ADEM BERISHA , SIMBOL I REZISTENCËS E ATDHETARIZMIT

Opoja.net Opoja.net Opoja Personazhe

Djaloshi opojar që sakrifikoi jetën dhe nuk i tradhëtoi shokët

ADEM BERISHA , SIMBOL I REZISTENCËS E ATDHETARIZMIT

Shkruar nga: Muharrem Qafleshi

Adem Berisha posa ka rënë në kthetrat e UDB-ës serbe, kanë filluar torturat më barbare, duke e dërmuar për vdekje trupin e Ademit. Në gjendje shumë të vështirë shëndetësore, atë e dërgojnë në spitalin e përgjithshëm të Prizrenit. Meqë gjendja e tij e përgjithshme ishte tepër e rëndë, më vonë e dërgojnë në spitalin e Prishtinës, ku edhe pushon së rrahuri përgjithmonë zemra e madhe e këtij trimi dhe patrioti të shquar opojar.

Opojari Adem Berisha, u lind para 43 vitesh, në fshatin Buqe të Opojës, nga babë Selomi dhe nënë Bahrija. Familja e tij njihet si familje e ndershme, e vyeshme dhe bujare. Fëmijërinë e kaloi në kushte mjaft të vështira në fshatin e tij të lindjes, ku pos vështirësive të tjera edhe uji ishte apotheozë e vërtetë. Si edhe shumica e fëmijëve të fshatrave rurale, edhe Ademi si fëmi i njomë i ruante bagëtitë, në kodrinat malore, krejt afër kufirit me Shqipërinë.
Katër vitet e para të fillores i kreu në Buqe, ndërkaq katër vitet tjera i vijoi në Llopushnik, lokalitet ky që shtrihet disa km larg fshatit Buqe. Shkollimin e mesëm e ka vazhduar në Shkollën e mesme në Dragash, drejtimi i bujqësisë, ndërsa pas kryerjes së kësaj shkolle ftohet për ta kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, obligim ky, të cilin e kreu në qytetin e bukur Novo Mesto të ish republikës jugosllave, Sllovenisë.
Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, ai për të fituar kafshatën e bukës për vete dhe familjen, punësohet në Ndërmarrjen bujqësoro- blegtorale “Sharrprodhimi”, ku punoi që nga viti 1987 deri në vitin 1990, kur u largua nga puna, si edhe të gjithë punëtorët shqiptarë të komunës dhe të Kosovës, për shkaqe të mirënjohura.
Që nga fillimi i luftës çlirimtare të Kosovës, ai përcaktohet me tërë qenien e tij për t i kontribuar kësaj lufte. Kështu, ai me shokët e tij, i dihmuan luftëtarët e ushtrisë çlirimtare të kosovës, të cilët pandërprerë kalonin kufirin për të sjellë armë nga Shqipëria. Ai vazhdimisht i pritte dhe i përcillte ata shtigjeve të mirënjohura për te, në mënyrë që ata mos të bijnë në duar të ushtrisë serbosllave. Shpesh edhe vet ka dalur përtej kufirit për të sjellë armë të të gjitha llojeve.
Kështu, në verën e vitit 1998, gjatë një kthimi nga Shqipëria, një grup i ushtarëve të UÇK-së u ndalën për të pushuar në shtëpinë e Ademit, siç vepronin shpesh luftëtarët e Vërrinit. Luftëtarët u ndanë në dy grupe, njëri grup hyri në shtëpinë e Ademit, ndërsa grupi tjetër, në shtëpinë e axhës së Ademit. Ishte 28 korriku i vitit 1998, vit ky që do të ngelë përgjithmonë në kujtimet e idhta të buqjanëve dhe tërë banorëve opojarë. Soldateska serbosllave, pasi që u bijnë në gjurmë luftëtarëve të UÇK-së e rrethojnë tërë fshatin. Me ndihmën e qytetarëve të këtij fshati, luftëtarët disi e shpërthejnë rrethimin dhe dalin në malin e afërt. Gjatë kësaj beteje të rrebtë vritet komandanti i forcave ushtarake serbe të stacionuara në kazermën te pishat afër fshatit Zym të Opojës, ndërkaq plagoset zëvendësi i komandantit të stacionit policor në Dragash.
Vrasja e komandantit të soldatestës serbosllave pati jehonë të madhe në qarqet militariste serbe, dhe këtë ata nuk do t ia harrojnë kurrë qytetarëve të këtij fshati, mbase këtë edhe do ta paguajë më vonë Ademi, me kokë.
