Çfarë Islami, në fakt, dëshirojmë

Opoja.net Opoja.net Opinione

Shkruan: Nexhat Ibrahimi

Tashmë disa herë kalimthi kemi cekur se viteve të fundit kemi një qasje jostandarde ndaj Islamit dhe vlerave të tij, një qasje, do të thosha, joserioze, madje edhe të dëmshme. E gjithë kjo po ndodh para syve të institucioneve përgjegjëse, madje edhe drejtpërdrejt të ndihmuara nga ata me profesionalizmin e tyre dhe me autoritetin institucional.

Dikush do të mund të përgjigjet e të mos pajtohet me konstatimin tim, duke thënë se edhe kjo formë është normale e brenda standardeve, madje edhe është forma më e kërkuar nga tregu. Dikush tjetër mund të thotë se duhet kuptuar se jetojmë se një shoqëri tejet të komercializuar dhe kur kësaj i shtojmë dominimin e faqeve të shumta në internet, në facebook, twiter, instagram, yutube e rrjete tjera sociale, atëherë fitojmë një ambient tjetër dhe rrethana tjera. Lajmet vendosen shpejt dhe në mënyrë rutine. Reklamat kudo, madje edhe nëpër fatura pagesash, në e-majl apo sms etj. Ky është trendi, kjo kërkohet dhe mosndjekja e këtij ritmi të nxjerr nga ritmi dhe dinamika e jetës.

Edhe pse nuk jam ekonomist e komercialist, edhe pse nuk jam ndonjë llogaribërës i mirë, nuk është e vështirë t’i bëj edhe unë ca llogari. Në një periudhë afatshkurtër, kjo mënyrë eksponimi i Islamit dhe muslimanëve nëpër media sidomos elektronike dhe vizive ‘shitet’ mirë dhe me bollëk. Këtë e shohim, për shembull, nga ‘dijetarët’ të cilët eksponohen në yutube apo në mjete tjera sociale dhe të cilët dijetarë janë shumë më të popullarizuar sesa ata që nuk janë të pranishëm në rrjetet sociale nëpërmjet videove. Autoriteti arrihet në mënyrë artificiale, para myshterinjve të cilët, përkundër qëllimeve (mbase) fisnike, nuk janë kompetentë të vlerësojnë dhe flasin, ndërsa jashtë tregut të vlerësimit kompetent. Kështu, me reklamimin e dijetarëve dhe me prodhimin e materialit të dhunshëm online kemi krijuar një treg të shpirtëroritetit estradesk, tallava, turbo-folk, i cili kënaq veshin e syrin (mbase edhe epshin për të qenë yll estrade) por mbyll mendjen dhe zemrën.

Si konsumatorë tashmë mund të përzgjedhim ndër shumë opsione mesazhin që për momentin dhe kohën na hyn në rrugë. Interesimi ynë më nuk është i nxitur nga kureshtja për dije, por para së gjithash është i nxitur nga bilbordat, emrat, sloganet, pankartat, logot etj. Edhe pse na intereson ndonjë porosi e mirë nga ato slogane, me rëndësi parësore është argëtimi, humbakoha, relaksi.

Kur një shoqëri, bashkësi, komunitet të përshtatet me fenë si argëtim e si relaks, ajo shoqëri bëhet e paaftë të mendojë, të planifikojë dhe ta konsumojë fenë në mënyrë tjetër. Nëse kemi dy programe paralelisht, që po ndodh shpesh në kohët e fundit, programi me një dijetar kulmor kalon gjysmësallë të mbushur, ndërsa programi me njerëz të estradës është i përcjell edhe përtej salle, është festë qyteti e më shumë. Po kjo kërkohet edhe nga imamët, që të jenë sa më atraktiv, më relaksues, më argëtues. Tash më pak lexohet një vepër studioze, qoftë më e mira e llojit, por me dëshirë do të shikohet një video emocionuese, me vlera të dyshimta, madje qesharake, ku folklori dhe skena kanë rëndësi prioritare përball vlerave dhe porosive të qëndrueshme.

