkohet të braktisësh veten, a do të mundesh t’i mbyllësh dyert e shpirtit dhe të kundërshtosh? A do të mund t’ia dalësh mbanë të mos mposhtesh nga vdekja? A s’është fatkeqësi që dikush, i cili nuk ka asnjë ndikimin në përgjigjen ndaj këtyre pyetjeve, të mburret e të lavdërohet? Nëse ke prej këtyre cilësive që përmendëm, atëherë çohu dhe krenohu; lavdërohu. Deklarojua të gjithëve se sa i meriton lëvdatat. Kjo është e drejta jote.

Jo? A nuk je aq i madh sa të gëlltitësh në thellësinë tënde të panjohur fillimin dhe mbarimin e burimit të ekzistencës, apo nuk je aq i lirë në atë nivel sa të mbështillesh në të panjohurën duke tërhequr në ekzistencën tënde të gjitha ekzistencat? Vallë, mos je i lidhur me ndonjë burim tjetër; madje i varur prej tij?..

A nuk je ti vetë amanet i vetes tënde? Ti je përgjegjës të bartësh një shpirt brenda këtij trupi arkivol. Madje ta bartësh me krenari… një shpirt që i takon një force superiore, që do të kthehet tek Ai. Që është drejtuar për nga Ai, është përgjegjës ndaj Tij dhe që një ditë do të merret në llogari!

Atëherë, është e pakuptimtë të vazhdosh të mburresh… Lëre dhe mos e gënje veten dhe të tjerët me gjëra të ulëta. Në fakt, të gjithë janë si ti… Askush nuk është më i mirë dhe më i keq se ti. Nga kjo pikëpamje, qoftë më i thjeshtë apo më kompleks, në thelb jeni të njëjtë me njerëzit që nuk kanë gjë tjetër përveç vetes dhe me ata që kanë shumë gjëra. Të gjithë janë përgjegjës për aq pasuri sa kanë dhe jo përgjegjës për aq varfëri sa kanë…

Mirëpo, ka vetëm një rrugë për ta bartur këtë pasuri drejt pafundësisë. Përdorimi në mënyrë të drejtë, është i dobishëm për ty në këtë botë. Ndërsa ndarja e drejtë, të jep mundësinë të kesh pasuri në botën tjetër, që në këtë botë. Ato që ndajmë, janë investimet tona për botën tjetër. Pasuria në botën tjetër varet nga ajo që ndan në këtë botë. Pasurinë që do ta përdorësh në të ardhmen, e ndan tani me të tjerët, të varfrit dhe nevojtarët. Më vonë, prodhimi i kësaj pasurie që ndan dhe fitimi prej saj, kthehet përsëri tek ti. Në këtë mënyrë, ti mund të bësh investime për të ardhmen.

Urtësia; të shohësh të ardhmen me dy sy. E ardhmja kalimtare është ajo që mbaron me vdekjen. Kjo është e domosdoshme. Ndërsa e ardhmja e përjetshme është ajo që vjen pas vdekjes. Pra, kur vdekja të çlirojë prej lidhjes së përkohshme, do të kesh mundësi të fitosh pasurinë tënde në atë liri, në atë jetë të dytë. Ky është rregulli. Nuk duhet ta harrosh burimin. Nuk duhet t’ia kthesh shpinën qiellit prej nga ke rrjedhur. Do t’i kthesh fytyrën dhe pikë! Rregulli i kësaj loje është se nuk mund të bësh numra.

Pasuria e jetës, për shembull; është një trofe, çmimi i të cilit është njerëzia. Kemi pasuri që ndonjëherë na djeg duart e ndonjëherë na djeg shpirtin… Ka prej asaj pasurie që djeg ëndrrën dhe mendimin, shpërndan dritën e intelektit. Ka pasuri materiale e shpirtërore…

Ndërkohë që nderi është pasuria më e rëndësishme e njeriut, edhe paratë, pozita, cilësitë fizike, shtëpia, makina, këpuca apo edhe një lidhëse këpucësh janë pasuri. Kur Pejgamberi ynë (a.s.), tha se, “Do të pyeteni edhe për dy të zeza”, e ka pasur fjalën për hurmën dhe për diçka tjetër më të thjeshtë.

Kur i përkujtohet llogaria, tek njeriu aktivizohet vetëdija e përgjegjësisë dhe e përdorimit të drejtë. Çdo gjë që ke, është pasuria jote. Çfarëdo që nuk ke, është varfëria jote. Pasuri do të thotë të pyetesh për atë që ke, ndërsa varfëri do të thotë të mos pyetesh për atë që s’e ke. Dihet se të jesh i pasur, shton pyetjet dhe përgjegjësitë, vështirëson punën dhe vë në rrezik suksesin në jetën tjetër.

