Tradita e manifestimit të Mevludit në trevën e Opojës

Opoja.net Opoja.net Artikuj Opoja

Mr. Sadik Mehmeti

Trajtimin e një teme të caktuar nga aspekti shkencor, letrar etj., shpeshherë ta imponon koha, kushtet konkrete, rrethanat dhe atmosfera e përgjithshme shoqërore. Tradita e mevludit në ditët tona imponohet të merresh me të pikërisht nga nevoja dhe kërkesa e kushteve shoqërore, në të cilat ndodhemi ne, jo vetëm në Kosovë por edhe në Maqedoni, Shqipëri dhe në rajon, sepse jo vetëm që po bëhen përpjekje që kjo traditë e begatë të zbehet, por ka tendenca që të shuhet fare.

Është prandaj detyrë e intelektualëve tonë në përgjithësi, dhe sidomos e ulemave që vlerat tona të mëdha të kulturës shpirtërore e materiale islame-kombëtare, vazhdimisht t’i studiojmë, t’i trajtojmë nga aspekte të ndryshme dhe t’i ngjallim që të jetojnë përgjithmonë. Madje të gjithë atyre që nuk na njohin sa dhe si duhet, duhet t’ua bëjmë me dije se populli shqiptar ka kulturë shumë të pasur të traditës me vlera shpirtërore dhe materiale kombëtare-islame.

Duke u nisur nga këto fakte, në këtë kumtesë timen, kam marrë në shqyrtim traditën e mevludit dhe disa karakteristika përkitazi me mënyrën e manifestimit dhe të këndimit të mevludit në trevën e Opojës me rrethinë.

E kemi marrë në shqyrtim këtë temë sepse kemi konsideruar se manifestimi dhe këndimi i mevludit në trevën e Opojës ka një traditë të gjatë dhe ka disa veçanti dhe specifika, të cilat nuk i kemi takuar në krahinat e tjera, e që janë mjaftë domethënëse për kulturën shpirtërore të kësaj treve. E kemi bërë këtë edhe sepse kohëve të fundit, edhe në këto anë, sikurse dhe në trevat e tjera, kemi vërejtur disa përpjekje, me vetëdije apo pa të, që të shthuret dhe të çoroditet kjo traditë shekullore, të ikët nga mënyra tradicionale e manifestimit të mevludit, qoftë nga disa hoxhallarë, qoftë nga besimtarë të manipuluar nga këta të parët.

Mirëpo, para se të bëjmë fjalë për mënyrën e manifestimit të mevludit dhe karakteristikat e tij në Opojë sot, jemi interesuar të dimë se nga ç’kohë manifestohet mevludi në këtë trevë ose, më saktë, nga kur opojarët kanë shënuar ditëlindjen e të Dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit a.s..

 

Historiku i manifestimit të mevludit në Opojë

Krahina e Opojës me 19 fshatrat e saj, sikurse dihet, është krahinë etnikisht shqiptare  myslimane, në të cilën trashëgimia islame është e pranishme që nga shekulli XV[1].

Mirëpo, kjo trashëgimi morri hov sidomos në shekullin XVI, më saktësisht në kohën e vakëflënësit, bamirësit të madh dhe fisnikut të kësaj treve, Mehmet Hajrudinit, i mbiquajtur Kuklibegu, i cili, përveç të tjerash, kësaj treve i ka dhënë një xhami, një namazxhah, një shkollë, një bibliotekë, një teqe, një tyrbe dhe ujësjellësin. Kuklibegu pra, ishte motor lëvizës i arsimimit dhe edukimit islam në përgjithësi i kësaj treve dhe ai ishte faktori kryesor për përhapjen e fesë islame në Opojë[2]. Falë vakëfeve dhe hajrateve që i themeloi Kuklibegu, popullata atëherë e krishterë e Opojës, për dallim nga trevat e tjera, kaloi në fenë islame dhe e përqafoi atë po thuajse në tërësi dhe që nga ajo kohë kjo popullatë në vazhdimësi i përket fesë dhe kulturës islame. Dhe opojarët jo vetëm që e përqafuan fenë islame dhe jo vetëm që e kultivuan kulturën e saj, por ata kontribuuan , duke i dhënë asaj shumë personalitete, ulema, myderrizë, objekte fetare, medrese, dhe, përveç të tjerash, i dhanë edhe një autor të mevludit.

Por a thua nga kur opojarët e shënojnë ditëlindjen e të Dërguarit Muhamedit a.s.?

