Të vuash për respekt!

Opoja.net Opoja.net Opinione

Autor: Taulant F. Selmani

Ndodh shpesh të gjendesh mes greminës, të biesh ndesh me realitetin duke përqafuar mërzinë dhe duke u ushqyer me urrejtje! Ndodh të të ikën truri nga marrëzirat, të përplasesh në dyshemenë e jetës dhe të të humbet motivi. Detyrohesh të zgjedhësh në mes luftës për ekzistencë apo mbijetesës, sepse një jetë normale është pothuajse e paarritshme. Rrëzohesh duke mos patur shpresë të ngrihesh e të vazhdosh, duke mos patur forcë të luftosh me vetën.

Dhe, kështu ditët kalojnë, por nuk jetohen!

Ndonjëherë rrezaton një diell i rremë, i cili shkëlqen, por nuk ngroh; sheh fytyra tek të buzëqeshin, por të kanë zili; sjellje false e me mungesë respekti dhe përqafime, por jo dashuri! E për çfarë të jetojmë?! Kurrë nuk e dimë se ç’duam, nuk dimë se ç’presim, ç’hamë, ç’veshim!

Shohim fytyra të zbehta, prishje ëndrrash, ditë të zymta e net pa hënë. E, në mëngjes, në vend se të të zgjojë kënga e gjelit, apo alarmi i orës, të zgjon një krismë e cila merr jetë.

Shohim aq shumë lypsarë të kërkojnë lëmoshë, e që i injorojmë, duke harruar që secili nga ne jemi lypsarë, e ne për lëmoshë kërkojmë respektin, dashurinë, e të njerëzishmen! Shohim dhe nga ata që kanë bërë nga ‘dy lekë’ në xhep, e që nuk njohin ‘ligj e maliq’, e që mendojnë se po bëjnë namin, duke harruar se paraja mund të blejë shumëçka, por jo dhe respektin!

Gabohemi nëse mendojmë se paraja blen edhe dashurinë, sepse nuk ka njëri në botë që ofron aq shumë dashuri sa që të ketë edhe teprica për të ‘shitur’. Me para mund ta blesh trupin, por jo dhe zemrën, ndërsa me ‘pushtet’ mund të ta kenë frikën, por jo të të respektojnë!

E ne, akoma vazhdojmë ta kërkojmë të mirën, duke mos patur orientim; vazhdojmë të lundrojmë në ujin e turbullt të jetës me frikën se mos përmbysemi dhe kjo për faktin se jemi një ‘ekuipazh pa kapiten’!

Të gjithë ne jemi piratë në kërkim të thesarit ‘në fund të detit’, e ketë thesar e quajnë respekt!

“Piratët nuk dorëzohen, kërkimet vazhdojnë…!”

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-