Në këtë mënyrë, të nesërmën, derisa Ademi, së bashku me Jetonin, ishin duke udhëtuar me makinë për në qytezën e Dragashit, tek vendi i quajtur Tyrbja e Pllavës, ata u arrestuan nga policia serbosllave dhe u dërguan në shërbimin e sigurimit në Prizren. Posa ka rënë në kthetrat e UDB-ës serbe, kanë filluar torturat më barbare, duke e dërmuar për vdekje trupin e Ademit. Në gjendje shumë të vështirë shëndetësore, atë e dërgojnë në spitalin e përgjithshëm të Prizrenit. Meqë gjendja e tij e përgjithshme ishte tepër e rëndë, më vonë e dërgojnë në spitalin e Prishtinës, ku edhe pushon së rrahuri përgjithmonë zemra e madhe e këtij trimi dhe patrioti të shquar opojar. Në këtë mënyrë, ndonëse ai kishte një trup mjaft të zhvilluar dhe të fuqishëm, ai nuk qe në gjendje që t ‘u bëjë ballë torturave më çnjerëzore të pjesëtarëve të sigurimit serb. Ndodhi kjo vdekje mjaft e dhimbshme për familjarët e tij dhe të gjithë qytetarët opojarë. Ishte kjo dita e 18 gushtit të vitit 1998. Të nesërmën, në orën 17, trupi i tij i pajetë , i sjellë nga avokati i tij, Sali Duja, varroset në varrezat e fshatit të tij të lindjes, nën mbikëqyrjen e policisë. Ky varrim bëhet nën ultimatumin e pashembëlltë të policies, se po qe se varrimi nuk do të kryhej brend tri orëve, nuk do të lejohej varrimi në varrezat e fshatit, por ai duhej që më vonë të varrosej në oborrin e shtëpisë së tij. Pas luftës, rivarrimi i eshtrave të tij për t i varrosur në Varrezat e Dëshmorëve nuk është bërë, me dëshirën e familjjes së tij.
Në këtë mënyrë, prindërit e tij, Selomi e Bahrija, mbetën pa djalin e tyre më të dashur, ndërsa bashkëshortja, Sheribanja, mbeti pa një bashkëshort të jashtëzakonshëm, për t’ u përkujdesur për katër fëmijët e tyre, djalin Etnikun, dhe vajzat, Leonorën, Lindoren, Lulëbardhen dhe Fëllënzën. Mbetën përgjithmonë të pikëlluar edhe i vëllai, Jahiri dhe motrat, Rekmia, Nexhmia, Hamdia dhe Afrimja.
Sot, mbi varrin e këtij dëshmori opojar qëndron pllaka përkujtimore e vendosur nga pjesëtarët e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ndërsa për çdo vit përkujtimor varrit të tij i bëhen homazhe, duke e mbuluar me kurora lulesh.
Bashkëfshatarët e tij dhe të gjithë ata që e kanë njohur ende e përkujtojnë Ademin me pietet të thellë. Sipas tyre, ai ishte i aftë për çdo punë, siç thotë populli, çka i shihte syri, ia bënte dora. Ishte shumë i sinqertë i drejtë dhe mjaft bujar. Trim dhe sypatrembur. Për te, po-ja dhe jo-ja kishin një domethënie të veçantë, ngase ishte skajmërisht i vendosur.
E dha jetën, duke mos e treguar asnjë bashkëpunëtor të tij, për të cilët ishte e interesuar UDB-ja famëkeqe serbosllave. Nuk e dha asnjë emër, dhe kështu i shpëtoi shokët duke e sakfrifikuar veten. Dhe kjo i ka tërbuar pa masë udbashët e pashpirtë të sigurimit serb. Në këtë mënyrë, vdes për të mos vdekur kurrë. Emri i tij do të qëndrojë prore në zemrat e qytetarëve të Opojës, të cilët krenohen me veprën dhe atdhedashurinë e këtij dëshmori, i cili mbi të gjitha e deshi lirinë e Kosovës. Dhe për këtë ideal të lartë nuk iu dhimbs aspak as më shtrenjta, jeta e tij. Fundja, kjo edhe ishte filozofia e jetës së tij, të cilën nuk e jetoi deri në fund, duke mos e pritur lirinë e Kosovës, të cilën e deshi më shumë se çdo gjë tjetër.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-