Ç’është e drejta, me gjithë interesimin tonë, në këtë pyetje nuk mund të japim një përgjigje të kënaqshme. Megjithatë, fillet e një manifestimi a shënimi të tillë, sigurisht që duhet kërkuar në kohën e Kuklibegut të sipërpërmendur, i cili në Vakëfnamenë e tij të legalizuar më 944/1538, përveç të tjerash, kishte vënë kushtin që në xhaminë e ndërtuar nga ai në kasabanë e Zinovës (Bresana e sotme) në Opojë, për çdo ditë të lexoheshin nga dy xhuza[3] të Kuranit, njëri për shpirt të nënës së tij, kurse tjetri për të Zgjedhurin tonë Pejgamberin Muhamedin a.s..[4] Ai kishte paraparë që këta xhuza të Kuranit t’i lexonin dy myezinët e kësaj xhamie me pagesë nga një akçe në ditë[5]. Kuklibegu, gjithashtu, kishte vënë kusht që për çdo xhuma të lexoheshin nga gjashtë ashere[6], dhe sevapi i këtyre ashereve të lexuara t’i dhurohej të zgjedhurit nga mesi i pejgamberëve, Muhammedit a.s. Kuklibegu, po ashtu, në Vakëfnamenë e tij kishte paraparë që myteveliu i vakëfit të tij për çdo vit në xhaminë e qytezës së Zinovës, pra në Bresanën e sotme të Opojës, të harxhonte nga 500 akçe në kohën e Bajramit të Madh dhe Bajramit të Vogël dhe me to të ziente ushqim në ditët e bajrameve dhe pas faljes së namazit të bajramit t’i qeraste besimtarët e varfër dhe të pasur, në mënyrë që besimtarët “të hanë me kënaqësi dhe të luten për shpirtin e Pejgamberit” dhe për shpirtin e Kuklibegut[7]. Për zierjen e ushqimit në të dy Bajramet, Kuklibegu kishte vakëfnuar dy kazanë dhe pesëdhjetë sinia[8].

Kjo traditë e zierjes dhe shpërndarjes së ushqimit, mbase jo në këtë mënyrë dhe me këto harxhime, por gjithsesi po, është respektuar deri në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, ku për festat e bajrameve zihej pilafi dhe shërbeheshin besimtarët e këtij fshati në përgjithësi. Sot, ky kusht i vakëflënësit dhe kjo traditë, me gjithë dobitë që mund të kishte, nuk përfillet dhe për gjeneratat e reja ka mbetur e panjohur. Nuk na është e njohur se përse një gjë e tillë është ndërprerë. Mendojmë se kjo traditë duhet të ripërtërihet dhe të riaktualizohet nga xhematlinjtë e xhamisë së “Kulibegut” në Bresanë, sidomos sot kur kushti që ka vënë vakëflënësi/Kuklibegu në rrethanat aktuale është shumë më lehtë i zbatueshëm dhe i praktikueshëm. Kjo traditë e mirë, kujtojmë, ka domethënien dhe rëndësinë e saj.

Në anën tjetër, një bashkëkohanik i Kuklibegut, dhe një sivendas i tij, pesë herë sadriazemi i Perandorisë Osmane, Koxha Sinan pasha i famshëm në Vakëfnamenë e tij të legalizuar më 924/1586 kishte vënë kusht që në Natën e Regaibit[9], Natën e Beratit[10], në Ditët e Ashurës[11], për çdo të premte, për çdo iftar të Ramazanit si dhe për festa të tjera, të përgatitej gjella e quajtur “dana” dhe ushqimi tjetër i quajtur “zerde”[12].

Ndërkaq, duke lexuar Vakëfnamenë e pinjollit të shquar të familjes fisnike shqiptare Rrotlla,Mahmud pasha nga Prizreni, të legalizuar më 1247/1831, vërejmë se ai, përveç të tjerash, kishte vënë kusht që gjatë netëve të Ramazanit, Bajrameve, Mevludeve, Regaibeve dhe Beratit, në harem të xhamisë së tij në Prizren të vendoseshin 12 kandila, në pjesën e jashtme 1 kandil, në minare 12 kandila, në medrese 1 kandil, në mejtep një kandil dhe në haremin e xhamisë së Kalasë 7 kandila, kështu që gjatë netëve të dalluara të ndizeshin 47 kandila[13]. Këto të dhëna i quajmë mjaftë domethënëse jo vetëm për Opojën, por edhe për trevat e tjera.

