Çdo mirësi është sadaka

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Adi b. Hatimi (r.a.), transmeton se Profeti ynë (a.s.), ka thënë: “Ruajeni veten tuaj prej zjarrit, qoftë edhe me një gjysmë hurme! Kush nuk e gjen as këtë, të paktën ta ruajë veten me fjalë të bukura!” (Buhari, Edeb, 34.)

Myslimanët që ishin mbledhur në Luginën Ranuna, do të falnin namazin e parë të xhumasë nën udhëheqjen e Profetit (a.s.), të cilin e kishin pritur me entuziazëm të madh. Profeti (a.s.), u ngrit në këmbë midis turmës dhe pasi falënderoi dhe madhëroi Allahun, filloi hutben duke thënë:

“O njerëz! Para se të shkoni në botën tjetër, dërgoni atje diçka për veten tuaj!” Ai tregoi tmerrin dhe shqetësimin e njeriut kur të dalë para Zotit të vet Ditën e Kiametit. Më pas foli për Xhehenemin. Ai e tërhoqi fytyrën e tij disa herë, sikur po ruhej prej zjarrit atë moment dhe tha: “Ruajeni veten tuaj prej zjarrit qoftë edhe me një gjysmë hurme! Kush nuk e gjen as këtë, të paktën ta ruajë veten me fjalë të bukura!” (Buhari, Edeb, 34; Ibn Hisham, Siret, III, 30.)

Fakti që i Dërguari i Allahut (a.s.), i nxit myslimanët me dhënien e sadakasë që në hutben e parë menjëherë pas hixhretit/emigrimit, me ç’rast u sprovua edhe besimi i tyre, është shumë kuptimplotë. Kjo, sepse sadakaja, e cila bëhet shkak i fitimit të kënaqësisë së Allahut, në të njëjtën kohë është edhe treguesi më i rëndësishëm i reflektimit të besimit në vepra, të sinqeritetit dhe të ndershmërisë. Siç shprehet edhe i Dërguari i Allahut (a.s.): “Sadakaja është argument.” (Muslim, Tahare, 1.)

Në Ditën e Kiametit, kur njeriu të pyetet se ku e ka shpenzuar pasurinë e tij, “sadakaja” do të jetë përgjigja më e bukur për këtë pyetje. Sadakaja është mburojë ndaj Xhehenemit i cili është i rrethuar nga gjërat që egoja i dëshiron më së shumti. Ndërsa gjërat të cilat nuk i pëlqejnë egos, janë shkak i fitimit të Xhenetit. Të mësosh të ndash me të tjerët, pavarësisht pengesave të egos së pangopur, është një nga veprat më të rëndësishme që e edukon njeriun dhe ia forcon atij ndjenjën për të ndihmuar të tjerët pa pritur shpërblim prej tyre.

Profeti ynë (a.s.), duke u shprehur se çdo mysliman duhet të japë sadaka, thotë:

“Njeriu duhet të japë sadaka për të gjitha gjymtyrët e tij çdo ditë që lind dielli.” (Muslim, Zekat, 56.) Nisur nga kjo, sadakaja, e cila është edhe një mënyrë falënderimi ndaj Zotit tonë të Madhëruar, na bën ta ndiejmë peshën e saj mbi supet tona si një përgjegjësi që duhet të zërë vend në çdo çast të jetës sonë të përditshme. Mirëpo, këtu mund të lindë pyetja se a i mjafton gjithkujt pasuria për të dhënë sadaka çdo ditë. Në këtë rast, nëse i marrim parasysh edhe hadithet e tjerë të Profetit (a.s.), në lidhje me këtë çështje, del në pah se sadakaja është një koncept gjithëpërfshirës që nuk nënkupton vetëm ndihmat në aspektin material, por edhe çdo fjalë dhe sjellje të mirë. Për të Dërguarin e Allahut (a.s.), çdo mirësi konsiderohet sadaka. (shih. Buhari, Edeb, 33.) Pra, Profeti (a.s.), i cilëson si sadaka të gjitha sjelljet si, buzëqeshja, fjala e bukur, përshëndetja me selam, këshillimi në të mirë, ndalimi nga e keqja, gostitja e mikut, mësimi i diturisë dhe ndarja e saj me të tjerët, pajtimi i njerëzve me njëri-tjetrin, tregimi i rrugës atij që ka humbur, qëndrimi larg së keqes, largimi i një pengese prej rrugës ku kalojnë njerëzit, sigurimi i të ardhurave për familjen, ndihmesa ndaj njerëzve me të meta, mbjellja e pemëve frutore që të kenë dobi krijesat e tjera, etj. (shih. Buhari, Megazi, 12; Muslim, Zekat, 55-56; Tirmidhi, Birr, 36; Ibn Maxhe, Sunnet, 20; Ibn Hanbel, V, 285.)