Mënyra tradicionale e mësimdhënies, e ligjërimit, sikurse është mektebi dhe hallkat e dikurshme, po treten para thirrjes (da’vetit) estradesk, përkatësisht para show-da’vetit. Mënyra e mësimit sistematik dhe bazor të hoxhës me disa nxënës në mekteb po tretet para sallave prej disa mijë dëgjuesve me një ambient mbresëlënës, me drita e ngjyra joshëse, me zhurmë të altoparlantëve, me veshjet që për nga ekspresiviteti e snobizmi, kiçi e shundi, nuk dallojnë nga ato të këngëtarëve e muzikave të zhanreve moderne.

Qysh në ditët e para, fëmijët e tinejxherët, të ndikuar nga familja e shoqëria, kushtëzohen t’i bashkohen argëtimit joshës në qytet e rajon, pse jo edhe global, t’i bashkohen skenave të mëdha, përplot kolorit, me publik shumë të madh krahasuar me atë në mekteb apo ndonjë sallë mësim-besimi. Kështu kemi një valë të rinisë e cila, edhe pse a paarsimuar, në stilin e dijetarëve kulmorë, hapin faqet e veta në internet dhe me agresivitet të paimagjinueshëm propagandojnë bindjet e veta dhe ligjëratat e hoxhëve të vet. Të gjitha faqet e ngjashme dhe të gjithë hoxhët që nuk përkojnë me standardet e tyre, shpallen të pafe, devijues, që meritojnë ndëshkimet e rënda në këtë dhe në botën tjetër. Njerëzit jokompetentë promovohen në thirrës islamë, ndërsa njerëzit kompetentë mbesin jashtë loje, vetëm e vetëm pse nuk duan të bëhen pre e interesave afatshkurtra dhe të rreshtohen krahas grupeve të dyshimta.

Kjo mënyrë e mësimdhënies dhe mësimmarrjes nuk është e qëndrueshme. Ajo po sjell dhe do të sjell dëme të pariparueshme. Dija dikur konsiderohej e shenjtë dhe respektohej bashkë me dijetarin. Puna e dijetarit dikur respektohej mbi të gjitha. Nuk është e kot thënia fetare se “vdekja e një brezi të tërë është më e mirë se vdekja e një dijetari” (hadithin e përcjell Taberaniu nga Ebu’d-Derda). Është dallim i madh arsimimi me argëtim dhe arsimimi klasik, synim kryesor i të cilit ka qenë dhe është nënshtrimi i nefsit, eliminimi i pengesave që të lidhemi me Krijuesin e jo argëtimi dhe relaksimi ynë para probleme të kohës dhe shumë pikëpyetjeve që ekzistojnë para njeriut bashkëkohor. Në fakt po ndodh e kundërta, show-hoxhët apo hoxhët e estradës bashkë me simpatizantët e vet po ofrojnë pikërisht atë që do të duhej luftuar: varësinë nga argëtimi dhe përmbushjen e vakuumit shpirtëror me shpirtëroritet e jo me varësi tjetër, diç më ndryshe, që ka ofruar e po ofron sa kohë materializmi. Pra, ironia konsiston pikërisht në atë që po ofrohet ajo nga e cila do të duhej ikur.

Dikush mund të keqkuptoj e të thotë se ky shkrim është kundër mjeteve moderne të informimit. Jo, përkundrazi, shkrimi nuk është kundër facebookut dhe twiterit, por është për një rend e disiplinë brenda familjes. Dikush po ashtu mund të thotë: zotëri, të paska shkelur rrota e historisë, lësho rrugë e mos pengo. Po, po! I kam parasysh të gjitha, por megjithatë, edhe nëse unë lëshoj rrugë, sërish duhet rend e disiplinë. Duhet bërë dallimin mes dashamirit të dijes, nxënësit dhe dijetarit. Mësimdhënie jep vetëm dhe vetëm dijetari. Askush tjetër! As nxënësi, e lere më dashamiri.

Gjithashtu, për të arritur deri te dëgjuesi apo lexuesi i ri, nëpërmjet mjeteve të reja audio-vizuele e elektronike, duhet qenë taktik, me plan dhe program, me kufij të kornizuar. Atë nuk mund ta bëjë kushdo dhe cilido, por njerëz të zanatit, të oratorisë dhe penës, të dijes, moralit dhe humanitetit, që këto virtyte dhe aftësi i kanë arritur nëpër institucione meritore para njerëzve meritorë.