Në bazë të këtyre të dhënave të tërthorta nga këto vakëfname dhe të tjera që këtu nuk u përmenden dhe duke pasur parasysh afërsinë dhe lidhjet që Opoja ka pasur me Prizrenin, Tetovën, Shkupin, Shkodrën dhe me qytet e tjera përreth, mund të konstatojmë se tradita e manifestimit të ditëlindjes së Pejgamberit a.s. në këtë krahinë është e hershme dhe daton që nga koha e Kuklibegut të famshëm. Kjo mbase është e kuptueshme dhe shumë afër mendsh, sepse myslimani qoftë si individ, qoftë si anëtarë i shoqërisë islame e di rëndësinë e respektimit të Pejgamberit a.s. dhe ai gjithmonë ka gjetur mënyra për të shprehur dashurinë, nderin dhe respektin për Pejgamberin a.s., për jetën e tij, detyrat e tija që ua ka lënë amanet. Myslimani, cilido qoftë dhe kurdo qoftë, e bënë këtë sepse është i vetëdijshëm se duke shprehur dashurinë dhe respektin ndaj të Dërguarit a.s., përpiqet që sa më shumë t’i mbes besnikë atij dhe mësimeve të tij, e kjo do të thotë t’i mbesësh besnikë Kuranit dhe urdhrave të Allahut xh.sh., sepse Allahu xh.sh., – përmes Xhibrilit – i kishte thënë Muhamedit a.s. që t’u thoshte myslimanëve: “Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë ju dhe t’ua falë mëkatet.“[14]

Kështu ditëlindja e Muhamedit a.s. mbeti një ngjarje e shënuar që festohet me gëzim e kënaqësi të veçantë ndër opojarët sot e gjithë ditën.

Në anën tjetër, veprat si “Shemaili Sherif”[15] e Imam Tirmidhiut, “Delailul-hajrat”[16] e Xhezulit, e më vonë edhe “Et-Tarikatu el-Muhamedije”[17] e Imam Birgeviut, të cilat përshkruajnë biografinë (ar. siyar) e Muhamedit a.s., kanë shërbyer si doracakë themelorë në medresetë e kohës dhe sot e kësaj dite ekzemplarë të tyre kemi gjetur ndër bibliotekat e ulemave të Opojës dhe kanë qenë shumë të njohura nga hoxhallarët e gjeneratave më të hershme.

Këtu është e tepërt të përmenden edhe veprat “Kaside-i burde”,[18] dhe “Siretu ibn Hisham”[19]të cilat ulematë tanë jo vetëm që e kanë ditur e studiuar, por kanë qenë edhe të ndikuar në shkrimet e tyre. Në këto vepra kryesisht janë mbështetur hartuesit e mevludeve gjatë gjithë historisë islame.

Në anën tjetër, në mejtepet e Opojës, në të cilët kanë vijuar mësimet edhe vajzat, përveç këndimit të Kuranit, është kënduar edhe Mevludi[20], prandaj dhe mevludi ka mbetur, si të thuash, vepra më e dashur, më e lexuar dhe më e kënduar në këtë trevë. Sot në Opojë rrallë mund të gjesh dikë që nuk e di përmendsh mevludin, në mos të tërin, gjithsesi po disa pjesë të tij.

Një pyetje tjetër që kërkon hulumtime është edhe ajo se a thua cili mevlud është kënduar në trevën e Opojës dhe me gjerë? Një përgjigje të saktë lidhur me këtë mund të jepet vetëm pasi të jenë hulumtuar të gjitha dorëshkrimet e mbetura islame në vendin tonë.

Mirëpo, ne mendojmë se, mevludi i Sylejman Çelebiut “Wasīla an-Nağāt”, falë stilit të lehtë dhe gjuhës popullore dhe shpejtësisë së rrufeshme me të cilën u përhap pothuaj gjithandej Perandorisë Osmane, duke u bërë kështu vepra poetike më e lexuar në Botën Islame, – është lexuar edhe ndër shqiptarët, pra edhe në Opojë, deri sa nuk kishte mevlude në gjuhën shqipe. Me paraqitjen e mevludeve në gjuhën tonë vendin e mevludit turqisht të S. Çelebiut e zuri mevludi shqip.

Mevludi i Çelebiut sigurisht që ka qenë i njohur ndër opojarët, sepse nga koha e hartimit të tij (1409) e deri në kohën e Kuklibeut ka përafërsisht një shekull e gjysmë, ndaj dhe është afër mendsh, që në Opojë të ketë qenë i njohur ky mevlud. Sidoqoftë kjo mbetet çështje e hapur edhe mund të shqyrtohet, para së gjithash në këtë sesion shkencor.

