U promovua libri “Pishtari i njerëzimit” i autorit Kushtrim Reshiti

Opoja.net Opoja.net Këndi Letrar Opoja

Prishtinë, 23 prill 2018 – Në Ditën Botërore të Librit, krijuesi i ri letrar nga Bresana, Kushtrim Reshiti ka promovuar librin “Pishtari i njerëzisë”.

Ceremonia e promovimit është mbajtur në në Sallën e konferencave të Gjimnazit “Hasan Nahi” në Prishtinë, ku kanë marrë pjesë drejtues të Shtëpisë Botuese “Thesari”, drejtues të fondacionit kulturor “Atmosfera”, nxënës dhe profesorë të Gjimnazit “Hasan Nahi”, familjarë të autorit dhe mysafirë të tjerë, dashamirë të fjalës së bukur artistike.

Në fillim, të pranishmëve në këtë përurim u ka dëshiruar mirseardhje drejtori i Gjimnazit “Hasan Nahi”, profesor Bashkim Çmega, i cili ka vlerësuar lartë autorin e librit duke theksuar se ai këto vargje i ka shkruar gjatë kohës sa ishte nxënës në këtë vatër arsimore.

Nëpërmjet një video paraqitjeje nga Sheshi Manhattan i Nju Jorkut, të pranishmit në sallë i ka përshendetur redaktori i librit Gazmend Aga, ish-drejtor i  Gjimnazit “Hasan Nahi”.
“…Libri që keni në dorë është një letër dashurie ndaj njeriut të dashurisë, është letër falënderimi ndaj nënës, babait dëshmor, xhaxhait të Kushtrimit dhe Gjimnazit “Hasan Nahi”. Ky libër është dëshmi e trashëgimisë shqiptare shekullore e cila fenë e ka ndërtuar mbi esencën e dashurisë për Zotin dhe kombin, është një fjalë e nxjerrë me një frymë, si fjalë e dhënë ndaj ta dashurit të zemrave, Profetit Muhamed (Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të)...”, ka thënë ndër të tjera profesor Aga.

Ndërkaq, recensuesi i librit, profesor Miftar Ajdini, në vështrimin për librin (të cilin e ka lexuar maturanti Erion Dauti), ka konstatuar ndër të tjera se materiali I prezantuar në libër e ka përcjellë në mënyrë kronologjike jetën dhe veprën e Pejgamberit tonë të dashur Muhamedit (savs) dhe kështu përbën një tërësi të pandarë…

Librin që u përurua dhe autorin e kanë vlerësuar lartë edhe z. Sadetin Kotrri, profesor i shkencave islame në  gjimnazin “Hasan Nahi” dhe profesori Labinot Krasniqi, lektor i librit.

Në emër të Shtëpisë Botuese “Thesari” në kuadër të së cilës është botuar libri, të pranishmit i ka përshëndetur shkrimtarii, gazetari e publicist, Demir Reshiti i cili ka falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë kontribut për ta parë dritën ky libër.

Një fjalë përshëndetëse e ka mbajtur edhe drejtori ekzekutiv i Fondacionit Kulturor “Atmosfera”, z. Hysein Odabash, i cili në emër të Fondacionit dhe të Gjimnazit “Hasan Nahi”, e ka ndarë nga një mirënjohje për botuesin dhe autorin e librit.

Kontribut në mbarëvajtjen e këtij promovimi kanë dhënë edhe profesori Aid Qafleshi në rolin e moderatorit dhe nxënësit Tahir Zogaj, Rinor Murati, Erian Dauti, Aldren Ramaj e Gani Rizanaj. /Opoja.net

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-