Bie bora e parë për këtë sezon në Opojë

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Fjollat e para të borës në këto ditë vjeshte sapo kanë filluar të bien mbi trevën e Opojës
Rënia e borës së parë sinjalizon banorët për t’u bërë gati për stinën e ftohtë.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu ka bërë të ditur se të gjitha rrugët në Kosovë janë të përgatitura për sezonin dimëror.
Ai tha se për mirëmbajtjen e tyre janë përzgjedhur shtatë kompani, të cilat do të kujdesen për mirëmbajtjen e rrugëve.
Edhe qytetarët e anketuar, thanë se janë përgatitur për sezonin dimëror sa i përket pajisjeve që nevojiten për veturat e tyre.

Ministria e Infrastrukturës së bashku me kompanitë e kontraktuara në shtatë rajone të Kosovës, i ka bërë të gjitha përgatitjet për sezonin dimëror, i cili ligjërisht ka filluar më 15 nëntor.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, i cili ka thënë se institucionet përgjegjëse për këtë janë mobilizuar për çfarëdo temperaturash.

“Kompanitë janë mobilizuar që të gjitha kompanitë të furnizohen me materiale harxhuese në këtë rast me krip për dimër. Është sjellë nga të gjitha kompanitë një sasi e mjaftueshëm e kripës e cila do të jetë e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve dhe kësaj here nuk do të na zë në gjumë”, ka thënë Kadriu.

Kadriu tha se Ministria e Infrastrukturës i ka bërë përgatitjet edhe sa i përket sanimit të gropave dhe dëmeve të shkaktuara nëpër rrugë.

“Jemi duke i sanuar dhe jemi në përfundim, kemi dhënë urdhëresë për të gjitha kompanitë që sa më shpejt të përfundojnë. Fatmirësisht kësaj here na ka mbajt moti i mirë dhe po i përfundojmë të gjitha punimet dhe i siguroj qytetarët se në të gjitha rrugët nacionale dhe regjionale nuk kemi gropa këtë vit”, u shpreh Kadriu për Radio Kosovën.

Kadriu u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të pajisen me pajisje dimërore për veturat e tyre, bazuar në ligjet në fuqi. Ndërsa, disa nga qytetarët e intervistuar nga Radio Kosova, thanë se i kanë bërë përgatitjet e nevojshme.
Bajram Imeri tha se rrugët janë në gjendje të mirë, por shtoi se përgatitjet për veturë duhet të bëhen çdo herë.

“Duhet me qenë i përgatitur sipas kohës çdo herë, sepse brenda ditës mund të ndryshojë koha.”

Edhe Heset Hasani tha se gjoba prej 40 eurosh në rast të mungesës se pajisjeve dimërore nuk është e lartë, pasi, sipas tij, bëhet fjalë për jetën.

“Me këqyr në një aspekt nuk është e lartë, jo 40 euro por 100 euro e kisha bë, sepse nëse gomat ose zinxhirët nuk i ke, kushton edhe me jetë ose fatalitet, kështu që më mirë me pas gjobë se sa fatalitet.”
Ministria e Infrastrukturës posedon mbi 160 milionë euro buxhet, i cili kryesisht shfrytëzohet për mirëmbajtje dhe ndërtim të rrugëve në Republikën e Kosovës.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-