Në anën tjetër, në bazë të hulumtimeve tona kemi nxjerrë përfundimin se në dekadat e fundit në Opojë janë përdorur mevludi i hafiz Ali Riza Ulqinakut, i njohur si “Mevludi i Shkodrës”[21]dhe më pastaj mevludi i Tahir efendi Popovës[22]. Ky i fundit, pas Luftës së Dytë Botërore këndohet në përgjithësi në tërë trevën e Opojës dhe në rrethinën e saj. Megjithëse, kohëve të fundit, në fshatin Bresanë dhe në ndonjë fshat tjetër, me rastin e këndimit të mevludit këndohet një fasl/pjesë nga “Mevludi” i Mulla Mehmed ef. Salihut. Kjo bëhet në shenj respekti e nderimi për bashkëvendësin e tyre, autorin e këtij Mevludi, mulla Mehmetin, i cili këtë mevlud e ka shkruar me shkronja arabe dhe me fjalë shqipe në vitin 1951[23].

Nga sa u tha më sipër mund të përfundojmë se tradita e manifestimit të mevludit në trevën e Opojës është e hershme dhe ka një vazhdimësi deri në ditët e sotme, por që me kalimin e kohës sigurisht që ka pësuar ndryshime, qoftë në mënyrën e manifestimit të tij, qoftë mbase edhe në formën dhe përmbajtjen e të kënduarit.

 

Manifestimi i Mevludit në Opojë

Për sa i përket manifestimit të mevludit, në Opojë, atë e karakterizojnë disa gjëra që nga dita kur bëhen përgatitjet për të e deri në këndimin e tij. Organizimi për mbajtjen e mevludit kërkon disa ditë. Së pari lajmërohet imami i fshatit për ditën e mbajtjes së mevludit, sepse ndodh që të njëjtën ditë ai të jetë i zënë. Më pastaj njoftohen mysafirët për ditën dhe kohën e mbajtjes së mevludit.

Dikur organizmi dhe informimi i mysafirëve merrte për shkak të lagësive, kërkonte kohë më të madhe, por sot kur largësitë kanë rënë, kjo gjë është thjeshtësuar dhe kryhet brenda pakë orëve.

Përgatitja e ushqimeve bëhej në mënyrë në mënyrë tradicionale, duke filluar, siç thuhet, nga“supa e deri në sytlijash”. Gjatë përgatitjeve për mevlud angazhohen po thuajse të gjithë anëtarët e familjes, madje edhe të afërmit. Ajo është një ditë e shënuar për të gjithë, pavarësisht se përse organizohet. Të rinjtë angazhohen në pritjen e mysafirëve dhe në shërbimin e tyre me kafe dhe me lëngje si dhe me shërbimin e ushqimit. Në të kaluarën, gjellët përgatiteshin nga zonjat e shtëpisë, të cilat shquheshin në këto punë dhe barra më e madhe në këto raste binte mbi to. Kohëve të fundit përgatitjen e gjellëve e bëjnë kuzhinierët dhe gjellëbërësit e përgatitur të këtyre anëve, të cilët ziejnë enkas për këto raste.

Pas përfundimit të ushqimit, nga imami i fshatit ose hoxha më me autoritet bëhet “Duaja e sofrës”. E pas kësaj, mysafirët shërbehen me kafe, kurse hoxhallarët mbajnë ndonjë ligjëratë të shkurtër ose përgjigjen në pyetjet e parashtruara nga mysafirët, derisa të bëhen përgatitjet për fillimin e këndimit të mevludit.

Akti kulmor i manifestimit të mevludit në Opojë shënohet me këndimin e tij. Këndimi i mevludit në Opojë nënkupton: leximin e Jasini sherifit[24], këndimin e mevludit ose disa pjesë të përzgjedhura të tij, këndimin e disa sureve të shkurtra të Kuranit dhe duanë e mevludit.

Për sa i takon këndimit të mevludit, në Opojë, ai këndohet nga disa hoxhallarë me imamin e fshatit përkatës në krye. Ky grup i hoxhallarëve përbëhet nga katër, pesë, gjashtë e ndonjëherë, në raste të veçanta, edhe më shumë. Në fillim, këndohet “Jasini sherifi” dhe varësisht nga numri i hoxhallarëve të pranishëm, këndohen edhe pjesët e tij. Pas “Jasini sherifit”, pas “Edudhubesmeles”[25] rëndom këndohet ajeti 56 i kaptinës “El-Ahzab”[26] dhe dërgohen salavate dhe selame për të dashurin tonë Muhamedin a.s.. Mevludin rëndom e fillon hoxha më i vjetër ose imami i fshatit.

Në të vërtetë, hoxhallarët, si të thuash, merren vesh se si do ta këndojnë mevludin, dy nga dy apo të gjithë në kor. Të shumtën, ndodh e para.

Më herët, po thuajse është kënduar gati i gjithë mevludi i Tahir efendi Popovës, kurse sot, të shumtën këndohen faslet/pjesët“Allah Emnin ta përmendim daima”“Ej xhemat kam vasijet hem rexha”“Çynqi Zotin hak e dite shybhe s’ka”, “Hak Teala çyn e fali Ademin”, “Emine emnin e ka nona Mustafas”, “U gzu hallki për Muhamed Mustafan”,  “Pej Mashkriki teri n’Magrb xhithë dynjas” dhe “Mustafaja ke me to kah ban kelam”.