Disiplina është faktor shumë i rëndësishëm, prandaj të rinjtë duhet kultivuar një shpirt të disiplinës. Emocionet kanë vendin e vet në prezantimin e fesë por nuk bënë të na rrëmbejnë e të shndërrohemi në njerëz emotiv, që prekin ndjenjat por nuk prekim arsyen, fusin njerëzit të qajnë por nuk i fusim të mendojnë, fitojnë njerëz që vajtojnë për humbjet por nuk ka njerëz që di të mendojë me kokë të kthjellët. Pra, dëshira e të rinjve për të ndihmuar fenë kërkon raport të shëndoshë mësues-nxënës, dëshira e të rinjve kërkon mentor, orientues të ambicieve të tyre dhe jo liri absolute.

Shumë ligjërues të mirë kanë problem me numër të vogël të dëgjuesve nëpër xhami, sepse nëpër xhami megjithatë është një lloj disipline, por nëpër salla atraktive, përplot kolorit e dekorime, gjendja ndryshon. Përse ndodh kjo? Përse njerëzit kërkojnë atraksion por jo dituri stabile, përse kërkojnë të dëgjojnë ligjëratë nga njerëz të paverifikuar dhe jo nga dijetarë me renome?

E qartë, janë rrënuar kriteret e shëndosha, kërkohet sasia e jo cilësia, kërkohet ligjërimi ‘industrial’ e jo ai një për një, i përgatitur, që prek arsyen dhe kërkon aktivitetin e saj, ndryshimin e vetëdijes, manireve të përditshme dhe ndryshimin e shoqërisë, nga ajo diletantekse në shoqëri që di kush është dhe di çka dëshiron, shoqëri që nuk bëhet pre e tregut dhe kërkesave të saj të egra.

Me këtë shkrim nuk është për qëllim kritika e sëmurë, kritika për vete, kritika që kritikon të tjerët por nuk ofron alternativë të urtë. Përkundrazi, shkrimi ka për qëllim qetësimin e gjerave dhe profilizimin e detyrave: ligjëruesi të ligjërojë, kënduesi i Kur’anit të këndojë, interpretuesi i ilahisë të interpretojë, organizatori të organizojë, shkrimtari të shkruaj, nxënësi të bëjë detyrat, biznesmeni të ndihmojë sa mundet etj. Kjo do të ndihmojë të kemi një shoqëri më të mirë, të kompetente, më të vetëdijshme për prezantimin e fesë dhe vlerësimin e ndodhive. Nëse kjo nuk arrihet atëherë çdo vit do të përballemi me hoxhë ligjërues tallava (show-hoxhë), me ekzekutues turbo të ilative, me shkrimtarë që fjalinë apo emrat e përveçëm i nisin e shkronjë të vogël, tmerrësisht të komercializuar, e të gjitha këto të mbështjella me celofan fetar, për net të mëdha apo për ramazan e bajramë.

Qëllimi kryesor i këtij shkrimi është aktualizimi i fesë ndër besimtarët dhe vendosja e saj në vendin e vet meritor, feja si udhëzues shpirti dhe mendjeje për njerëzit dhe jo argëtim dhe relaks për masat.

 

____________________________________________________

(P.S.: Propozoj të lexohen:

1) Zeqirija Ibrahimi, Ramazani ndër shqiptarë, në: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=2899.

2) Metin Izeti, Kë s’e merr malli për Ramazanin, s’e kupton dashurinë, në:http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=2917.

3) Metin Izeti, Ramazani në (pa)kohë dhe (pa)hapësirë, në:

http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=2908.

4) Nexhat Ibrahimi, Disa këshilla praktike se si të organizohet jeta gjatë Ramazanit, Revista Etika, nr. 41/gusht 2011; ose: http://www.opoja.net/LajmID/23670.

5) Nexhat Ibrahimi, Agjërimi ndërmjet shpirtërores dhe fizikes, Dituria islame, nr. 264/2012; ose:http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=2359.

7) http://minber.ba/index.php/islamske-teme/aktuelno/23513-estradni-islam-i-ucenje-vjere-kroz-zabavu.

6) Nexhat Ibrahimi, Traditat e muslimanëve gjatë bajrameve, në:http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=2916 .

8) Nexhat Ibrahimi, Disa vrojtime (personale) pas Ramazanit, Shenja, Shkup, qershor 2015: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=3127.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-