Të gjitha këto, tregojnë se rrugët e mirësisë janë të shumta dhe të lehta për këdo që dëshiron të arrijë kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Madje, Profeti (a.s.), duke dhënë shembull ndihmën që bëhet qoftë edhe me një gjysmë hurme, tregon se edhe një ndihmë e vogël e sinqertë mund të bëhet shkak për ruajtjen nga zjarri i Xhehenemit. Kjo, sepse Allahu i madhëruar, më tepër i jep vlerë sadakasë që jepet me sinqeritet dhe prej pasurisë hallall, sesa sasisë së saj. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut thotë se sadakaja nuk duhet nënvleftësuar edhe nëse ajo është e pakët, sepse çdo fjalë apo vepër që bëhet në emër të mirësisë, qoftë edhe një fjalë e thjeshtë, ajo do të ketë vlerë të madhe tek Allahu i Madhëruar.

Duke u nisur nga shembulli që tregon se Allahu, i Cili pranon sadakatë, mund ta zmadhojë sa mali i Uhudit edhe sadakanë e vogël sa një kafshatë[1], mund të themi me plotë bindje se nuk është aspak e drejtë të ngurrosh në dhënien e sakadasë me pretekstin se ajo është e pakët. Sadakaja, e cila bëhet shkak i fitimit të kënaqësisë së Allahut, që është shpërblimi më i çmuar si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër, në të njëjtën kohë ndikon pozitivisht edhe në zhvillimin e njeriut në aspektin moral. Në sajë të sadakasë, është e mundur të mposhtësh koprracinë dhe dhënien pas pasurisë së kësaj bote, të cilat janë prej sëmundjeve më të këqija të njeriut. Ai që qahet duke thënë “pasuria ime, pasuria ime!”, nuk duhet të harrojë se në këtë botë, njeriu nuk ka asnjë fitim përveç ushqimit që konsumon, veshjes që vjetërson dhe sadakasë që jep dhe e dërgon në botën tjetër para se të shkojë vetë. (shih. Muslim, Zuhd, 3.)

Sadakaja, e cila përveç ndihmës ndaj nevojtarëve përfshin edhe çdo fjalë dhe vepër të mirë, ndihmon edhe forcimin e ndjenjave të solidaritetit, ndihmës dhe marrëdhënieve të mira mes njerëzve. Nisur nga kjo, asnjë mirësi nuk duhet nënvleftësuar, qoftë edhe një buzëqeshje ndaj vëllait. (shih. Muslim, Birr, 144.)

Për atë që dëshiron të arrijë kënaqësinë e Allahut, ka shumë mënyra për të bërë mirësi, mjafton që ai të dëshirojë të bëjë mirë. Dhe një nga këto, është sadakaja. Ashtu siç thotë edhe i Dërguari i Allahut (a.s.), meqenëse çdo mirësi është sadaka, nuk është e drejtë që sadakaja të neglizhohet me pretekstin se është e pakët apo e vogël. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar premton se nuk do ta lërë pa shpërblyer qoftë edhe një mirësi të vogël sa grimca. (shih. Zelzele, 7.) Ndërsa sjelljet e atyre që përveçse nuk ndihmojnë aspak, pengojnë edhe kryerjen e mirësive, Allahu i qorton me ashpërsi. (shih. Maun, 7.) Nëse veprohet me sinqeritet duke qenë i vetëdijshëm se çdo mirësi konsiderohet sadaka, atëherë është e domosdoshme të mos nënvleftësohet as edhe një mirësi e vogël e cila e afron njeriun drejt Xhenetit dhe e largon atë prej Xhehenemit në çdo hap që hedh.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-