Është karakteristikë se gjatë këndimit të salavateve, të cilat i këndon hoxha që ka zërin më të bukur dhe më kumbues, marrin pjesë edhe xhemati. Të pranishmit po ashtu, në ato pjesë që kanë karakter lutjesh përgjigjen duke thënë “Amin”. Kurse kur në fund të këndimit të mevludit imami këndon bejtin /Ja Allah pash hak Muhamed Mustafan/ Kur te desim merrna shpirtin me iman/, ata një zëri thonë: “Eshhedu en la ilahe il-laAllah ve eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu”. Kjo tregon për vetëdijen dhe nivelin e lartë fetarë islam të besimtarëve të kësaj treve dhe praninë e mevludit ndër besimtarët opojarë, qoftë si manifestim qoftë si tekst.

Është karakteristik leximi i pjesës/faslit “Emine emnin e ka nona Mustafas”, ku deri tek bejti /Ja Emine na ni send ty me ta than/ /kurrni nane Zoti si ty s’ja ka dhan/, për shkak të përmbajtjes, këndohet më avash dhe më zë më të ulët, e më pastaj ngrihet zëri, shpejtohet ritmi dhe elektrizohet xhemati.

Në fund të këndimit të mevludit këndohen kaptina “Ihlas”[27], “Muavidhetejnet”[28],“Elhami”[29] dhe “Elif lami”[30]; këtu mund të kontribuon edhe ndonjë xhematli i cili di të lexoj Kuran dhe ka zë të bukur, por që nuk i përket hoxhallarëve, e më pastaj bëhet “Duaja e mevludit” nga hoxha më i vjetër ose nga imami i fshatit përkatës, e cila nga xhemati përcillet me fjalën “Amin”.

Pas këndimit të mevludit, fillimisht hoxhallarët, e më pastaj edhe të pranishmit, e urojnë “zotin e shpish” dhe atë që është bërë sebep për këndimin e atij mevludi, duke i thënë. “Allahu ta bëftë kabull” dhe të ngjashme, kurse ai përgjigjet me “Amin”.

Më tutje, të pranishmit shërbehen me nga një “gastare me sherbet”, e pas kësaj, varësisht prej kohës dhe rrethanave, hoxhallarët, ose më drejtë, ai më me autoritet dhe më i vjetri prej tyre, u përgjigjet pyetjeve të të pranishëmve ose mbanë një ligjëratë në pajtim me natyrën e atij“mexhlisi”, sepse mevludi në Opojë këndohet në raste gëzimi dhe hidhërimi, si në dasma, syneti, hyrje në shtëpi të re, diplomime, shpëtimi nga ndonjë fatkeqësi, vdekje etj..

 

Disa karakteristika të këndimit dhe manifestimit të mevludit në Opojë

Është për t’u theksuar këtu se opojarët përveç mevludit nuk njohin ndonjë manifestim tjetër të këtij karakteri, ta zëmë siç janë Qelimet[31] që bëhen në trevat e tjera. Qelimet në Opojë janë kënduar dhe këndohen në mënyrë individuale dhe personalisht nga besimtarët.

Në Opojë është karakteristike mënyra, mekami, ritmi dhe melodia e këndimit të mevludit, të cilat janë ruajtur në mënyrë fanatike brez pas brezi dhe të cilat nuk i kemi hasur në trevat e tjera. Kjo formë e këndimit të mevludit duhet të kultivohet dhe të ruhet edhe në të ardhmen. Kjo sigurisht që ka domethënien e vetë.

Në Opojë, nuk ndodh që gjatë manifestimit të mevludit të këndohet vetëm Kuran, siç pretendojnë disa hoxhallarë dhe as të këndohet vetëm mevludi pa Jasini Sherifin dhe pa pjesë të tjera nga Kurani, siç kemi vërejtur të ndodh në trevat e tjera. Në Opojë nuk ka mevlud pa lexim të Kuranit. Këtij parimi duhet mbajtur patjetër edhe në të ardhmen.

Këndimi i mevludi në Opojë kryesisht organizohet në shtëpi private dhe me ndonjë përjashtim të rrallë, në raste të veçanta, në xhami.

Nuk është e pëlqyeshme dhe e pranueshme nga xhematlinjtë që hoxhallarët ta lexojnë mevludin me shkronja latine, por ata duhet ta dinë mevludin përmendsh, ose, të paktën, ta lexojnë nga origjinali arabisht.