Mirëpo, kjo nuk do të thotë kurrë që njeriu të bjerë në një nivel të varfërisë që të ketë nevojë për të tjerët, në pozitën e lypsarisë që nuk i ka hije njeriut, në dembelizëm e parazitizëm. Në fakt, këtu bëhet fjalë vetëm për tepricën jashtë nevojave. Të gjithë e dimë se problem nuk janë vetëm pasuria dhe prona, por çdo gjë që është tepricë.

Groposja e Karunin në fund të dheut së bashku me sarajet e tij, është një përmbysje e çuditshme, e cila do të thotë rënie në nivelin më të ulët. Ka pasuri që fitohen direkt pa kryer asnjë punë. Dhurimi i pasurisë dhe fitimi i saj pa u munduar aspak të bën të mendosh se përgjegjësia ndaj saj është më e madhe. Nëse kemi parasysh se edhe zekati që është një urdhër i prerë për ndarjen e pasurisë, i cili është urdhëruar pasi një sasi e caktuar pasurie të jetë bërë e qëndrueshme në jetën e një individi, atëherë mund të themi se një pasuri e fituar pa punë, si trashëgimia, e cila u ngelet brezave pasardhës, duhet të ketë përgjegjësi më e madhe. Pra, duket e logjikshme se ndarja e pasurisë që fitohet pa punë, ka më shumë përgjegjësi dhe duhet bërë sa më shpejt.

Ndërsa, kur bie fjala për fitimet me punë, fitimi i tyre në rrugë të lejuar, është përgjegjësia e parë ndaj pasurisë, që para se ajo të fitohet. Pas kësaj, vjen drejtësia në përdorimin e saj. E më pas, vjen drejtësia në ndarjen e saj. Në fakt, në këtë ndarje bëhet fjalë për pjesën që i jepet të zotit të vërtetë të saj. Pra, pasuria ndahet midis teje dhe Allahut. Kjo i ngjan marrëveshjes midis investuesit që jep kapitalin dhe atij që e vë në punë dhe prodhon. Ti je i detyruar të veprosh në bazë të marrëveshjes që ke bërë me pronarin e vërtetë. Këto janë edhe rregullat bazë që ka vendosur Islami në lidhje me fitimin, menaxhimin dhe ndarjen. Mirëpo, nëse ti e prish marrëveshjen, fiton pasuri në mënyrë të padrejtë, prodhon në mënyrë të paekuilibruar e jashtë nevojave, e menaxhon duke e konsumuar pa kritere dhe nuk e ndan, por e mban për vete, ashtu si edhe Karuni, para së gjithash humb nderin, e më pas groposesh në fund të dheut.

Nisur nga ky fakt, edhe pse mund të fundosesh në fund të dheut, jeta e shkurtër që ty të duket e gjatë, në të vërtetë është shumë e shkurtër. Mbase edhe për një kohë të shkurtër mund të qëndrosh në pallate madhështore, në rezidenca, poste të larta, në menaxhimin e pasurive të mëdha ose në nivele të larta të disiplinave shkencore “të padiskutueshme” me bagazhin tënd të paarritshëm intelektual. Mirëpo, pa kaluar shumë, e vërteta e vdekjes do të të çojë edhe ty në varr, në fund të dheut.

Këto këshilla të përsëritura, që në përgjithësi konsiderohen të mërzitshme, nuk duhet të mërzitin askënd, sepse këto situata përjetohen shpesh gjatë jetës. Prandaj, është e kotë t’i ikësh dëgjimit të një teme prej së cilës nuk mund të shpëtosh gjatë jetës.

Le të qetësohemi pak dhe t’i thjeshtëzojmë këshillat tona. Malli nuk është e vetmja pasuri. Madje, është një nga pasuritë më të ulëta. Duke filluar që prej pasurive konkrete e materiale, niveli i pasurisë ngrihet deri tek frymëzimi, kuptimi dhe urtësia. Urtësia është pasuria më e bukur që i jepet një njeriu, i cili e meriton. Po ashtu edhe nderi… Që pasuria të mos bëhet një nga vdekjet tona dhe të njerëzisë sonë, por të jetë gjallëri për ne, atëherë të gjithë duhet të vetëdijësohemi ndaj kuptimit të vërtetë të saj.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-