Opoja.net
Meka Mish

Uta Ibrahimi – Femra e parë nga Kosova që e pushtoi Everestin, tash ka një mision të ri

Revista Rock and Ice, e cila është e dedikuar për alpinizmin, i ka kushtuar një artikull të posaçëm alpinistes Uta Ibrahimi. Në artikullin e publikuar thuhet se ajo është shqiptarja e parë nga Kosova që është ngjitur në majën e Everestit dhe tash ka një projekt të ri: Ajo do të tentojë të ngjitet në majën e katërt më të lartë në botë – Lhotse përmes një variacioni të rrugës Jerzy Kukuczka. Për të, ndërmarrja e njërës prej rrugëve më të vështira në Himalaje do të jetë një mundësi jetësore.

Ajo kishte planifikuar të pushonte në pranverë dhe të angazhohej për grumbullimin e fondeve për ekspeditat e të ardhmes. Mirëpo, një ftesë personale nga Hong Sung Taek – një alpinist jugkorean dhe eksplorues i natyrës – e kishte bindur Utën, pasi që ajo nuk do ta humbte një shans për ta marrë këtë rrugëtim me një njeri me përvojë si ai (kjo do të jetë përpjekja e gjashtë e tij për t’u ngjitur kah ana jugore. Në vitin 2017, ai ishte kthyer 200 metra larg majës).

Alpinistja jonë është ngjitur në Lhotse – në malin e katërt më të lartë në botë në 8.516 metra – në vitin 2018, si pjesë e objektivit të saj për t’u ngjitur në 14 majat më të larta në botë brenda shtatë vitesh (brenda dy vitesh është ngjitur në katër prej tyre).

Ana jugore e Lhotse i ka heshtur alpinistët e njohur, si Kukuczka, Reinhold Messner, Riccardo Cassin, Cristof Profit e shumë të tjerë. Vetëm dy ekipe janë ngjitur me sukses në pjesën jugore: Një ekspeditë ruse 18-anëtarëshe në vitin 1990 dhe një ekip japonez i udhëhequr nga Osamu Tanabe në vitin 2006. Ekipi i Tanabes për pak sa nuk e kishte përfunduar edhe ngjitjen e parë dimërore në këtë maje, mirëpo ishte kthyer vetëm 41 metra larg kreut.

Vështirësia e rrugës qëndron në murin prej akulli dhe shkëmbinjsh, të lartë 3.300 metra, i cili në disa pjesë është thuajse krejtësisht vertikal. Kësaj i shtohet edhe moti i stuhishëm, rreziku nga ortekët dhe rënia e gurëve.

Ana jugore e Lhotse (Foto: Instagram/uta_ibrahimi8000)

Më tej revista e përshkruan takimin me Utën në Kolorado (ku ndodhej për t’u stërvitur për ngjitje në akull, ngjitje të kombinuar dhe përgatitje maksimale për lartësi të mëdha, duke qenë se Prishtina është vetëm 600 metra lartësi mbidetare) – për të biseduar me të dhe për të mësuar më shumë rreth ekspeditës.

“Një ditë tipikë përbëhet nga vrapimi i mëngjesit, gjashtë orë ngjitje në akull dhe dy orë ushtrime me pesha në mbrëmje”, shkruan Rock and Ice për Utën duke shtuar se ajo ishte e këndshme gjatë bisedës.

“Nga tokat e rrafshëta të vendlindjes së saj deri në majat e botës, Ibrahimi po merr sfida dramatike për vetveten dhe vendin e saj”, thuhet më tej.

Mos i humb

Nga Shaqiri deri te Sanchez: Tetë lojtarët që tregojnë gjithmonë formë të lartë me kombëtaret

Opoja.net

Muriqi udhëton drejt Stambollit, arrin marrëveshje me Galatasarayn

Opoja.net

Majlinda Kelmendi stoliset me medaljen e parë të artë në Lojërat Evropiane pas triumfit ndaj ruses në Minsk 2019

Opoja.net

Porto në bisedime të avancuara me Buffonin

Opoja.net

Zyrtare: Milani me 10 gusht luan në Kosovë përballë Feronikelit

Opoja.net

‘Dardanët’ i blejnë të gjitha biletat për shtatë minuta për përballjen Angli – Kosovës

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net