Falë teknikës dhe zmadhuesve të zërit këndimi i mevludit dëgjohet në një rreth më të gjerë se sa dikur; sot edhe gratë nga dhomat e tjera e dëgjojnë këndimin e mevludit dhe marrin pjesë pa asnjë pengesë. Kjo është një traditë e mirë.

Nuk duhet harruar edhe rolin psikologjiko-didaktitk që ka organizmi i mevludit tek të rinjtë dhe fëmijët. Të gjithë ne i kujtojmë me endje dhe nostalgji, edhe sot e kësaj dite, momentet kur në shtëpitë tona organizohej dhe këndohej mevludi. Edhe kjo, kujtojmë, ka domethënien e vetë, padyshim.

 

Disa tendenca qëllimkëqija që nuk duhet pranuar

Kohëve të fundit edhe në Opojë vërehen disa largime nga tradita. Kanë filluar të paraqiten, aty këtu, disa zëra të mekur e pa përkrahje, për gjoja mos nevojën e organizimit të mevludit dhe këndimit të tij, sepse, sipas tyre, kjo na qenkësh risi. Por këta zëra kanë mbetur të vetmuar dhe nuk janë përkrahur nga besimtarët e Opojës. Përkundrazi, të tillët janë injoruar dhe nuk janë përfillur fare. Në këtë ka ndikuar autoriteti i hoxhallarëve të hershëm dhe atyre të mëvonshëm që i kanë mbetur besnik traditës shekullore islame në këtë trevë dhe të cilët kanë pasur parasysh rolin dhe rëndësinë e mevludit për ruajtjen e vlerave fetare islame ndër shqiptarët.

Një gjë tjetër jo e mirë, që përpiqet të imponohet, është edhe tendenca për organizmin e mevludeve nëpër restorante. Ne mendojmë se kjo teke e dikujt nuk duhet të përkrahet as nga hoxhallarët dhe as nga besimtarët. Sikundër që nuk duhet të bëhet praktik organizimi i mevludeve nëpër qendra të kulturës apo qendra të ngjashme. Fryma dhe mënyra tradicionale e organizimit dhe këndimit të mevludit duhet të ruhet patjetër. Ky fakt ka peshën e vetë, gjithsesi.

 

Përfundim

– Si përfundim, na imponohet konstatimi se Opoja për nga pikëpamja e kulturës islame është shumë e pasur dhe interesante. Ajo ka një trashëgimi të pasur islame me elemente dhe me vlera të veçanta që ofrojnë mundësi të shumta studimi. Ne këtu përmendem vetëm disa të dhëna për traditën e mevludit, duke mos u thelluar në shpjegime më të hollësishme.

– Traditën e hershme të manifestimit të mevludit në Opojë e karakterizon një bojë dhe aromë e veçantë; ajo ka disa karakteristika dhe specifika të veçanta që nuk hasen në treva të tjera.

– Manifestimi i mevludit ka ruajtur një rol me rëndësi në ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtarë në Opojë. Përmes tij synohet nderimi ynë ndaj personalitet të Muhamedit a.s., synohet ngritja e horizonteve tonë fetar e kulturor, synohet mësimi i vlerave fetare, letrare, gjuhësore, historike, kulturore, gjuhësore, etnografike dhe atdhetare të përmbajtjes, të formës e të ceremonialit të tyre, synohet forcimi i frymës së bashkimit, mirëkuptimit, bashkëpunimit e tolerancës midis njerëzve në përgjithësi si krijesa të Zotit.

– Nuk mbahet mend që ndonjë nga hoxhallarët e hershëm të Opojës të ketë bërë kritik për këndimin e mevludit, por përkundrazi, ata duke qenë hoxhallarë në kuptimin e plotë të fjalës dhe vizionar e largpamës dhe duke pasur parasysh rolin dhe rëndësinë e mevludit për ruajtjen e vlerave fetare dhe kombëtare, ata kanë kënduar mevlud ose kanë marrë pjesë në këto ceremoni, e ka nga ta edhe që kanë shkruar mevlude dhe janë bërë të njohur në këtë fushë.

– Nëse ndodh që gjatë kremtimit të mevludit, të themi, ka ndonjë gjë të papranueshme, atëherë faji nuk është tek mevludi, por është tek ne. Nëse një njeri sillet në mënyrë të pahijshme në xhami, kjo nuk do të thotë se xhamia është e keqe, përkundrazi. Ose, të themi ndryshe, ç’faje ka Dielli, nëse dritën e tij nuk mund ta vërej i verbëti?!

 

____________________________
[1] Selami Pulaha, Të dhëna ekonomike dhe demografike për krahinën e Opojës, Studime Historike, nr. 3, Tiranë, 1975; Hasan Kaleši i Ismail Redžep, Prizrenac Kukli beg i njegove zadužbine, “Prilozi za orientalnu filologiju”, VIII-IX/1958-9, Sarajevo, 1960, f. 144. Ky studim është përkthyer në gjuhën shqipe nga Ismail Rexhepi dhe Sadik Mehmeti me titull: “Kuklibegu dhe përshpirtënimet e tij” dhe është botuar në rev. “Edukata Islame”, nr. 83, Prishtinë, 2007, f. 201-225.

[2] Hasan Kaleshi – Ismail Redžep, po aty, f. 143-167.

[3] Xhuz është pjesa e tridhjetë e Kuranit. Kurani është i ndarë në tridhjetë xhuza.

[4] Hasan Kaleši i Ismail Redžep, Prizrenac Kukli beg…, po aty.

[5] Po aty.

[6] ‘Ashr është pjesë nga Kurani, e cila rëndom lexohet pas namazit. Me rastin e këndimit të mevludit dhe me rastin e ceremonive të ndryshme fetare po ashtu këndohet ashere e pastaj bëhet duaja.

[7] Hasan Kaleši i Ismail Redžep, Prizrenac Kukli beg…, po aty.

[8] Po aty.

[9] Kjo është nata e mbarësimit të Muhamedit a.s. në barkun e nënës së tij. Kjo natë bjerë të premten e parë të muajit rexheb.

[10] Nata e Beratit (arabisht: “Layla al-barā’a”, turqisht: “Berat gicesi”), festohet si festë fetare dhe bjerë në gjysmën e muajit shaban, sipas kalendarit islam.

[11] Ashura është nata në prag të 10 Muharremit sipas kalendarit islam. Një lloj i natës për pastrimin e mëkateve. Për këtë festë rëndom përgatitet ushqimi i quajtur ashūra.

[12] Më gjerësisht për Koxha Sinan Pashën dhe vakëfnimet e tij, shih: Dr. Hasan Kaleši,Najstariji vakufski dokumenti u Jugoslaviji na arapskom jeziku, Prishtinë, 1972, f. 257-308. Studimi i Dr. Hasan Kaleshit “Veliki vezir Kodža Sinan paša, njegove zadužbine i njegova vakufnama” – “Veziri i madh Koxha Sinan pasha – përshpirtënimet dhe Vakëfnameja e tij”,është përkthyer në gjuhën shqipe nga I. Rexhepi dhe S. Mehmeti dhe është botuar në revistën “Edukata Islame”, nr. 82, Prishtinë, 2007, f. 95 – 143.

[13] Më gjerësisht për Mahmud pashë Rrotllën dhe vakëfnimet e tij, shih: Hasan Kaleši-Ismail Eren, Prizrenac Mahmud paša Rotul, njegove zadužbine i vakufnama, në: “Starine Kosova-Antikitete të Kosovës”, nr. VI-VII, Prishtinë, 1972-1973, f. 24-60. Ky studim i përkthyer në gjuhën shqipe nga I. Rexhepi dhe S. Mehmeti është botuar në revistën “Edukata Islame”, nr. 81, Prishtinë, 2006, f. 151-188.

[14] Kuran, kaptina “Ali Imran”, ajeti 31.

[15] Është përmbledhje e haditheve që bëjnë fjalë për personalitetin dhe jetën e Muhammedit a.s. Autor i veprës është Hāfīdh Abī ‘Īsā Muhammad ibn ‘Īsā bin Sarwat ibn ‘Īsā ad-Dahāq as-Salamī at-Tirmidhī (vdiq më 279/892), kurse emir i plotë i veprës është: “Kitāb ash-Shamāil-i Sharīf ose “ash-Shamāil-i an-Nabawiyy”.

[16] Emri i plotë i veprës është “Dalā’il al-hayrāt fī shawāriq al-anwār. E ka shkruar Abū ‘Abdullāh Muhammad b. Sulaymān al-Ğazūlī (vdiq më 870/1465). Vepra përmban lutje dhe salavate.

[17] “at-Tarīqa al-Muhammadiyya wa as-Sīra al-Ahmadiyya” e autorit Muhammad Pir ‘Ali al-Bargiwī (njihet edhe me emrin Bargili, Birgawī ose Birğawī), i cili jetoi midis viteve 929-981/1523-1573.

[18] Titulli i plotë i kësaj kasideje është “al-Kawākib ad-Durriyya fī mad’hi Hayr al-bariyya” ose, siç njihet me emrin e popullarizuar “Qasīda al-Burda”, të cilën e ka shkruar Sharafuddīn Abu ‘Abdullāh Muhammad b. Sa’īd al-Būsirī (vd. 694/1294).

[19] “as-Sira an-Nabawiyya li Ibn Hishām” ose ”Sira Ibn Hishām”, është jetëshkrim i Muhammedit a.s. të cilën e ka shkruar Abu Muhammad ‘Abdumalik b. Hishām b. Ayyūb al-Hamīrī al-Basrī (vd. 218/833).

[20] H. Kaleshi, XV. asırdan XVII. asrın nihayetine kadar Yugoslav topraklarında şark medeniyeti, në: “Çevren”, nr. 10, Prishtinë, 1976, f. 25.

[21] Hafiz Ali-Riza Ulqinaku, u lind në Ulqin në vitin 1855. kurse vdiq në Shkodër më 23 prill1913. Ka lënë disa vepra dorëshkrim dhe të botuara, ndër to edhe mevludin me titull:”Tarğama-i-mawlūd ‘alā lisānī Arnaūd”, (Përkthim i Mevludit në gjuhën shqipe), që në fakt është përkthim i mevludit të poetit të shquar turk Sylejman Çelebiut, të cilin Hafiz Aliu e ka përkthyer e ka adaptuar, e ka përshtatur dhe e ka pajisur me poezi origjinale. Më gjerësisht për jetën dhe Mevludin e Hafiz Ali Ulqinakut shih: Faik Luli-Islam Dizdari, Mevludet në gjuhën shqipe, Shkodër, 2002, f. 71-262.

[22] Tahir ef. Popova (1856?-1949) ka lindur në fshatin Popovë komuna e Vushtrrisë. Mevludin e shkroi derisa ishte studentë i Shkollës së Lartë “Sulltanije” në Stamboll. Mevludi i Tahir ef. Popovës mban titullin “Manzūma al-mawlūd fī afdali al-mawğūd bi lisāni al-Arnaūd” – “Vargje në gjuhën shqipe mbi lindjen e Qenies më të vlefshme”. Më gjerësisht për jetën dhe Mevludin e Hafiz Ali Ulqinakut shih: Faik Luli-Islam Dizdari, Mevludet në gjuhën shqipe, Shkodër, 2002, f. 263-309.

[23] Mehmet ef. Salihu, u lind më 1898 në fshatin Bresanë të Opojës. Ixhazetnamenë e mori në medresenë e fshatit të tij në Bresanë tek alimi e myderrizi i njohur h. Rexhep ef. Ismaili. Vdiq në moshën 87 vjeçe, të hënën më 20 tetor 1985 në fshatin Bresanë. Pas veti ka lënë një krijimtari të pasur me tematikë të ndryshme, të tërën dorëshkrim. Mulla Mehmeti ka lënë në dorëshkrim: “Mevludin”, “Israja dhe Miraxhi i Pejgamberit a.s.”, “Besime t’plota – nasihat”, “Texhvid” (Mbi rregullat e të kënduarit të Kur’anit), “Texhvid i ri në gjuhën shqipe”, “Hydbe të zgjedhura në gjuhën shqipe”, “Katërdhjetë hadithe – përkthim me komentim”, ilmihalin e vëllimshëm “Dritë e madhe feja islame”, një “Vasijetname”, një “Ahidname”, shumë kaside, përkthimin dhe komentimin e xhuzit të fundit të Kuranit – xhuzi “Amme” etj. Më gjerësisht për jetën dhe veprën e Mulla Mehmetit, shih punimin tonë: Bejtexhiu opojar – Mulla Mehmet ef. Salihu (1898 – 1985), “Dituria Islame, nr. 108-109, Prishtinë, 1998, f. 73 – 77.

[24] Kaptina e 36 Kuranit fisnik.

[25] “Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim; Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrahim”.

[26] “In-nall-llahe ve melaiketehu jusal-lune alen-nebijj, ja ejjuhel-ledhine amenu sal-lu alejhi ve sel-limu teslim” – “Është e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavate) dhe përshëndeteni me selam”.

[27] Kaptina e 112 e Kuranit; “Kul huvall-llahu”.

[28] Kaptina e 113 dhe 114 e Kuranit; “Kul eudhu bi Rabbil-felek” dhe “Kul eudhu bi Rabbin-nas”.

[29] Kaptina e 1 e Kuranit; “El-Fatiha”-“El-hamdu lil-lahi”.

[30] Gjashtë ajetet e para të Kaptinës së dytë të Kuranit “El-Bekare”; “Elif Lam Mim”.

[31] Qelime nga ar. Kelime=Kelime-i tevhid=La ilahe il-lAll-llah, nënkupton këndimin shumë herë me zë ose në heshtje të Dëshmisë islame-Kelime-i tevhidit.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-